Connect with us

Art & Showbiz

Shpallen fituesit e Bienalit të Vizatimit

Published

on

Galeria e Arteve në Ferizaj në bashkëpunim me Shoqatën e Artistëve Figurativ “Zef Kolombi”, kanë publikuar emrat fitues të piktorëve më të mirë në hapjen e ekspozitës së edicionit të katërt të Bienalit të Vizatimit. Autorët kanë mundur të aplikojnë me më shumë se një punim me shprehje të lirë të vizatimit. Nga aplikuesit në këto gara, çmimin e vendit të parë e mori Vehbi Murati nga Lipjani, ndërsa  Albulen Neziri nga Peja u shpërblye me çmimin e vendit të dytë, kurse Rudolf Faja nga Shqipëria me çmimin e vendit të tretë.

Fituesi i vendit të parë në Bienalin e Vizatimit, Vehbi Murati, tregoi për inspirimin e punimeve të tij, duke thënë se ky çmim e shtynë të vazhdoj më tutje.

“Është një çmim i cili më shtynë të vazhdoj një punë më të gjatë, edhe kur kam qenë si student kam qenë student i dalluar në lëndën e vizatimit, jam shpërblyer nga Fakulteti i Arteve dhe me këtë rast dua ta cekë se Ferizaj prapë e ka gjetur një vizatim i cili është vlerësuar edhe nga profesorët edhe të akademive tjera. Këto punime realisht janë në vazhdën e pikturave të cilat unë i kam realizuar kohëve të fundit dhe paraqesin braktisjen e materiales dhe shpirtit. Realisht kemi disa tjegulla të cilat janë të lëna, të papërdorura, të cilat në një mënyrë asocojnë me gjendjen të cilën ne e kemi kaluar si shoqëri, po ashtu është një grumbull i librave të cilat në aspektin mendor janë të diskriminuara”, tha Vehbi Murati.

Ndërkaq, Rubi Mandija nga Shqipëria, që ishte anëtar i jurisë në këtë Bienal të Vizatimit, tha se vizatimi është një art i jashtëzakonshëm i shprehjes.

“Vizatimi është një art i jashtëzakonshëm, është arti me të cilin ne të gjithë e kemi filluar, si piktorët, si skulptorët, si arkitektët, është vizatimi me të cilin të gjithë njerëzit në fakt në jetën e tyre të paktën në fëmijëri e kalojnë dhe është një art me të cilin mbetet edhe në epokën bashkëkohore, vazhdon të ruaj atë peshë të rëndësishme që ka pasur gjatë gjithë historisë së artit”, tha Rubi Mandija.

Kuratori i këtij edicioni të Bienalit të Vizatimit, Jetullah Sylejmani, tha se punimet kanë qenë me kode dhe pa emra për korrektësi në zgjedhjen e fituesëve.

“Ky format ka sjellur forma të ndryshme të shprehjes si një gjuhë individuale e secilit artist i cili përmes gjuhës së tij ka sjellur qoftë botën e tij emocionale, qoftë atë konceptuale, ku në shumë vizatime shohim edhe trajtimin e shumë fenomeneve të ndryshme me të cilat ballafaqohemi ne si shoqëri”, tha Jetullah Sylejmani”.  

Në hapjen e kësaj ekspozite kishte vizitorë të shumtë.  Njëri nga ta ishte edhe piktori nga Ferizaj, Habib Musliu, i cili u shpreh krenar për punimet e autorëve.

“Ndihem krenar sepse i shoh të rinjtë, fëmijët tanë që nuk kanë stagnuar por që mund të krahasohen me talentët botëror, këtë e them me të vërtetë sepse ka shumë talentë, sidomos Ferizaj është i dalluar për art, janë disa kurse private që mbahen këtu dhe e shoh pak apo shumë i përcjelli, ka kaq nxënës të talentuar që me të vërtet të lënë pa mend”, tha Habib Musliu.

Në shpalljen e fituesëve ishte prezente drejtoresha e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit në Ferizaj, Xhemile Murati-Shabani, e cila tha se artistët gjithmonë do të kenë përkrahje nga drejtoria që ajo udhëheq.

“Komuna e Ferizajt po shënon rritje të aktiviteteve në vazhdimësi dhe kjo rritje nuk është vetëm për nga sasia, por edhe nga cilësia, sepse konsiderohet që komuna e Ferizajt po realizon mjaft aktivitete të mirëfillta dhe padyshim që ka gjetur përkrahjen e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në komunën e Ferizajt”, tha Xhemile Murati- Shabani.

Garat e Bienalit të Vizatimit kanë pasur karakter ndërkombëtar ku kanë aplikuar autorë nga vende të ndryshme si Gjermania, Greqia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Për pjesëmarrje në këtë edicion kanë aplikuar 46 artistë prej të cilëve 32 janë përzgjedhur si pjesëmarrës, ndërsa kanë qenë 119  vepra konkurruese, nga të cilat juria ka përzgjedhur 54 vepra dhe ka refuzuar 65 të tjera.

Pjesëtarë të jurisë ishin profesor Nehat Beqiri nga Maqedonia e Veriut, profesor doktor Rubi Mandija nga Shqipëria dhe profesor doktor Zeni Ballazhi nga Kosova.

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Art & Showbiz

Nis edicioni i 55-të jubilar i Festivalit të Teatrove Ferizaj

Published

on

Nga sot deri më 7 shtator 2025, në Ferizaj do të mbahet Festivali i Teatrove, i cili sivjet  shënon edicionin e 55-të jubilar.  

Hapja zyrtare e festivalit bëhet nga ora 19:00 me shfaqjen “13” me regji të Sulejman Rushitit, në teatrin “Adriana”, derisa ditëve në vijim, para publikut ferizajas,do të  prezantohen disa shfaqje të prodhuara dhe ngjarje të veçanta nga konceptet “Retroteatri” dhe “FTF Skena”.

Festivali i Tetarove Ferizaj, është prej festivaleve më të vjetra në Kosovë, i cili që nga viti 1970, përmes shfaqjeve nga vende të ndryshme jo vetëm vendore por edhe ndërkombëtare, bashkon profesionistë të teatrit dhe artdashës.

Hapjes zyrtare të festivalit do t’i paraprijë shfaqja për të rinj “Black Box” të cilën artdashësit mund ta shohin në Galerinë e qytetit të Ferizajt.

Këtë vit, në programin zyrtar të festivalit, do të jenë shfaqjet:  “13” (më 1 shtator), “Bëje ose vdis” (2 shtator), “Djali” (3 shtator), “Hijet e Kohës” dhe “Komedia e zezë” (4 shtator), “God blesh America” (5 shtator), “Kjo është rinia jonë” dhe  “PRISHTINA. Vrasja e paralajmëruar e një ëndrre” (6 shtator) si dhe shfaqja “Të vërtetat tona”  (7 shtator).

Ky edicion jubilar i festivalit do të përmbyllet më 7 shtator, me shfaqjen jashtë konkurrence “Të bardhët”.

Tradicionalisht, çdo ditë të festivalit organizohen edhe debate për teatrin, punëtori krijuese me artistë ndërkombëtar dhe ndeja pas çdo shfaqjeje në oborrin e Teatrit.

Continue Reading

Art & Showbiz

Posta lëshon në qarkullim pullën postare me figurën e regjisorit Bekim Lumi

Published

on

Posta e Kosovës ka njoftuar se përmes Filatelisë së saj ka lëshuar sot në qarkullim emisionin e pullave postare në nderim të figurës dhe veprës së regjisorit dhe pedagogut të mirënjohur kosovar, Bekim Lumi.

Në njoftimin e shpërndarë përmes rrjeteve sociale, Posta e Kosovës ka përmbledhur në pika të shkurtra gjithë veprimtarinë dhe kontributin artistik dhe pedagogjik të Bekim Lumit, i cili ndërroi jetë në vitin 2018 pas një sëmundje të rëndë.

“Bekim Lumi (1966-2018) la gjurmë të pashlyeshme në skenën teatrore dhe në edukimin artistik në Kosovë, si regjisor vizionar dhe avangardë, por edhe si pedagog i përkushtuar në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Me regji të guximshme dhe qasje bashkëkohore, teatrit shqiptar i dha një frymë të re, prandaj me të drejtë konsiderohet si njëri ndër regjisorët më të vlerësuar në fushën e teatrit shqiptar.

Prej vitit 2006 deri më 2010, ai nxori revistën teatrore “Loja”. Me shfaqjet e tij ka marrë pjesë në dhjetëra festivale teatrore me rëndësi kombëtare e ndërkombëtare, si në: Zvicër, Francë, Gjermani, Itali, Greqi, Rumani, Bullgari, Bosnjë e Hercegovinë, e në vende të tjera.

Për punën e tij regjisoriale është shpërblyer me shumë çmime, ndër të cilat veçohet ai i vitit 2006, kur në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Lugano të Zvicrës, për shfaqjen “Mësimi” të realizuar në Teatrin “Dodona”, fitoi çmimin kryesor ”Shfaqja më e mirë”.

Po ashtu, në vitin 2016 u nderua nga Ministria e Kulturës së Kosovës me çmimin vjetor “Regjisor i vitit”. Për shfaqjen e tij “Arturo Ui”, më 2019, Lumi u nderua nga MKRS-ja me shpërblimin “Regjia më e mirë e vitit” dhe shfaqja u shpall “Shfaqja më e mirë e vitit”.

Më 2023, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e dekoroi Bekim Lumin post mortum me Medaljen Presidenciale të Meritave në fushën teatrore.

Bekim Lumi, si pedagog dhe profesor, ishte figurë formuese e brezave të aktorëve të rinj dhe regjisorëve, duke dhënë një kontribut të çmuar në edukimin artistik dhe skenik në vend.

Pas vdekjes së tij, Qendra Multimedia i ka botuar veprat, si: “Shakespeare-i dhe Kanuni  i Lekë Dukagjinit” 2019, një studim krahasues, librin me poezi “Engjëlli blu” 2021, si dhe librin “Loja e Bekim Lumit”, kritika, shqyrtime dhe shënime.

Figura dhe veprat e Bekim Lumit vazhdojnë të mbesin inspirim për brezat që vijnë”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Postës së Kosovës

Continue Reading

Art & Showbiz

Për Imamin, fotografia e mirë “gatuhet” para shkrepjes

Published

on

Fotografimi nuk është thjesht shkrepje. Për Rromir Imamin është vetëm kurorëzimi i një përpjekjeje të gjatë, që në vete përfshin tri procese të ndryshme. Harmonizimi i tyre paraqitet në portrete, që janë specialiteti artistik i fotografit shkupjan, por që jeton e punon në Zvicër.

“Portreti është bashkëpunim, vallëzim ose dyluftim. Domethënë ma merr mendja që në fotografi, sikur se edhe në zhanret e tjera, i kanë sfidat e veta, por fotografimi i personave ngërthen në vete shumë më tepër sesa vetëm njohuri teknike për fotografinë”, thekson Imami, teksa u referohet fjalëve përmbledhëse të fotografit britanik të portretit dhe dokumentaritetit, Platon. Pjesë të shprehjeve të tij, Imami ua ka transmetuar në fundjavë edhe një grupi të vogël të rinjsh që kanë marrë pjesë në punëtorinë e mbajtur në sallën e Galerisë së Arteve në kuadër të edicionit të dymbëdhjetë të festivalit ndërkombëtar të filmave të shkurtër, Ferfilm Fest, që ka nisur më 2 maj dhe përfundon sonte me ceremoninë e ndarjes së çmimeve në orën tetë në sallën e teatrit “Adriana” në Ferizaj.

“Domethënë edhe gatishmëria që të krijosh njëfarë ndërlidhjeje me personin me të cilin e fotografon, jo detyrimisht me subjektin, sepse disi e distancon kur i thua subjekt personit që e fotografon”, thekson Imami. “Në të shumtën e rasteve, kur vijnë personat para aparatit, është sfiduese. Edhe unë e kam të vështirë para aparatit. Dalja para tij i ka ato sfidat e veta”.

Rromir Imami ne Ferfilm

“Dyluftim”

Gjatë punëtorisë, Imami, me prejardhje nga Struga, u ka lëshuar pjesëmarrësve copëza dokumentarësh për punën e fotografëve më të njohur të botës, duke përfshirë edhe intervista të tyre para, gjatë e pas procesit të punës. Janë alamet fotografësh që përdorin teknika të ndryshme për t’i përgatitur subjektet para “ngrirjes” së çasteve, që nuk reflektojnë vetëm pamjen e jashtme, por spikasin edhe gjendjen e tyre të brendshme emocionale.

Ka aso që preferojnë të jenë, sikurse thonë fotografët, pjesëmarrës në fotografi, duke bashkëpunuar me personat para aparatit, dhe të tjerë që konsiderohen vrojtues e të cilët i shkrepin aparatet pa u vërejtur nga të fotografuarit.

Imami, i cili ka goxha përvojë me shkrepjen e portretizimin fotografik të personave të zgjedhur nga fondacione të ndryshme derisa ndihmohen të ndërrojnë vende pune, ose të riintegrohen në shoqëri për shkak të përvojave të ndryshme që i kishin shkëputur më parë nga puna.

“Kjo ka qenë një prej përvojave më të jashtëzakonshme, për shkak se në të shumtën e rasteve është dyluftim në kuptimin që personat që vijnë aty, e kanë barrën e vetë të fatkeqësisë që iu ka ndodhur dhe ideja e atij portreti është një vazhdimësi e një procesi ku ata duhet të paraqiten para tregut të punës me një portret, me një prezencë, nuk them më të bukur, por them më të dinjitetshme”, thotë Imami.

Në të vërtetë gjatë gjithë intervistës, Imami ka theksuar kujdesin e tij të vazhdueshëm gjatë procesit të fotografimit për ta ruajtur dinjitetin e të fotografuarve.

“Shumicës nuk u pëlqen vetja në fotografi”

Dhe Imami thotë se në shumicën dërmuese të rasteve, personave të fotografuar nuk u pëlqen fotografia me pretendimin se nuk janë fotogjenikë. “Ose thonë se ‘e urrej aparatin’. Biles shkojnë deri në atë masë që thonë se ‘e urrej edhe vetveten'”, tregon Imami fjalët e të fotografuarve në projektet për riintegrimin e tyre në shoqëri.

Pavarësisht rezistencës së vazhdueshme të tyre, Imami luan me dritën për t’i paraqitur, sikur thotë, “në një dritë më të mirë”.

Imami bashkë me ta e bën përzgjedhjen e fotografisë më reprezentative. “Dhe është interesant se kur e shohin veten në fotografi, u rritet vetëbesimi, e shohin veten në një dritë tjetër dhe “ej, nuk dukem edhe aq keq'”.

Përtej shpagimit material për punën dhe përkushtimin profesional, ky ndryshim humori në mesin e të fotografuarve, e përmbush profesionalisht e emocionalisht Imamin. “Dhe kjo më bën edhe më tepër ta dashuroj fotografinë”, thekson ai, “sepse kur ata dalin prej studios, dalin me një përqindje, një ose dy për qind vetëbesim më të madh për vete, që për mua shkon përtej fotografisë teknike”.

Elemente të ngjashme spikaten edhe gjatë pjesëve të dokumentarëve të transmetuar me projektor, ku fotografët flasin gjerë e gjatë me figura të njohura botërore, si burrështetas superfuqish e fitues çmimesh Oscar, të cilët relaksohen me biseda për pasionet e qejfet e tyre, duke fuqizuar lidhjen me fotografin para se gjithçka të kurorëzohet me çastin e shkrepjes.

Rexhep Maloku

/TEMA/

Continue Reading

Trending