Në kuadër të manifestimit “Ditët e Diasporës”, në Ferizaj është hapur panairi i prodhimeve bujqësore. Në këtë panair që është organizuar nga organizata IKC, po marrinë pjesë rreth 100 prodhues nga rajoni i Ferizajt. Në hapjen e këtij panairi ka marrë pjesë edhe kryetari i komunës së Ferizaj Agim Aliu, i cili tha se për qeverinë lokale është prioritet zhvillimi i fushës së bujqësisë.
‘’U ndjeva mirë kur pashë këta fermerë, për punën dhe angazhimin e tyre të palodhur, këta fermerë që i kam çmuar dhe do i çmoj përgjithmonë se janë pjesa që jetojnë me djersën e tyre dhe ne pikërisht duke çmuar djersën e tyre tashmë jemi bërë gjithnjë e më shumë aleat më të fuqishëm të tyre dhe çdo ditë e punës sonë do të tregoj se kjo aleancë do të zgjasë, sepse jemi shumë të sigurt se duke mbështetur dhe duke organizuar panaire të tilla bëjmë një shërbim të rëndësishëm për konsumin e sigurt që sot u duhet qytetarëve të Ferizajt”, tha Aliu.
Kurse, përfaqësuesi i organizatës IKC Ekrem Bajrami, tha se përmes organizimeve të tilla synojnë që prodhuesve vendor t’iu sjellin përfitime.
“Është një kënaqësi për neve si IKC që të bëjmë organizime të tilla e veçmas sot në Ferizaj me përkrahje të komunës, unë falënderoj drejtorin e Bujqësisë dhe fermerët duke u dëshiruar një ditë profitabile”, tha Bajrami.
Të kënaqur me organizimin e këtij panairi u shprehen edhe pjesëmarrësit.
“Kemi lloje të ndryshme të produkteve, turshi, perime e pemë të freskëta, i kemi të gjitha produkte vendore, i kultivojmë vetë, ne jemi disa gra që jemi gjysmë të shkolluara, e kemi gjetur veten këtu dhe mirë na shkon puna por kemi nevojë me na përkrah më shumë dhe është IKC–ja që na dërgon në vende të ndryshme ku ne i ekspozojmë produktet tona”, tha Xheva Haziri.
“Ne jemi nga kompania “Bletaria” nga fshati Komogllavë, merremi vetëm me këtë punë dhe ky panair është i veçantë, është viti pestë me radhë që po mbahet, është i nevojshëm patjetër për shkak se këtu është një sensibilizim më i madh i qytetarëve”, tha Adhurim Halili.
Panairi me prodhime bujqësore i cili po mbahet në bulevardin e qytetit do të qëndroj i hapur tri ditë.