Connect with us

Lajme

Kurti thotë se Lajçaku u pozicionua kundër Kosovës

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi ndërmjetësin evropian të dialogut për normalizimin e raporteve me Serbinë, se është “pozicionuar” kundër Kosovës.

Gjatë një konference për media në Prishtinë, Kurti më 18 shtator tha se në rundin e fundit të dialogut, ai “pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës në përgjithësi, kundër Marrëveshjes [drejt normalizimit të raporteve] në veçanti”, duke iu referuar të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Kurti tha se dukej që kishte një koordinim mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Lajçakut për, siç tha ai, krijimin e një “skenari alternativ, ku gjysma e marrëveshjes zbatohet”.

“Ditëve në vijim me siguri që unë do të kem takime me të gjithë faktorët ndërkombëtarë, të cilët kanë pranuar shtetin e Kosovës dhe të cilët dëshirojnë të na ndihmojnë, e të na përkrahin sa i përket shtetndërtimit demokratik, zhvillimit socio-ekonomik, por edhe sa i përket njohjeve ndërkombëtare, e në veçanti normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, e që tash e kemi zgjidhjen: është Marrëveshja Bazike e njohjes së ndërsjellë de-facto”, tha Kurti.

Rundi i fundit i dialogut në Bruksel, më 14 shtator, ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përfundoi pa përparim në normalizimin e marrëdhënieve.

Ky ishte takimi i parë mes Vuçiqit dhe Kurtit pas shpërthimit të dhunës në veri të Kosovës në fund të majit.

Kurti tha se në Bruksel propozoi një plan për zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj.

Kjo marrëveshje nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat. Po ashtu palët zotohen se do të zbatojnë marrëveshjet e arritura më herët në procesin e dialogut.

Kurti tha se plani i propozuar nga ai – që sipas tij u refuzua nga Serbia dhe BE-ja – për zbatimin e Marrëveshjes Bazike, ishte “propozim konkret, shumë konstruktiv, që bazohej në parimin e gjithëpërfshirjes”. Ai tha se gjithëpërfshirja është edhe në këtë marrëveshje dhe në aneks, ku thuhet se “çdo nen i Marrëveshjes Bazike duhet zbatuar dhe palët nuk duhet të shprehin pengesa për asnjë nen”.

Kryeministri Kurti u pyet nëse do të kërkojë që SHBA-ja të ndërhyjë në dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë. Ai tha se Uashingtoni dhe Brukseli janë bashkë në këtë proces.

“Nuk është këtu çështje BE dhe SHBA. Këtu kemi të bëjmë me një emisar evropian i cili e ka deformuar procesin duke mos u përqendruar në zbatimin e plotë dhe të hollësishëm, të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj, por duke lejuar që qerrja të vihet para kuajve, Asociacioni i komunave një herë, e pastaj shohim”, u shpreh Kurti.

“Nuk është synimi jonë që të zëvendësojmë një superfuqi me tjetrën. Neve na duhen të dyja, edhe BE-ja edhe SHBA-ja. Por, neve nuk na duhet një ndërmjetësim i tillë i njëanshëm, aspak neutral e korrekt, i cili shkon kundër Marrëveshjes Bazike, siç ka ndodhur me [ndërmjetësimin] e emisarit Lajçak tani”, shtoi ai.

Kryeministri kosovar tha se përmes letrave ka informuar më 15 shtator Uashingtonin, Berlinin, Parisin dhe Romën për ecurinë e takimeve në Bruksel.

I pyetur nëse do të kërkojë zëvendësimin e Lajçakut në procesin e dialogut, Kurti tha se zyrtari i lartë evropian nuk i jep llogari atij, por ai duhet t’i japë llogari Komisionit Evropian, Këshillit Evropian dhe Parlamentit Evropian.

“Unë besoj që ajo çfarë kemi thënë këto ditët e fundit, e në veçanti sot, është më se e mjaftueshme që të ketë llogaridhënie të atij, atje [në institucionet evropiane]”, deklaroi Kurti.

Kryeministri Kurti bëri një përmbledhje të ecurisë së takimeve dypalëshe dhe trepalëshe në Bruksel më 14 shtator.

Ai hodhi poshtë deklaratat e Brukselit se ai ka refuzuar një plan për sekuencimin e Marrëveshjes Bazë, duke thënë se ai në takim kishte dorëzuar një plan të tij për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Kurti shtoi se kërkoi që BE-ja të tregonte nëse Serbia kishte dorëzuar një dokument për zbatimin e marrëveshjes. Një dokument iu dha në fund të takimeve, që, sipas Kurtit, ishte i datës 19 korrik, që ishte refuzuar gjatë takimit të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel të mbajtur në po atë datë.

Sipas tij, ky dokument kërkonte që fillimisht të themelohej Asociacioni i komunave me shumicë serbe, e pastaj diskutimin për planin e BE-së, duke shtuar se dokumenti “ishte shndërruar në plan të ndërmjetësuesit”.

