Nismës humanitare të ndërmarrë nga
Sylejman Neziri dhe disa organizata joqeveritare në Ferizaj, për grumbullimin e
fondeve për ndërtimin e shtëpisë për një familje skamnore në Ferizaj, i janë bashkëngjitur
për ndihmë edhe punime të artit, ku fondet nga shitja e tyre do të shkojnë për
këtë nismë. Për rrjedhën e aktivitetit tregon Arbenita Topalli, nga këshilli
organizativ i “Shtëpisë së Bamirësisë”.
“Përveç grumbullimit të mjeteve financiare për ndërtimin e një shtëpie,
ne kemi arritur të ofrojmë që shumë të rinj e të reja që të kontribuojnë edhe
ata, të japin kontributin e tyre, jo vetëm duke blerë produkte dhe shërbime të
cilat ne po i ofrojmë këtu në sheshin “Adem Jashari” gjithashtu ata po ofrojnë
edhe punime të tyre, po ofrojnë edhe njerëz vullnetarë për të dhënë kontributin
e tyre në forma të ndryshme. Këtu mund të theksojmë gjithashtu se janë afruar
edhe të rinj të cilët kanë qenë të angazhuar dhe janë fondacion i Sektorit të
Rinisë ku i kanë punuar këto piktura të cilat i kanë ofruar në shitje dhe mjetet
të cilat do të grumbullohen do të shkojnë për qëllimin tonë bamirës’’, tha ajo.
Topalli, bëri thirrje tek qyetarët që
të blejnë këto punime në mënyrë që të grumbullohen sa më shumë mjete financiare
për bamirësi.
‘‘Ne i inkurajojmë që ata artdashës të cilët janë të afrohen, të blejnë
pikturat edhe përveç që blejnë pikturat ata gjithashtu e dhurojnë kontributin e
tyre në grumbullimin e mjeteve për çështjen e bamirësisë”, theksoi Arbenita Topalli.
Në ”Shtëpinë e Bamirësisë” e cila po
qëndron para objektit të Komunës së Ferizajt që nga 24 tetori i këtij viti,
mund të pish kafe dhe të blesh gjëra ushqimore ku paratë nga shitja e tyre
grumbullohen për bamirësi. Deri në fund
të muajit aty planifikohet të organizohen edhe aktivitetet të ndryshme siç
është nata e filmit, nata e sportit, nata e muzikës.