Connect with us

Ferizaj

Mbahet panairi i produkteve ushqimore dhe veshmbathjeve tradicionale në Ferizaj

Published

on

Në sheshin e qytetit të Ferizajt është duke u mbajtur panairi i prodhimeve ushqimore dhe veshmbathjeve tradicionale organizuar nga shoqata “Doroci” nga Mitrovica. Pjesëmarrëset e këtij panairi thonë se qëllimi i këtij organizimi është ruajtja e traditës së prodhimeve vendore nga prodhuese të ndryshme të Kosovës.

Njëra ndër kultivueset është Zylfie Vogliqi nga fshati Gërlicë, e cila merret me gatime të ëmbëlsirave, për të cilat thotë se interesimi i qytetarëve nuk mungon.

“Është shumë mirë organizimi, mbledhemi ne gratë këtu dhe tregojmë produktet tona. Të gjitha janë tradicionale dhe të gjitha janë bio, ne vetë i bëjmë, si turshi e këso gjërash, janë të gjithë të interesuar. Unë në përgjithësi merrem me gatime, me bylmete, mirëpo këtu ka nga turshitë, ka aroni, janë të gjitha, rroba”, tha Zylfie Vogliqi.

Violeta Murati, përfaqësuese e ndërmarrjes kultivuese të lëngjeve të aronisë “Kastrioti” nga Podujeva, thotë se këto lloj panaire u mundësojnë komunikimin më të lehtë për benefitet që kanë këto lloj prodhimesh tek qytetarët.

“Ne jemi kultivues dhe përpunues të lëngjeve natyrale të aronisë, manaferrës dhe të boronicës. Punojmë me të gjitha produktet natyrale që janë pa sheqer, pa konservans edhe po është një produkt që po e marrin njerëzit edhe për qejf, por edhe më shumë për efektet shëndetësore që i ka. Për aroni për shembull është për kolesterol, është për  tension, për diabet, është për pagjakësi, është për migrenë, mandej është manaferra për shikim kush ka problem, kush ka mungesë të vitaminës C, imunitetit të dobët, boronica është për veshkë, ka shumë efekte shëndetësore”, tha Violeta Murati.

Në këtë panair ka interesim edhe për veshmbathje të punuara me dorë, prej të cilave punuese e tyre është Emine Tahiri nga shoqata “Gratë e Minatorëve” nga Trepça.

“Kemi tradicionale, kemi moderne, kemi ushqim, çdo punëdore që e bëjnë gratë e kemi. I kam edhe 15 anëtare që punojnë, janë punime të tyre, i marrim, i promovojmë, i shesim. Ka deri dikund të interesuar, përpara ka pasur më shumë, tash më pak, por mirë është. 100% është më kualitet këto që i punojmë ne dhe më i mirë, por vlerën nuk ia dijnë sepse edhe mundësitë e bëjnë të vetën, si në Kosovë, si gjithkund thuajse më shumë papunësi se me punë. Ne do të vazhdojmë deri sa jemi të shëndetshëm, mirëpo kur nuk kemi shëndet atëherë duhet të dorëzohemi”, tha Emine Tahiri.

Interesimi i qytetarëve ferizajas për këtë panair ishte mjaftë i lartë.

“Më interesoi të pyes diçka për punimet e vjetëra që janë. Më shumë më pëlqeu të shikoj këto punimet e vjetëra sepse edhe gjyshja ime i ka punuar këto, është një mallëngjim” tha Hajrush Sylejmani.

“Nuk e di se çka të them, kur qëlloj këtu në këto panaire marrë diçka. Janë më të shëndetshme, kur gjej kështu në këto tregje i marrë, i vlerësoj. Zakonisht i bëjmë edhe ne vetë, kur është koha e turshive. Për çdo herë kur jam këndej dhe janë këtu vijë marrë ose mjaltë ose diçka”, tha Fadil Tërpeza.

Panairi i veshmbathjeve dhe ushqimeve vendore në sheshin e Ferizajt do të mbahet deri nesër në mbrëmje.

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ferizaj

Një muaj paraburgim të dyshuarve për mashtrim me kriptovaluta në Ferizaj

Published

on

Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën prej një muaj paraburgim kundër të pandehurve A.L. dhe R.J. që dyshohen për veprën penale të mashtrimit

Në njoftimin e gjykatës bëhet e ditur se vendimi për masën e paraburgimit u morr gjyqtarja e procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Penal, Alba Makolli pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës.

“Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 17 prill 2026, në një rrugë në Ferizaj, të pandehurit, me dashje dhe në bashkëveprim së bashku edhe me të pandehurin V.N., i cili gjendet në arrati, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe duke përdor emra të rreme (A. dhe B.), i vënë në lajthim të dëmtuarit E.F., A.F., dhe Rr.K., duke u paraqitur se posedojnë kriptovaluta të llojit USDT, dhe se do t’ua transferonin përmes portofolit digjital “wallet”,  ashtu që për realizmin e kësaj skeme fillimisht sigurojnë një lokal me qira dhe caktojnë takim me të dëmtuarit, dhe në lokal arrijnë që të njëjtëve t’ua marrin shumën e të hollave prej 12,000.00 Euro, të cilat të holla sipas planit paraprak, i fusin në një çantë me ngjyrë të gjelbert, i vendosin në një dollap brenda lokalit, në të cilin paraprakisht kishin hapur një vrimë nga pjesa e pasme, përmes së cilës i marrin të hollat pa dijeninë e të dëmtuarve, dhe më pas largohen në drejtim të panjohur, me ç’rast pas veprimeve operative arrihet të zbulohet se të pandehurit përsëri do të vepronin skemën e njëjtë në një rrugë në Kaçanik, duke marr një lokal me qera dhe duke caktuar takimin në atë lokal, ashtu që pas reagimit të hetuesve policor arrihen që të njëjtit të arrestohen në vend ngjarje, ndërsa i pandehuri V.N., arrin të arratiset”, thuhet mes tjerash në njoftimim e gjykatës.

#

Continue Reading

Ferizaj

Vdekja e foshnjës në Ferizaj: Rasti po hetohet si “vrasje e foshnjës gjatë lindjes”

Published

on

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se kanë nisur hetimet për rastin e cilësuar si “vrasje e foshnjës gjatë lindjes” që ka ndodhur të martën mbrëma, kur një paciente kishte lindur foshnjën e saj në tualetin e Emergjencës në Ferizaj.

Spitali i Ferizajt, përmes një komunikate ka njoftuar se pacientja është paraqitur në spital me ankesa për obstipacion (kapsllëk) dhe, në një moment, ka hyrë në tualet duke e mbyllur derën.

“Pas insistimit dhe presionit nga stafi mjekësor, të cilët kishin dëgjuar zërin e një foshnjeje, dera është hapur. Nëna kishte prerë kordonin umbilikal të foshnjës dhe e kishte hedhur atë në koshin e mbeturinave, në gjendje të rëndë dhe hipotermike.

Menjëherë janë ndërmarrë masat emergjente për trajtimin e nënës dhe foshnjës, të cilat janë transferuar në repartet e Gjinekologjisë dhe Neonatologjisë. Ekipi multidisiplinar, me përfshirjen edhe të anesteziologut, ka filluar menjëherë të gjitha procedurat reanimatore.

Sapo është konstatuar rasti, stafi shëndetësor ka njoftuar organet kompetente, përkatësisht Policinë e Kosovës.

Foshnja është pranuar në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme reanimatore nga ekipi multidisiplinar i spitalit. Pavarësisht përpjekjeve maksimale dhe trajtimit intensiv nga personeli mjekësor, foshnja ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftim.

Më tej,  Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt bëri të ditur se është duke bashkëpunuar plotësisht me organet e drejtësisë dhe institucionet kompetente për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.

Në raportin e Policisë thuhet se “Me vendim të prokurorit, foshnja është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, për procedura të mëtejshme hetimore, derisa e dyshuara ndodhet në spitalin e Gjinekologjisë, Ferizaj, për shkak të gjendjes së saj shëndetësore.”

#

Continue Reading

Ferizaj

Sekuestrohet një revole me municion dhe shurdhues në Ferizaj

Published

on

Një person është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj pas një kontrolli në shtëpinë e tij, ku janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me gaz, pesë fishekë dhe një shurdhues i armës së zjarrit.

Në raportin 24 orësh të policisë bëhet e ditur se rasti ka ndodhur mëngjesin e së dielës, më 3 maj 2026, rreth orës 8:30 në rrugën “Gucia” në Ferizaj .

Me vendim të prokurorit pas intervistimit, rasti vazhdon të hetohet në procedurë të rregullt.

Continue Reading

Trending