Kurti u pyet edhe për masat ndëshkuese që BE-ja ka vendosur ndaj Kosovës për shkak të mospërmbushjes së kushteve të ndërkombëtarëve për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

Kryeministri kosovar tha se që një kohë nuk ka tensione në veri dhe Kosova veçse ka reduktuar praninë policore atje dhe ka hartuar një udhëzim administrativ që mundëson largimin e kryetarëve të komunave përmes një peticioni.

“Deeskalimi do të duhej të konsiderohej i mjaftueshëm për heqjen e masave”, theksoi ai.

Pas takimit më 14 shtator, nga Bashkimi Evropian thanë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka qenë i gatshëm të ecë përpara, ndryshe nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili “e ka pranuar propozimin e tyre” për zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili bashkë me të dërguarin e BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, ndërmjetësuan takimin, tha se Kurti ka këmbëngulur që të formalizohet, fillimisht, njohja de facto e Kosovës nga Serbia.

Kurti në Bruksel tha se “kushtëzimi i Serbisë” për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “është shndërruar në qëndrim të emisarëve të BE-së”. Sipas Vuçiqit, Kurti, thjesht, “i shmanget formimit të Asociacionit… ky është thelbi i gjithçkaje”. /REL/

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ferizaj

Ndërroi jetë atdhetari dhe eprori i lartë i UÇK-së, Rafiz Sejdiu– Inxhinieri

Published

on

Është ndarë nga jeta atdhetari i kombit dhe ish eprori i lartë i UÇK-së , Rafiz Sejdiu – Inxhinieri.

Lajmi u bë i ditur në Facebook nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së – dega Ferizaj.

Sejdiu gjatë luftës në Kosovë ishte epror i lartë në Zonën Operative të Neredimes, ish-deputet në Kuvendin Komunal dhe ish-kryetar i OVL-UÇK dega në Ferizaj

Në nderim të jetës dhe veprës së tij në shërbim të atdheut, ceremonia mortore për të ndjerin Rafiz Sejdiu, do të bëhet të enjten, më 23.10.2025.

14:00 – Mbledhja Komemorative në Teatrin e Qytetit “Adriana” – Ferizaj

16:00 – 16:30 – Homazhe pranë arkivolit tek shtëpia e të ndjerit në fshatin Doganaj.

17:00 – Ceremonia e varrimit, në varrezat e fshatit Greme, lagjja Spahia në Ferizaj

#

Continue Reading

Arbëri

Dy tërmete lëkundin Shqipërinë mëngjesin e sotëm

Published

on

Disa lëkundje të njëpasnjëshme toke janë regjistruar mëngjesin e sotëm në Shqipëri.

Sipas Qendrës Euro-mesdhetare Sizmologjike, dridhja e parë e tokës u regjistrua  në ora 03:20. Epiqendra ishte  rreth 21 kilometra në  jug-perëndim të Durrësit me magnitudë 3.4 shkallë të Rihterit.

Kurse lëkundja e dytë ishte në ora 06:15, me epiqendër 11 kilometra në lindje të Korçës dhe ishte me fuqi  3.0 shkallë të Rihterit.

Deri tani nuk u raportua për të lënduar apo dëme materiale.

Tërmet  me magnitudë prej 4.4 shkallë të Rihterit është regjistruar edhe të hënën derisa epiqendra e tij ishte rreth 50 kilometra larg Vlorës.

Continue Reading

Botë

Ish-presidenti francez Sarkozy nis dënimin me burgim

Published

on

Nicolas Sarkozy është kthyer në ish-presidentin e parë të Francës që përfundon në burg.

Dënimi i tij me burgim pesëvjeçar ka nisur të martën, pasi është shpallur fajtor se ka komplotuar për të financuar fushatën e tij zgjedhore me paratë e ish-diktatorit të Libisë, Muammar Gaddafi.

Hera e fundit që i ka ndodhur diçka e ngjashme Francës ka qenë viti 1945, kur ishte burgosur lideri kolaboracionist nazist Philippe Petain me akuzat për tradhti gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Sarkozy, i cili ka qenë president në periudhën 2007-2012, do të qëndrojë në burgun La Sante në një qeli prej 9 metrash katrorë.

Më shumë se 100 persona janë parë duke qëndruar para burgut, pasi djali i tij, Louis, 28-vjeçar, u ka bërë thirrje mbështetësve që të tregojnë përkrahje.

Sarkozy është deklaruar vazhdimisht i pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi të.

Ndonëse ai ka thënë se nuk dëshiron trajtim special në burgun La Sante, autoritetet e kanë ndarë atë në një qeli të veçantë për çështje të sigurisë.

Brenda qelisë, ish-presidenti do të ketë banjon, zonën për dush dhe një televizor të vogël. Përgjatë ditës, atij do t’i lejohen ushtrime brenda një ore në ambiente të jashtme.

“Nuk jam i frikësuar nga burgjet. Do ta mbaj kokën lart edhe në ambientet e burgut”, ka thënë ai në hyrje të ndërtesës së burgut.

Mes tjerash, ai ka thënë se do t’i marrë me vete dy libra, njërën për jetën e Krishtit dhe tjetrën për Kontin e Monte Kristos, e cila ka të bëjë me jetën e një burri të burgosur gabimisht, i cili arratiset për t’u hakmarrë ndaj prokurorëve të tij.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending