Galeria e Arteve në Ferizaj në
bashkëpunim me Shoqatën e Artistëve Figurativ “Zef Kolombi”, kanë publikuar
emrat fitues të piktorëve më të mirë në hapjen e ekspozitës së edicionit të
katërt të Bienalit të Vizatimit. Autorët kanë mundur të aplikojnë me më shumë
se një punim me shprehje të lirë të vizatimit. Nga aplikuesit në këto gara,
çmimin e vendit të parë e mori Vehbi Murati nga Lipjani, ndërsa Albulen Neziri nga Peja u shpërblye me çmimin
e vendit të dytë, kurse Rudolf Faja nga Shqipëria me çmimin e vendit të tretë.
Fituesi i vendit të parë në Bienalin
e Vizatimit, Vehbi Murati, tregoi për inspirimin e punimeve të tij, duke thënë
se ky çmim e shtynë të vazhdoj më tutje.
“Është një çmim i cili më shtynë të vazhdoj një punë më të gjatë, edhe
kur kam qenë si student kam qenë student i dalluar në lëndën e vizatimit, jam
shpërblyer nga Fakulteti i Arteve dhe me këtë rast dua ta cekë se Ferizaj prapë
e ka gjetur një vizatim i cili është vlerësuar edhe nga profesorët edhe të
akademive tjera. Këto punime realisht janë në vazhdën e pikturave të cilat unë
i kam realizuar kohëve të fundit dhe paraqesin braktisjen e materiales dhe
shpirtit. Realisht kemi disa tjegulla të cilat janë të lëna, të papërdorura, të
cilat në një mënyrë asocojnë me gjendjen të cilën ne e kemi kaluar si shoqëri,
po ashtu është një grumbull i librave të cilat në aspektin mendor janë të diskriminuara”, tha Vehbi Murati.
Ndërkaq, Rubi Mandija nga Shqipëria,
që ishte anëtar i jurisë në këtë Bienal të Vizatimit, tha se vizatimi është një
art i jashtëzakonshëm i shprehjes.
“Vizatimi është një art i jashtëzakonshëm, është arti me të cilin ne të
gjithë e kemi filluar, si piktorët, si skulptorët, si arkitektët, është
vizatimi me të cilin të gjithë njerëzit në fakt në jetën e tyre të paktën në
fëmijëri e kalojnë dhe është një art me të cilin mbetet edhe në epokën
bashkëkohore, vazhdon të ruaj atë peshë të rëndësishme që ka pasur gjatë gjithë
historisë së artit”,
tha Rubi Mandija.
Kuratori i këtij edicioni të Bienalit
të Vizatimit, Jetullah Sylejmani, tha se punimet kanë qenë me kode dhe pa emra
për korrektësi në zgjedhjen e fituesëve.
“Ky format ka sjellur forma të ndryshme të shprehjes si një gjuhë
individuale e secilit artist i cili përmes gjuhës së tij ka sjellur qoftë botën
e tij emocionale, qoftë atë konceptuale, ku në shumë vizatime shohim edhe
trajtimin e shumë fenomeneve të ndryshme me të cilat ballafaqohemi ne si
shoqëri”, tha
Jetullah Sylejmani”.
Në hapjen e kësaj ekspozite kishte
vizitorë të shumtë. Njëri nga ta ishte
edhe piktori nga Ferizaj, Habib Musliu, i cili u shpreh krenar për punimet e
autorëve.
“Ndihem krenar sepse i shoh të rinjtë, fëmijët tanë që nuk kanë stagnuar
por që mund të krahasohen me talentët botëror, këtë e them me të vërtetë sepse
ka shumë talentë, sidomos Ferizaj është i dalluar për art, janë disa kurse
private që mbahen këtu dhe e shoh pak apo shumë i përcjelli, ka kaq nxënës të
talentuar që me të vërtet të lënë pa mend”, tha Habib Musliu.
Në shpalljen e fituesëve ishte
prezente drejtoresha e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit në Ferizaj, Xhemile
Murati-Shabani, e cila tha se artistët gjithmonë do të kenë përkrahje nga
drejtoria që ajo udhëheq.
“Komuna e Ferizajt po shënon rritje të aktiviteteve në vazhdimësi dhe kjo
rritje nuk është vetëm për nga sasia, por edhe nga cilësia, sepse konsiderohet
që komuna e Ferizajt po realizon mjaft aktivitete të mirëfillta dhe padyshim që
ka gjetur përkrahjen e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në komunën e
Ferizajt”, tha
Xhemile Murati- Shabani.
Garat e Bienalit të Vizatimit kanë
pasur karakter ndërkombëtar ku kanë aplikuar autorë nga vende të ndryshme si
Gjermania, Greqia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Për pjesëmarrje në këtë
edicion kanë aplikuar 46 artistë prej të cilëve 32 janë përzgjedhur si
pjesëmarrës, ndërsa kanë qenë 119 vepra
konkurruese, nga të cilat juria ka përzgjedhur 54 vepra dhe ka refuzuar 65 të
tjera.
Pjesëtarë të jurisë ishin profesor Nehat Beqiri nga Maqedonia e Veriut, profesor doktor Rubi Mandija nga Shqipëria dhe profesor doktor Zeni Ballazhi nga Kosova.
Fotografimi nuk është thjesht shkrepje. Për Rromir Imamin është vetëm kurorëzimi i një përpjekjeje të gjatë, që në vete përfshin tri procese të ndryshme. Harmonizimi i tyre paraqitet në portrete, që janë specialiteti artistik i fotografit shkupjan, por që jeton e punon në Zvicër.
“Portreti është bashkëpunim, vallëzim ose dyluftim. Domethënë ma merr mendja që në fotografi, sikur se edhe në zhanret e tjera, i kanë sfidat e veta, por fotografimi i personave ngërthen në vete shumë më tepër sesa vetëm njohuri teknike për fotografinë”, thekson Imami, teksa u referohet fjalëve përmbledhëse të fotografit britanik të portretit dhe dokumentaritetit, Platon. Pjesë të shprehjeve të tij, Imami ua ka transmetuar në fundjavë edhe një grupi të vogël të rinjsh që kanë marrë pjesë në punëtorinë e mbajtur në sallën e Galerisë së Arteve në kuadër të edicionit të dymbëdhjetë të festivalit ndërkombëtar të filmave të shkurtër, Ferfilm Fest, që ka nisur më 2 maj dhe përfundon sonte me ceremoninë e ndarjes së çmimeve në orën tetë në sallën e teatrit “Adriana” në Ferizaj.
“Domethënë edhe gatishmëria që të krijosh njëfarë ndërlidhjeje me personin me të cilin e fotografon, jo detyrimisht me subjektin, sepse disi e distancon kur i thua subjekt personit që e fotografon”, thekson Imami. “Në të shumtën e rasteve, kur vijnë personat para aparatit, është sfiduese. Edhe unë e kam të vështirë para aparatit. Dalja para tij i ka ato sfidat e veta”.
Rromir Imami ne Ferfilm
“Dyluftim”
Gjatë punëtorisë, Imami, me prejardhje nga Struga, u ka lëshuar pjesëmarrësve copëza dokumentarësh për punën e fotografëve më të njohur të botës, duke përfshirë edhe intervista të tyre para, gjatë e pas procesit të punës. Janë alamet fotografësh që përdorin teknika të ndryshme për t’i përgatitur subjektet para “ngrirjes” së çasteve, që nuk reflektojnë vetëm pamjen e jashtme, por spikasin edhe gjendjen e tyre të brendshme emocionale.
Ka aso që preferojnë të jenë, sikurse thonë fotografët, pjesëmarrës në fotografi, duke bashkëpunuar me personat para aparatit, dhe të tjerë që konsiderohen vrojtues e të cilët i shkrepin aparatet pa u vërejtur nga të fotografuarit.
Imami, i cili ka goxha përvojë me shkrepjen e portretizimin fotografik të personave të zgjedhur nga fondacione të ndryshme derisa ndihmohen të ndërrojnë vende pune, ose të riintegrohen në shoqëri për shkak të përvojave të ndryshme që i kishin shkëputur më parë nga puna.
“Kjo ka qenë një prej përvojave më të jashtëzakonshme, për shkak se në të shumtën e rasteve është dyluftim në kuptimin që personat që vijnë aty, e kanë barrën e vetë të fatkeqësisë që iu ka ndodhur dhe ideja e atij portreti është një vazhdimësi e një procesi ku ata duhet të paraqiten para tregut të punës me një portret, me një prezencë, nuk them më të bukur, por them më të dinjitetshme”, thotë Imami.
Në të vërtetë gjatë gjithë intervistës, Imami ka theksuar kujdesin e tij të vazhdueshëm gjatë procesit të fotografimit për ta ruajtur dinjitetin e të fotografuarve.
“Shumicës nuk u pëlqen vetja në fotografi”
Dhe Imami thotë se në shumicën dërmuese të rasteve, personave të fotografuar nuk u pëlqen fotografia me pretendimin se nuk janë fotogjenikë. “Ose thonë se ‘e urrej aparatin’. Biles shkojnë deri në atë masë që thonë se ‘e urrej edhe vetveten'”, tregon Imami fjalët e të fotografuarve në projektet për riintegrimin e tyre në shoqëri.
Pavarësisht rezistencës së vazhdueshme të tyre, Imami luan me dritën për t’i paraqitur, sikur thotë, “në një dritë më të mirë”.
Imami bashkë me ta e bën përzgjedhjen e fotografisë më reprezentative. “Dhe është interesant se kur e shohin veten në fotografi, u rritet vetëbesimi, e shohin veten në një dritë tjetër dhe “ej, nuk dukem edhe aq keq'”.
Përtej shpagimit material për punën dhe përkushtimin profesional, ky ndryshim humori në mesin e të fotografuarve, e përmbush profesionalisht e emocionalisht Imamin. “Dhe kjo më bën edhe më tepër ta dashuroj fotografinë”, thekson ai, “sepse kur ata dalin prej studios, dalin me një përqindje, një ose dy për qind vetëbesim më të madh për vete, që për mua shkon përtej fotografisë teknike”.
Elemente të ngjashme spikaten edhe gjatë pjesëve të dokumentarëve të transmetuar me projektor, ku fotografët flasin gjerë e gjatë me figura të njohura botërore, si burrështetas superfuqish e fitues çmimesh Oscar, të cilët relaksohen me biseda për pasionet e qejfet e tyre, duke fuqizuar lidhjen me fotografin para se gjithçka të kurorëzohet me çastin e shkrepjes.
Është ndarë nga jeta në moshën 75-vjeçare aktori i mirënjohur, Mirush Kabashi.
Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët e tij, të cilët nëpërmjet një njoftimi bëjnë me dije se Kabashi ka mbyllur sytë mesnatën e sotme, transmeton A2CNN.
“Të nderuar Miq, Kolegë dhe Dashamirës, me pikëllim të thellë ju njoftojmë se MIRUSH KABASHI ndërroj jetë të Martën, në datë 5 Dhjetor pas mesnate. Për sa i përket detajeve të ditës, orës së varrimit dhe homazheve do ju komunikojmë në orët në vazhdim” thuhet në njoftim.
Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër dhe është rritur në Durrës. Origjina e tij është nga Gjakova. Ai është aktor i rreth 100 roleve, në teatër dhe filma. Shpesh ka qenë edhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike.
Gjithashtu, Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Ai ka dhënë një kontribut të madh në kinematografinë shqiptare.
Një pjesë të jetës së tij, Kabashi ia ka kushtuar edhe teatrit me rolet e tij të larmishme, ku ndër to më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apollogjia e fundit e Sokratit”.
Që prej vitit 2014 mbante titullin e lartë “Nderi i Kombit”, kurse më parë kishte edhe titujt “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.
Rolet kinematografike:
Kronikë provinciale (2009)
Ne dhe Lenini (2008)
Nata (1998)
Edhe ashtu edhe kështu (1989)…. Babai i Almës
Binarët (film) (1987)
Telefoni i një mëngjesi (1987)….Kujtimi
Zëvendësi i grave (1987)……… Lisimak Voci
Nxënësit e klasës sime (1984)..Mësues Nardi
Kohë e largët (1983) ………Asketi Lithan
Dora e ngrohtë (1983) ………Brahushi
Shoqja nga fshati (1980) ………Nasi (dajua i Tirkes)
Një ndodhi në port (1980) ……….Calamani
Gëzhoja e Vjetër (1980) ………Bake
Radiostacioni (1979) ……Një nga tekniket e Radios
Koncert në vitin 1936 (1978)… Toger Shazivari
Zani partizani (1976) (TV)….Partizan-vëlla i Zanit
Një kryevepër e Pikasos , e titulluar “Femme à la montre” (Gruaja me orë), pritet të shitet mbi 120 milionë dollarë kur të dalë në ankand më vonë gjatë vitit.
Piktura në vaj e vitit 1932, do të jetë në qendër të vëmendjes në ankandin dy-ditorë në Sotheby’s në Nju Jork në nëntor, kur edhe do të dalë në shitje koleksioni i Emily Fisher Landau.
Piktura me përmasa 130 x 96,5 centimetra, shfaq të dashurën dhe “muzën e artë” të Pikasos,
Marie-Thérèse Walter, e cila u portretizua në disa nga pikturat e tij.
Deri tani, disa nga veprat e Pikasos u shitën me shuma mbi 100 milionë dollarë, derisa në maj të vitit 2015, kryevepra e tij “Les femmes d’Alger” (Versioni “O”) u shit nga shtëpia e ankandeve Christie’s në Nju Jork për 179.4 milionë dollarë.