Connect with us

Lajme

SHBA sanksionon ish-drejtorin e prokurimit në Ministrinë e Tregtisë, Nexhat Krasniqi

Published

on

Departamenti amerikan i Shtetit ka vendosur në listën e sanksioneve Nexhat Krasniqin, ish-drejtorin e Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, për shkak të përfshirjes në korrupsion të madh.

Sipas njoftimit, atij do t’i ndalohet hyrja në SHBA.

“Si zyrtar publik përgjegjës për mbikëqyrjen e kontratave të prokurimit, Krasniqi ka abuzuar me postin e tij publik duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të parkut industrial në komunën e Drenasit nga kompania Eltoni”, u tha në njoftim.

Sipas DASH-it, veprimet e sotme të SHBA-së dëshmojnë se Uashingtoni qëndron me ata në Kosovë që kërkojnë përgjegjësi nga zyrtarët e korruptuar publikë.

“Ky vendim riafrimon përkushtimin e SHBA-së për luftimin e korrupsionit që dëmton interesat publike, pengon prosperitetin ekonomik të shteteve dhe zvogëlon aftësitë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të shtetasve të tyre”.

Po ashtu, nën sanksione janë vendosur edhe fëmijët e Krasniqit, Aulona dhe Olti Krasniqi të cilëve po ashtu nuk do t’iu lejohet hyrja në SHBA.

Në vitin 2015, Krasniqi u dënua me 26 muaj burgim pasi u gjet fajtor për keqpërdorim të detyrës zyrtare në rastin e Parkut të Biznesit në Drenas.

Krasniqi kishte qenë edhe në departamentin e prokurimit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Emri i Krasniqit ishte përmendur edhe në rastin gjyqësor për keqpërdorime në Ministrinë e Telekomunikacionit kur atë e drejtonte Fatmir Limaj. Në aktakuzë dyshohej se Krasniqi dhe Limaj kishin krijuar një grup të organizuar kriminal dhe kishin keqpërdorur autoritetin zyrtar dhe kishin marrë ryshfet duke favorizuar një kompani në procesin e prokurimit. Por, Krasniqi ishte liruar nga akuzat.

Ndryshe, Parku i Biznesit – për dhënien e lejes së ndërtimit u sanksionua Krasniqi – është krijuar më 2010. Sipas ueb-faqes së Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për ndërtimin e saj ka investuar edhe kjo ministri. Aktualisht, aty thuhet se janë të vendosura 41 biznese të sektorëve të ndryshëm. /REL/

Ferizaj

Policia në Ferizaj konfiskon mbi 4.6 kg kokainë dhe arreston katër të dyshuar

Published

on

Hetuesit policorë nga Njësia e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik (DHTN) në Ferizaj, ka arrestuar katër persona derisa edhe dy të tjerë janë në kërkim, të dyshuar për posedim dhe trafikim të lëndëve narkotike.

Gjatë realizimi të aksionit janë konfiskuar 4.62 kilogramë të substancës që dyshohet të jetë kokainë, një pistoletë me 14 fishekë, celularë, para në valuta të ndryshme dhe disa mjete motorike.

Në njoftimin e policisë thuhet se të arrestuar janë A.L., (mashkull, shtetas i Shqipërisë, viti i lindjes 1973), M.B., (mashkull, shtetas i Shqipërisë, viti i lindjes 1971), A.B., (mashkull, kosovar, viti i lindjes 1997) dhe A.B., (mashkull, kosovar, viti i lindjes 1993).

Të dyshuarit, pas intervistimit me aktvendim nga prokuroria janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Njoftimi i plotë:

#

Continue Reading

Arbëri

Hetohen rrethanat e rrëzimit të aeroplanit sportiv në liqenin e Mavrovës

Published

on

Komiteti për Hetimin e Aksidenteve Ajrore dhe Incidenteve Serioze (KHAAIS) ka nisur hetim pasi dy shtetas të Kosovës, janë lënduar kur aeroplani i vogël sportiv me të cilin po fluturonin, u rrëzua në Liqenin e Mavrovës më 12 dhjetor.  

Kryetari i këtij komiteti, Marjan Prposki, në deklaratën për Agjencinë Maqedonase të Informimit (MIA),  tha se ekuipazhi i avionit nuk ndodhet në rrezik për jetën. Sipas tij, pas njoftimit për rrëzimin e aeroplanit sportiv, dje rreth orës 12:30, ekipet emergjente kanë dalë menjëherë në terren dhe kanë filluar hetimet.

“Avioni është në pronësi private dhe ka targa regjistrimi amerikane. Ekuipazhi nuk është në rrezik për jetën,” deklaroi Prposki, duke paralajmëruar se më shumë informacione nga hetimi do të publikohen në ditët në vijim.

 “Sipas raportimit, nga avioni në tokë kanë arritur të dalin dy shtetas të Kosovës, J.P. (41) dhe D.M. (64), i cili drejtonte mjetin fluturues. Ata kanë pësuar lëndime dhe janë transportuar në spitalin e Gostivarit për trajtim mjekësor,” deklaroi zëdhënësi i SPB Tetovë, Fatmir Rexhepi.

Pronari i aeroplanit “Piper 28”, shtetasi kosovar  D.M. u tha zyrtarëve policorë se për shkak të një problemi me motorin është detyruar të ulet në liqenin e Mavrovës.

Continue Reading

Kosovë

Kosova u dërgon ndihma humanitare palestinezëve në Rripin e Gazës

Published

on

Një anije me ndihma humanitare nga Kosova për palestinezët në Gazën e shkatërruar nga lufta është nisur nga porti i Mersinit në Turqi drejt enklavës palestineze, njoftoi të shtunën kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Në një njoftim në Facebook, Kurti tha se dërgesa në vlerë prej 500 mijë eurove përfshin tenda, pako ushqimore, batanije dhe 158 mijë racione të ushqimit të ngrohtë për banorët në nevojë.

Qeveria e Kurtit i kishte ndarë të hollat për këtë dërgesë humanitare në janar, por dërgimi i tyre u bë i mundur vetëm tani, tha Kurti, pas armëpushimit të arritur në tetor, me ndërmjetësimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe fuqi të tjera – është zbatuar pothuajse plotësisht që nga tetori, por lufta e ka shkatërruar një pjesë të madhe të infrastrukturës së Gazës dhe kushtet e jetesës janë tejet të rënda.

Zyrtarë të Kombeve të Bashkuara dhe palestinezë thanë se nevojiten urgjentisht të paktën 300.000 tenda të reja për rreth 1.5 milionë njerëz që vazhdojnë të jenë të zhvendosur brenda enklavës.

Kurti tha se kjo ndihmë humanitare “përfaqëson angazhimin e Kosovës si pjesë e solidaritetit ndërkombëtar dhe përkushtimin tonë për të mbështetur popullatën civile që po përballet me vështirësi tejet të mëdha në Gazë”.

Lufta në Gazë u shkaktua nga sulmi i 7 tetorit 2023 nga grupi militant palestinez Hamas në Izrael, ku u vranë 1.200 njerëz dhe u rrëmbyen 251 të tjerë.

Lufta hakmarrëse e Izraelit në Gazë prej atëherë ka vrarë mbi 70.000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending