Sipas planit të Prokurimit te komunës së Ferizaj, parashikohej që në fund të muajit qershor, të fillonin procedurat për hapjen e tenderit për “transmetimin live të seancave të Kuvendit Komunal, publikimeve, njoftimeve, konkurseve si dhe të emisioneve të ndryshme informative në televizion për nevojat e komunës”.
Megjithatë kjo nuk ka ndodhur.
Kuvendari i pavarur i Kuvendit Komunal të Ferizajt, Nehat Mustafa këtë mosveprim të ekzekutivit lokal e sheh si presion ndaj mediave.
“Duke e pasë parasysh ndjeshmërinë e transmetimit të seancave të Kuvendit të Komunës dhe mos shpalljen e thirrjes për përzgjedhjen e operatorëve për transmetimin e saj, pa paragjykuar se kush mund të jetë, kjo mund të kuptohet edhe si një lloj presioni që mund t’u bëhet mediave që ne nuk e shpallim tenderin derisa ju nuk tregoni dëgjueshmëri ndaj pushtetit. Përderisa është dashur të shpallet në qershor, dikush duhet të mbajë përgjegjësinë për vonesën dy mujore. Praktika tregon se të gjitha pushtetet që kanë tentuar censurën kanë dështuar sepse sot nuk mund të bësh censurë. Nëse kjo qeverisje vërtetë ka punuar mirë siç po thonë, ata duhet të shfrytëzojnë seancat për proklamimin e punës së tyre e jo tu bëhet presion mediave. Por kemi parë që raporti i Auditorit nuk po flet më së miri për Komunën e Ferizajt e prandaj kjo mund të jetë një nga arsyet që është prolonguar shpalljen e këtij tenderi”
Nehat Mustafa – Kuvendar i pavarur
Shkëlzen Selmani i LDK-së, në anën tjetër konsideron se kështu po tentohet të censurohen të gjithë kuvendarët që kritikojnë.
“Është e padrejtë ndaj 41 asamblistëve, që të vetmin mjet për arsyetimin e votave, ka qenë transmetimi live i seancave të Kuvendit Komunal. Tash, asamblistët mundësi tjetër për të shpreh pakënaqësitë e qytetarëve përveç në seancë nuk kanë, si për të mirë si për gabime. Kjo me u ba në fund të mandatit, unë e shoh si një lloj censure ndaj të gjithë asamblistëve që kritikojnë e japin propozime tjera, por asamblistët janë shndërru vetëm në vegla për votim. Nuk e di cilat janë arsyet pse nuk është hapë tenderi, kur edhe me plan të prokurimit, është në kuadër të buxhetit që e kemi votu si asamble komunale edhe prej qershorit deri tash nuk është hapë”.
Shkelzen Selmani – Kuvendar i LDK-së
Teksa kthehet në retrospektivë, Dritëro Hyseni i LVV-së thotë se tendenca e pushtetit lokal gjithmonë ka qenë ngulfatja e fjalës së opozitës.
“Është e çuditshme se pse këta nuk e kanë hapur tenderin dhe është akoma më e çuditshme se si kjo qeverisje lokale ka tentuar që nga fillimi të ndrydhë fjalën e opozitës e cila të vetmen derë e ka transmetimin live të seancave. Edhe në vitin 2019 e kemi pasur si diskutim Rregulloren e Punës së Komunës së Ferizajt e edhe në atë kohë patën tentuar që transmetimin live të seancave të Kuvendit ta ndërpresin apo të mos hapin tenderë për mediat. Ne konsiderojmë që transmetimi live i seancave është mënyra e vetme që opozita të dëgjohet dhe të shkojë tek qytetari. Kjo është tendencë për të ndrydhur fjalën e lirë të opozitës e sidomos tash që jemi në prag të zgjedhjeve dhe në Kuvendin Komunal do të kemi disa tema shumë të rëndësishme si buxheti e shumë të tjera”.
Dritëro Hyseni – Kuvendar i LVV-së
Për të kuptuar arsyet se përse nuk po veprohet sipas Planit të Prokurimit rreth kësaj çështje nga Komuna e Ferizajt, TV Tema tentoi të marr në prononcim Kryetarin e Komunës, Zëdhënësin e Drejtoreshën e Administratës domen i së cilës është kjo çështje, por që të tre ishin në pushime.
Kurse personi përgjegjës në drejtorinë e Administratës së Përgjithshme u deklarua jo kompetent për të folur rreth kësaj çështjeje.
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person të dyshuar si zjarrvënës pasi një shtëpi është përfshirë nga zjarri në Ferizaj.
Sipas raportit 24 orësh të policisë rasti ka ndodhur të martën, në ora 12:00.
Ferizaj / 02.06.2026 – 12:00
” Ankuesi mashkull kosovar ka njoftuar se shtëpia e tij është përfshirë nga zjarri. Sipas dëshmitarëve dyshohet se një person i dyshuar mashkull kosovar e ka shkaktuar zjarrin, i cili është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.”
Nga një zjarr që shpërtheu më 31 maj në një kompani private në Ferizaj, përpos dëmeve në objektin afarist janë dëmtuar edhe tri shtëpi familjare të pronarit të kësaj kompanie.
Në raportin e policisë bëhet e ditur se nga zjarri që shpërtheu rreth orës 23:10, vlera e dëmeve në objekt afarist dhe shtëpitë e përfshira është e konsiderueshme, derisa rasti është duke u hetuar.
“ Ferizaj / 31.05.2026 – 23:10.
Më 01.06.2026 viktima mashkull kosovar ka raportuar se zjarri i cili kishte shpërthyer me datën e lartcekur në kompaninë e tij, përveç dëmeve tek lokali, dëme ishin shkaktuar edhe tek tri shtëpi të familjarëve të tij ku vlera e dëmit është e konsiderueshme. Rasti është duke u hetuar nga ekipet relevante policore”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.
Të dielën, më 31.05.2026 rreth orës 15:15, Policia në Ferizaj ka ndaluar dy drejtues motoçikletash, të cilët po qarkullonin në rrugën “Shaban Viça”, në kundërshtim me rregullat dhe ligjet e komunikacionit rrugor.
Ndaj personit me inicialet R.M. (25 vjeç) është shqiptuar gjobë prej 500 eurosh për mos posedim të kategorisë përkatëse A, 3 pikë negative, si dhe masë mbrojtëse prej tre muajsh heqje e patentë-shoferit. Po ashtu, ai është gjobitur edhe me 200 euro për qarkullim me motoçikletë të paregjistruar dhe pa targa.
Edhe ndaj personit me inicialet A.V. (25 vjeç) janë shqiptuar të njëjtat masa: 500 euro gjobë për mos posedim të kategorisë përkatëse A, 3 pikë negative, tre muaj heqje e patentë-shoferit, si dhe 200 euro gjobë për motoçikletë të paregjistruar dhe pa targa.
Për shkak të mungesës së dokumentacionit të rregullt, policia ka konfiskuar edhe të dy motoçikletat.