Connect with us

Kosovë

Rakiq thotë se ambasadorët e QUINT-it u thanë ta pranojnë realitetin se Kosova është e pavarur

Published

on

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se ambasadorët e shteteve të QUINT-it, gjatë takimit të mbajtur më 15 gusht në Prishtinë, kanë kërkuar nga kryetarët e komunave me shumicë serbe në Kosovë që “të pranojnë realitetin, e ai realitet është se Kosova është e pavarur”.

Këto komente Rakiq i bëri gjatë një konference për media në Qeverinë serbe në Beograd të martën, ku morën pjesë katër kryetarët e komunave në veri të Kosovës dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq.

Në shtetet e QUINT-it bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia e Franca, dhe që të gjitha e njohin pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17 shkurt 2008.

Rakiq tha se në takimin me ambasadorët e QUINT-it kanë rënë dakord që të mos bëhen publike detajet e takimit, por “për shkak të peshës dhe seriozitetit të mesazhit që morën dje, ne kemi një moral njerëzor dhe përgjegjësi politike për të informuar qytetarët se jetojnë në Kosovë”.

Në takimin, që zgjati më shumë se dy orë, ku kryetarët e komunave i njoftuan ambasadorët për problemet që kanë në komuna… Në atë takim, mesazhi kryesor që dëgjuam nga ambasadorët ishin se shtetet e tyre e njohin pavarësinë e Kosovës. Ne gjithashtu dëgjuan se ata i mbështesin në mënyrë absolute vendimet e marra nga Prishtina. Veçanërisht ata nënvizuan se mbështesin vendimet e Prishtinës për targat dhe dokumentin për hyrje-dalje që do t’u lëshohet serbëve me të hyrë në Kosovë”, tha Rakiq.

Rakiq tha se ambasadorët e QUINT-it thanë se vendimet e Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe janë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit.

Ne absolutisht nuk u pajtuam me ta”, theksoi Rakiq.

“Na bën thirrje që ta pranojmë realitetin në terren dhe ai realitet është që Kosova është e pavarur. Asnjë serb, dhe ne ua thamë qartë dje, nuk e pranon atë pavarësi dhe nuk do ta pranojë kurrë. Ne po shikojmë Brukselin, presidentin tonë, Aleksandar Vuçiq dhe po shikojmë dialogun e Brukselit”, tha Rakiq.

Lista Serbe, që është partia udhëheqëse e serbëve në Kosovë dhe ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, tha se mbështesin plotësisht presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për takimin që ai do të mbajë në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më 18 gusht.

Rakiq tha se Kosova mund “me forcë të përpiqet të zbatojë disa vendime”, por se “ne nuk do të marrim pjesë në këtë”.

Rakiq, që është edhe ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, tha se pret që presidenti serb Vuçiq, të gjejë një mënyrë për ta “tejkaluar këtë krizë” në dialogun në Bruksel.

Ndërkaq, në konferencën për media në Beograd, kryetarët e katër komunave në veri – Zubin Potok, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Leposaviq – u shprehën të shqetësuar për “patrullimin e shtuar” të Policisë së Kosovës në këtë pjesë dhe thanë se nuk pranojnë vendimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Zoran Todiq, kryetari i Komunës së Leposaviqit, tha se gjenden “në një situatë gjithnjë e më të vështirë sigurie dhe politike” dhe shtoi se në takimin e ambasadorët e QUINT-it kanë kërkuar që Kurti të heqë dorë nga zbatimi i vendimeve.

Më 31 korrik dhe 1 gusht, serbët lokalë bllokuan rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Bllokadat u ngritën për të kundërshtuar dy vendimet e Qeverisë së Kosovës. Vendimi i parë ka të bëjë me targat serbe me akronime të qyteteve të Kosovës.

Kosova dëshiron që rreth 10.000 makina me targa sikurse KM, PZ, UR e të ngjashme të riregjistrohen në targat RKS (Republika e Kosovës), pasi vlerëson se targa të tilla që qarkullojnë në veriun e banuar me shumicë serbe, janë të jashtëligjshme.

Vendimi i dytë i Qeverisë së Kosovës është për lëshimin e një dokumenti për hyrje-dalje, për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë. Ky dokument jepet falas dhe ka vlefshmëri prej 90 ditësh.

Me dokument të tillë, qytetarët e Kosovës janë pajisur nga autoritetet serbe qe 11 vjet dhe palët ishin marrë vesh për një gjë të tillë me nënshkrimin e Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes më 2011.

Pasi serbët hoqën barrikadat pasditen e 1 gushtit, Qeveria e Kosovës njoftoi se do të shtyjë zbatimin e vendimeve deri më 1 shtator.

Pas rritjes së tensioneve në veri, Bashkimi Evropian dërgoi ftesë për një takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut. Takimi i 18 gushtit midis Kurtit dhe Vuçiqit pritet të përqendrohet në përpjekjet për uljen e tensioneve.

Por, para këtij takimi, Kurti dhe Vuçiq më 17 gusht do të zhvillojnë në Bruksel takime të ndara edhe me shefin e NATO-s, Jens Stoltenberg.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, gjatë rritjes së fundit të tensioneve në veri, ishte shprehur i gatshëm që të ndërhynte nëse do të rrezikohej stabiliteti./REL

Kosovë

Ekzekutohen paratë për blerjen e librave

Published

on

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar se sot janë ekzekutuar mjetet në llogaritë e prindërve përfitues për subvencionimin e teksteve shkollore për nxënësit e klasave 1–9 për vitin shkollor 2026/2027.

Në njoftimin e publikuar, MASH bëri të ditur se ka miratuar Katalogun e Teksteve Shkollore si dhe ka zhvilluar negociata me shtëpitë botuese për përcaktimin e çmimeve finale të shitjes së teksteve shkollore. Çmimet e përcaktuara në këtë katalog janë të detyrueshme për zbatim nga të gjitha pikat e shitjes së teksteve shkollore.

Bazuar në çmimet e përcaktuara në katalog, ministri ka nxjerrë vendimin për vlerën e subvencionimit për secilën klasë. Vlera e subvencionimit për prind/nxënës për tekstet shkollore në gjuhën shqipe sipas klasave është si në vijim:

Klasat 1 dhe 2 – 60 euro;

Klasa 3 – 65 euro;

Klasa 4 – 70 euro;

Klasa 5 – 80 euro;

Klasat 6 dhe 7 – 90 euro;

Klasat 8 dhe 9 – 100 euro.

MASh u bën thirrje prindërve që gjatë blerjes të sigurohen se tekstet shkollore po blihen me çmimet e përcaktuara në katalogun zyrtar të MASh, i cili është i qasshëm online në webfaqen e Ministrisë.

Continue Reading

Kosovë

Dyshohet se në Burgun e Dubravës ndodhi dhunimi i një burri nga tre të tjerë

Published

on

Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast dhunimi të një burri nga tre të tjerë në Istog.

Në raportin 24 orësh të policisë thuhet se sipas personit që ka raportuar rastin ndaj tij është ushtruar dhunë fizike dhe më pas është dhunuar seksualisht.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore e Pejës ka njoftuar se rasti ka ndodhur në Qendrën Korrektuese në Dubravë. Ndaj tre personave është iniciuar rasti për veprën penale të dhunimit.  

Istog / 25.08.2026 – 21:00.

“Është pranuar informata se ka ndodhur një rast dhunimi. Viktima mashkull kosovar ka deklaruar se tre te dyshuar meshkuj kosovarë, fillimisht kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij dhe më pas e kanë dhunuar seksualisht. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor në Spitalin e Pejës. Lidhur me rastin është informuar prokurori  me urdhër të cilit rasti është duke u hetuar.”

Continue Reading

Kosovë

Vritet një grua shtatzënë në Malishevë, bashkëshorti i saj dyshohet për vrasjen

Published

on

Një grua shtatzënë është vrarë me armë zjarri në fshatin Kërvasari të Malishevës, ndërsa bashkëshorti i saj, i dyshuar për vrasjen, është në gjendje kritike, pasi edhe ai ka pësuar plagë nga arma e zjarrit.

Prokuroria Themelore në Gjakovë njoftoi më 24 gusht se gruaja ka pësuar plagë nga arma e zjarrit dhe së është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, ku më pas ka vdekur.

Bashkëshorti i saj është dërguar, po ashtu, për trajtim në QKUK dhe ndodhet në gjendjekritike për jetën.

Autoritetet nuk kanë bërë të ditur se në çfarë rrethanash janë plagosur gruaja dhe bashkëshorti i saj, apo se kush ka shtënë me armë.

Nga Prokurori i Shtetit rasti është iniciuar për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, bëri të ditur Prokuroria në Gjakovë.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tha se “ky rast është një tjetër alarm i rëndë për të gjithë shoqërinë dhe për institucionet”.

“Nuk mjafton të reagojmë pasi të humbet një jetë. Duhet të parandalojmë dhunën përpara se ajo të bëhet e pakthyeshme”, shkroi ajo në Facebook.

Si koordinatore Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore, ajo kërkoi nga të gjitha institucionet përgjegjëse që ta trajtojnë këtë rast “me seriozitetin maksimal dhe të mos lënë asnjë rrethanë pa u hetuar”.

Ndërkohë, Rrjeti i Grave të Kosovës reagoi në lidhje me ngjarjen, duke vlerësuar se çdo humbje e jetës së një gruaje në rrethana të dhunshme është alarm serioz për institucionet dhe shoqërinë.

RRGK kërkoi “hetime të plota, të pavarura dhe të shpejta për zbardhjen e të gjitha rrethanave të rastit, si dhe vendosjen e përgjegjësisë sipas ligjit”.

“Kërkojmë nga institucionet që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit, garantimin e drejtësisë dhe parandalimin e rasteve të tilla në të ardhmen. Çdo neglizhencë institucionale mund të ketë pasoja fatale”, thuhet në një reagim të organizatës për mbrojtjen e të drejtave të grave, me bazë në Prishtinë.

Sipas të dhënave, nga viti 2010 e deri më tani, në Kosovë janë vrarë rreth 60 gra.

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna.

Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.

Ekspertët e sistemit të drejtësisë në Kosovë kanë argumentuar se institucionet nuk po trajtojnë me seriozitet personat me të kaluar kriminale.

Dënimet e lehta, sipas tyre, po i “trimërojnë” ata që të vazhdojnë veprimtarinë kriminale.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending