Connect with us

Kosovë

Pakicat joserbe i kërkojnë Kushtetueses të hedhë poshtë ankesën e Listës Serbe

Published

on

Grupi multientik, që përbëhet nga deputetë të komuniteteve joshumicë joserbe, i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese që të mos e marrë për bazë ankesën e Listës Serbe lidhur me çështjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, u ankua në Kushtetuese për votimin ndaras të nënkryetarit serb.

Elbert Krasniqi, përfaqësues i këtij grupi, në një konferencë për media, tha se ndarja e votimit e nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë, është bërë në përputhje me Rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën.

“Kemi kërkuar nga Kushtetuesja që të mos marrë për bazë ankesën e Listës Serbe sepse kjo do të prishte balancën e respektimit të të drejtave të të gjitha komuniteteve joshumicë dhe përfaqësimit në institucionet e vendit”, tha Krasniqi, i cili njëherësh është ministër në detyrë i Pushtetit Lokal.

Sipas tij, Emilija Rexhepi – që u propozua nga komunitetet joserbe – u zgjodh nënkryetare e Kuvendit me 73 vota për dhe tha se nuk beson se Kushtetuesja do të kontestojë zgjedhjen e saj.

“Ne vlerësojmë se Kuvendi duhet të vazhdojë punën dhe asnjë komunitet nuk mund të shfrytëzojë ulëset e garantuara për të sjellë bllokadë, aq më tepër Lista Serbe e cila njërën këmbë e ka në Beograd, e tjetrën në Prishtinë”, tha Krasniqi.

Krasniqi, që vjen nga komuniteti egjiptian, tha se Kosova është ndërtuar në frymën multietnike, të përfaqësimit afirmativ duke mbrojtur të drejtat e secilit komunitet.

“Pra, janë të drejta që na mundësojnë zhvillim të përbashkët dhe këto të drejta nuk duhet të përdoren si veto që mundësojnë bllokadë të njëanshme. Pikërisht për këtë arsye ne u jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese me komentet tona lidhur me ankesën e Listës Serbe për të kumtuar se procedurat e zhvilluar deri më tani kanë qenë të rregullta dhe gëzojnë legjitimitet të plotë demokratik”, tha ai.

Krasniqi tërhoqi paralele mes situatës në Kosovë me atë në Bosnjë e Hercegovinë, ku tha se e drejta e një pakice është tentuar që të shndërrohet në bllokadë.

“Pra, përvoja e Bosnjës është dëshmia e duhur se çfarë pasojash të rënda sjell një sistem ku pakica parlamentare ka në duar të drejtën e vetos dhe bllokon funksionimin e shtetit”, tha ai.

Ankesa e Listës Serbe në Kushtetuese erdhi pasi kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha, i hodhi në votim ndaras kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga komuniteti pakicë joserb dhe serb.

Gjykata Kushtetuese javën e kaluar theksoi se – pa u vlerësuar dyshimet e ngritura nga Lista Serbe për shkelje kushtetuese në seancat e 26 dhe 28 gushtit – “është e domosdoshme që të ndalohen të gjitha veprimet e mëtejme drejt zgjedhjes së Qeverisë dhe vazhdimit të punës së Kuvendit”.

Masa e saj do të jetë në fuqi deri më 30 shtator.

Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj për masë të përkohshme, u ka mundësuar palëve të përfshira në këtë lëndë – përfshirë edhe deputetët – të dorëzojnë komente dhe dokumente relevante deri më 9 shtator.

Pas komenteve dërguar Gjykatës Kushtetuese presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se funksionalizimi i Kuvendit të Kosovës nuk duhet të bllokohet nga mungesa e një nënkryetari, si dhe e kritikoi Listën Serbe se po “synon” ta bllokojë formimin e institucioneve të vendit.

Kërkesë për mospranimin e çështjes së dërguar në Kushtetuese nga Lista Serbe ka bërë edhe Lëvizja Vetëvendosje, partia fituese e zgjedhjeve të shkurtit.

Lista Serbe, e cila në Kuvend ka 9 nga 10 vendet e rezervuara për serbët, këmbënguli ta propozonte vetëm Sllavko Simiqin edhe pasi ai dështoi t’i merrte 61 votat e nevojshme pas tri rundeve të lejuara të votimit.

Kur ajo nuk pranoi të propozonte dikë tjetër për nënkryetar, Basha vendosi të hidhte short, sipas Rregullores së punës së Kuvendit, për të nxjerrë një emër tjetër nga komuniteti serb.

Përveç të gjithë deputetëve të Listës Serbe, për këtë post u propozua edhe Nenad Rashiq nga partia serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, i cili është edhe ministër në detyrë në Qeverinë e Albin Kurtit. As Rashiq nuk i mori votat e nevojshme.

Basha e shpalli njëanshëm të përfunduar konstituimin e Kuvendit, pavarësisht moszgjidhjes së nënkryetarit të pestë nga komuniteti joshumicë serb.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, asnjëra parti nuk fitoi vota të mjaftueshme për të krijuar vetë institucionet. Lëvizja Vetëvendosje doli e para dhe fitoi 48 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës doli e dyta me 24 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës e treta me 20, pasuar nga Lista Serbe me 9 dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla.

Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave.  

| Radio Evropa e Lirë

Kosovë

Suspendohen 11 zyrtarë policorë, kryeprokurorja e Pejës dhe prokurorja e rastit të Zekajt

Published

on

Një kryeprokurore, një prokurore dhe 11 zyrtarë policorë janë pezulluar lidhur me mënyrën se si ishin marrë me rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra nga kunati i saj, më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.

Kështu, Këshilli Prokurorial i ka suspenduar sot nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj si dhe prokuroren e rastit të Zekajt,  Arlinda Nallbani Gacaferrin.

Ndaj tyre, Këshilli Prokurorial ka vendosur të iniciohen procedura disiplinore. Gjithashtu, Këshilli Prokurorial mori vendim që të caktojë Valbona Disha-Haxhosaj për Ushtruese të Detyrës së Kryeprokurorit në Prokurorinë Themelore në Pejë .

Kurse, Policia e Kosovës njoftoi se janë pezulluar 11 zyrtarë policorë lidhur me trajtimin e rastit të Zekajt. Ndaj tyre është duke u zhvilluar një hetim paraprak nga Inspektorati Policor i Kosovës me rekomandimin e të cilit, nga detyra u pezulluan ushtruesi i detyrës së drejtorit Rajonal në Pejë, Agron Hasanaj, komandanti i Stacionit Policor në Pejë, Faik Jahmurataj, zëvendëskomandanti, shefi i Sektorit të Hetimeve, ushtruesi i detyrës së shefit të sektorit të operativës, komandanti i nënstacionit në Vitomiricë dhe katër hetues policorë.

“Suspendimet janë bërë në interes të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përgjegjësive individuale, në trajtimin e rastit. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e vlerave, integritetit dhe shërbimit në mënyrë të drejtë e të paanshme, si dhe do të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha institucionet relevante”, thuhet në njoftim të Policisë.

Continue Reading

Kosovë

Me kërkesa për dorëheqje dhe përgjegjësi penale mbahet protesta për vrasjen e Arlinda Zekajt

Published

on

Në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë ka filluar protesta e organizuar Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist në Prishtinë pas vrasjes së Arlinda Zekajt, nga ish-kunati i saj.

Me pankartat dhe thirrjet ““Gjumi s’ka me iu marrë, flaka ka me iu dalë” protestuesit, të cilëve iu bashkuan edhe familjarët e të ndjerës, marshuan drejt Ministrisë së Drejtësisë, Policisë dhe Qeverisë së Kosovës me kërkesë për përgjegjësi dhe llogaridhënie për të gjithë zinxhirin institucional që nuk trajtuan si duhet rastin e Arlinda Zekajt.

Para Ministrisë së Drejtësisë ata kanë kërkuar dorëheqjen e ministrave Donika Gërvalla dhe Xhelal Sveçla.

Ndërkohë, policia e Kosovës ka publikuar një video të arrestimit të Albert Sylës, të dyshuarit për vrasjen e Arlinda Zekajt. Ai u arrestua mbrëmjen e 27 tetorit.

Continue Reading

Kosovë

Kurti për vrasjen e Arlinda Zekajt: Qartazi ka pasur një zinxhir sistemor lëshimesh nga institucionet

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt qartazi shihet se ka pasur një “zinxhir sistemor lëshimesh” nga institucionet përgjegjëse për sigurinë dhe drejtësinë.

Gjatë mbledhjes së ekzekutivit të mbajtur më 28 tetor, Kurti tha se kjo vrasje, e paralajmëruar nga vetë viktima, “nuk kishte se si të përfundonte ndryshe”.

“Kjo e bën edhe më të pafalshme situatën”, tha ai.

Në orët e vona të 27 tetorit, Policia e Kosovës ka arrestuar në Deçan dorasin e dyshuar, kunatin e Zekajt.

Ajo u vra pranë shtëpisë së saj në Vitomiricë të Pejës mbrëmjen e 25 tetorit, pak pasi kishte raportuar në polici dhunë në familje nga ish-bashkëshorti i saj.

Kurti tha se në Kosovë, drejtësia “fatkeqësisht nuk është në mbrojtje të të dobëtit, përkundrazi drejtësia ka dalë në krahun e të fortit”. Sipas tij, drejtësia në Kosovë vazhdon të jetë e shtrembër.

“Republika e Kosovës nuk ka më nevojë për asnjë provë që të konstatojë se është urgjencë kombëtare drejtimi i drejtësisë”, tha ai.

Kurti kujtoi se për rastin e Zekajt, Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme kanë afat deri nesër në orën 18:00 të paraqesin raportet e tyre të detajuara mbi evidencat dhe lëshimet në secilin zinxhir të institucioneve.

Gjatë ditës, është thirrur një protestë për vrasjen e Zekajt, e cila është gruaja e tetë që vritet gjatë këtij viti.

Zekaj kishte kërkuar vazhdimisht ndihmë nga institucionet. Ajo i ishte drejtuar autoriteteve duke thënë se qysh në dhjetor të vitit të kaluar, bashkëshorti i saj, prej të cilit ishte ndarë, e kishte kërcënuar me jetë.

Autoritetet më vonë kishin lëshuar urdhër mbrojtjeje dhe kishin vendosur që përkohësisht kujdestaria e fëmijës së mitur të çiftit t’i kalonte Zekajt.

Autoritetet po ashtu kishin urdhëruar që bashkëshorti të mos i afrohej, teksa kishin vendosur se ajo mund të qëndronte në shtëpinë e përbashkët të çiftit.

Dy ditë para vrasjes, Arlinda Zekaj përmes një letre i ishte ankuar kryeprokurores së Pejës për mënyrën e trajtimit të rastit të saj dhe moszbatimit të vendimit gjyqësor.

Sipas Prokurorisë, prokurori kujdestar vlerësoi se kthimi i menjëhershëm në shtëpi mund t’ia rrezikonte jetën. Ai e udhëzoi të qëndronte te vëllezërit dhe planifikon që kthimi i saj në shtëpi të bëhej me shoqërim policor.

Në ditën e vrasjes, Arlinda Zekaj e bëri denoncimin e fundit për dhunë në familje. Bashkëshorti i saj, prej të cilit ishte ndarë, u ndalua për 48 orë, teksa ajo këmbënguli që në përputhje me vendimin gjyqësor të kthehej në shtëpinë e përbashkët.

E pyetur nëse ndihet e sigurt në shtëpi, duke qenë se aty ndodheshin familjarët e bashkëshortit, ajo e pranoi se siguria e saj mbetej e cenuar, por këmbënguli në të drejtat e saj.

Pak minuta pasi Policia e shoqëroi në shtëpi, Arlinda Zekaj dyshohet se u vra me sëpatë nga kunati i saj.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending