Connect with us

Kosovë

Kurti e Vuçiq takohen pas më shumë se një viti, për uljen e tensioneve Kosovë-Serbi

Published

on

Pas më shumë se një viti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 18 gusht do të takohen në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga blloku evropian. Pavarësisht se ende nuk është bërë publike agjenda, takimi pritet të përqendrohet në uljen e tensioneve mes dy vendeve.

Më 31 dhe 1 gusht, serbët lokalë në veri të Kosovës, bllokuan rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë. Barrikadat u ngritën për të kundërshtuar dy vendimet e Qeverisë së Kosovës, që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe.

Por, fakti që ka kaluar më shumë se një vit nga rundi i fundit i dialogut, në nivelin e lartë politik, nga disa diplomatë në Bruksel po shihet si dëshmi se ky proces nuk ka shkuar sipas ritmit që pritej dhe ka pasur ngecje të mëdha.

Arsyet pse Kurti dhe Vuçiq nuk kanë zhvilluar takime në kuadër të dialogut kanë të bëjnë me atë që BE-ja e ka quajtur “mungesë të gatishmërisë dhe vullnetit të palëve për të arritur përparim konkret në dialog”.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, disa muaj më parë deklaroi se nuk do të thërriste ndonjë takim në nivel të lartë, për aq kohë sa nuk vëren se ka vullnet të palëve që në takime të tilla të arrihen rezultate.

Në këtë kohë, në Bruksel ka pasur takime – po ashtu të rralla – midis ekipeve të kryenegociatorëve, por rezultatet konkrete nga takime të tilla kanë qenë të vogla. Në takimin e fundit të dialogut në nivel të kryenegociatorëve, më 21 qershor, palët arritën pajtim për udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes për Energjinë. Por, zbatimi i këtij akordi po has në pengesa dhe nuk po respektohen afatet kohore për zbatimin e tij.

Nuk dihet agjenda

Në BE ende nuk kanë bërë të ditur për agjendën e takimit të 18 gushtit. Por, Kurti ka deklaruar se në këtë takim nuk do të flasë për vendimet e Qeverisë së Kosovës, për targat dhe dokumentet serbe.

Ndërkaq, në Beograd insistojnë që temë e dialogut të jetë krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura më 2013 dhe 2015, në kuadër të dialogut. Por, Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik, ndërkaq së fundmi, i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka shprehur qëndrimin se për Asociacionin duhet të nisin diskutimet, por ai nuk duhet të krijojë një “shtet brenda shtetit”.

Diplomatët në Bruksel thonë se qëllimi i takimit të 18 gushtit është që të ulen tensionet dhe të shmanget një përshkallëzim eventual i situatës. Ky takim, sipas diplomatëve, synon që të përgatisë terrenin edhe për takime më të shpeshta në nivel të lartë, me qëllim që Kosova dhe Serbia të bëjnë përparim drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve.

BE-ja pret që liderët të diskutojnë këto tema sfiduese në takimin e radhës të nivelit të lartë në kuadër të dialogut, të ftuar nga përfaqësuesi i Lartë, Borrell, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq”, thuhet në komunikatën e fundit të bllokut.

Por, palët kanë qëndrime të kundërta jo vetëm për marrëveshjet e arritura, por edhe për qëllimin e dialogut. Kosova insiston që dialogu duhet të përqendrohet në njohjen reciproke, ndërkaq Serbia kërkon një zgjidhje kompromisi.

BE-ja hedh përgjegjësinë te palët

Ndërkaq, në bllokun evropian, në secilën pyetje lidhur me dështimet në dialog apo në zbatimin e marrëveshjeve të arritura, përgjegjësinë e bartin te palët. Zyrtarët në BE vazhdimisht thonë se “u takon palëve që të arrijnë marrëveshje dhe t’i zbatojnë ato, ndërsa roli i BE-së nuk është të imponojë, por të lehtësojë këto marrëveshje dhe zbatimin e tyre”.

Për muaj të tërë, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ishte përpjekur që të përgatiste në takim të nivelit të lartë, por ai nuk pati sukses. Pritej që një takim i tillë të mbahej në korrik dhe më pas u shty për në fund të gushtit. Por, data e takimit ndryshoi sërish me ftesën e Borrellit drejtuar Kurtit dhe Vuçiqit më 1 gusht, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës.

Në ftesën e Borrellit u tha se takimi kishte për synim që palët të bisedonin për të gjitha çështjet e hapura.

Barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit dhe Qeveria e Kosovës u zotua se do të shtyjë deri më 1 shtator zbatimin e dy vendimeve.

Diplomatët evropianë thonë se rundi i ri i 18 gushtit pa dyshim se do të shërbejë për uljen e tensioneve dhe parandalimin e përshkallëzimit të situatës.

Se ulja e tensioneve është prioriteti më urgjent e dëshmon edhe deklarata e lëshuar nga BE-ja më 14 gusht, përmes së cilës palëve iu kërkua që të ndalin retorikën nxitëse dhe të veprojnë me përgjegjësi.

BE-ja u shpreh e shqetësuar me deklaratat ku përmendet lufta dhe konflikti dhe porositi se “do t’i mbajë përgjegjës liderët politikë për çfarëdo përshkallëzimi të situatës” në rajon.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar për REL-in më herët gjatë gushtit se ka pasur mundësi që tensionet më 31 korrik dhe 1 gusht të përshkallëzoheshin në konflikt të armatosur. Ndërkaq, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ka informacione për plane të Kosovës që të “likuidojë” serbët në veri.

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, e ka cilësuar si “deklaratë të kotë” reagimin e BE-së më 14 gusht, duke akuzuar BE-në se nuk ka reaguar ndaj “provokimeve” të Kurtit.

Teksa BE-ja përgatitet për takimin e radhës Kurti-Vuçiq, edhe NATO po bën përpjekje të kontribuojë në uljen e tensioneve.

Në këtë kuadër, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, më 17 gusht do të mbajë takime të ndara me Kurtin dhe Vuçiqin.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka deklaruar më 31 korrik se është e gatshme që të ndërhyjë në Kosovë nëse rrezikohet stabiliteti. Por, edhe aleanca ushtarake perëndimore u ka kërkuar palëve që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun që lehtësohet nga Bashkimi Evropian.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Kurti dhe Vuçiq nuk janë takuar në kuadër të dialogut që nga korriku i vitit 2021. Atë vit, ata zhvilluan dy takime, por asnjëri nuk prodhoi ndonjë rezultat konkret./REL

Kosovë

Avokati Mishetiq: Shpallja e Hashim Thaçit fajtor do të ishte padrejtësi ligjore dhe historike

Published

on

Avokati Luka Mishetiq, në fillim të deklaratës së tij përmbyllëse, si avokat mbrojtës i Hashim Thaçit, ka deklaruar se ish-presidenti i Kosovës, Thaçi është i pafajshëm dhe që kjo është pikënisja prej ku duhet të merret vendimi.

“Kur t’i filloni kuvendimet tuaja, ju do të filloni nga qëndrimi se Hashim Thaçi është i pafajshëm dhe më pas ju do të vlerësoni nëse provat e paraqitura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ju kanë bindur juve, jashtë dyshimit të arsyeshëm, se Hashim Thaçi është fajtor” ka thënë Mishetiq.  

Ai u tha gjyqtarëve se e sheh problematik faktin në gjithë dosjen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar janë shpërfillur të gjitha provat të cilat diskreditojnë provat dhe pretendimet e saj.

“Kur analizohen dhe shqyrtohen parashtrimet përfundimtare të ZPS-së është sikur të lexohet një kronikë apo analizë e një filmi të shkruar nga dikush që nuk e ka parë filmin”, tha Mishetiq duke shtuar se argumentet e ZPS-së nuk përbëjnë interpretimin e arsyeshëm të vetëm të provave, që është standardi që duhet arritur që ju të rishkruani historinë e Kosovës, në këtë rast për ta shpallur fajtor Hashim Thaçin.

Avokati i Thaçit u tha gjykatësve se shpallja fajtor e klientit të tij do të përbënte “padrejtësi ligjore dhe historike”.

Duke u fokusuar te pika e e akuzës se ka ekzistuar një ndërmarrje e përbashkët kriminale, në krye me të akuzuarit, me qëllim të marrjes nën kontroll të gjithë Kosovës, Mishetiq u ka thënë gjyqtarëve se nuk ka pasur prova të drejtpërdrejta që ka ekzistuar një plan i tillë, pasi nuk ka pasur prova të takimeve ku është diskutuar ky synim, dokumente shkresore që të tregohet se është rënë dakord apo është diskutuar ky synim, nuk ka dhënë dëshmi asnjë dëshmitar lidhur me ekzistencën e këtij synimi.

Avokati Mishetiq më tej tha se secili prej dëshmitareve që e ka pasur mundësinë të flasë për këtë çështje, e ka hedhur poshtë teorinë e Prokurorisë, dhe për më keq, Prokuroria nuk i ka bërë pyetje asnjë dëshmitari.

Continue Reading

Kosovë

Tërmet me magnitudë 4.6 ballë godet Kosovën, epiqendra pranë Prizrenit

Published

on

Një tërmet me magnitudë 4.6 ballë është regjistruar sonte në Kosovë dhe është ndier në disa qytete të vendit dhe rajonit.

Sipas të dhënave nga Qendra Evropiane Sizmologjike Mesdhetare (EMSC – emsc.eu), epiqendra e tërmetit ka qenë rreth 23 kilometra në lindje të Prizrenit, 14 kilometra në veri të Tetovës në Maqedoninë e Veriut, ndërsa thellësia e tij ka qenë rreth 5 kilometra.

Lëkundjet janë ndier nga qytetarë në zona të ndryshme të vendit

Continue Reading

Kosovë

Uta dhe Mrika do ta “pushtojnë” botën edhe përmes pullave më të reja postare

Published

on

Posta e Kosovës ka lëshuar sot në qarkullim emisionin e ri të pullave postare me motivin “Alpinistet e Kosovës – Uta Ibrahimi dhe Mrika Nikqi”.

Në njoftim thuhet se ky emision i pullave postare i kushtohet alpinizmit kosovar dhe grave që, me guxim, përkushtim dhe arritje historike, kanë ngritur emrin dhe flamurin e Kosovës në majat më të larta të botës.

“Motivet e dy pullave postare prezantojnë dy alpinistet kosovare të rangut botëror: Uta Ibrahimi, e cila arriti të bëhet gruaja e parë nga Ballkani që ka ngjitur 14 majat mbi 8.000 metra, si dhe Mrika Nikqi, alpinistja më e re kosovare që po ashtu preku majat më të larta të botës, përfshirë majën Everest.

Me guxim, përkushtim dhe vizion, Uta dhe Mrika e kanë vendosur Kosovën në hartën globale të alpinizmit. Dy sportistet e jashtëzakonshme janë simbole të ambicies së pakufishme dhe dëshmi se ëndrrat e mëdha nuk njohin moshë. Shembulli i tyre mbetet frymëzim për alpinistët e të gjitha brezave” thuhet në njoftimin e Postës së Kosovës.

#

Continue Reading

Trending