Banorët e Fshatit të Vjetër protestojnë para komunës

Dhjetëra banorë të Fshatit të Vjetër protestuan para Kuvendit në orët e paradites, kur pritej të fillonte mbledhja në të cilën ishte  paraparë të miratohej vendimi që varrezat e qytetit të zhvendosen në Fshatin e Vjetër. Madje, këta banorë e paralajmëruan për gjendje të rrezikshme drejtorin e Urbanizmit Lulzim Aliun, i cili u takua me protestuesit.

“Po më dhimbesh se dikush këtu ka me ra viktimë, këtë gjë po ta them unë plaku edhe keni me dhënë përgjigje ju komuna se u dashtë me ardh ju bashkë me kryetarin e me na vet me ba muhabet me neve për këtë punë”, tha njëri nga protestuesit.

Banorët po kritikojnë pushtetarët që këtë projekt kanë paraparë të realizojnë në fshatin e tyre, duke u ankuar se aty është vendbanim dhe ka shtëpi përreth.

Kemi arsye për kundërshtime, sepse vendi ku është caktuar më herët në fshatin Balaj është hapësira më e madhe, ndërsa në Fshatin e Vjetër janë paraparë vetëm katër hektarë, po ashtu vendi në të cilin është paraparë të vendosen varrezat është i banuar me fshatarë  dhe atyre ju pengon për të jetuar në të ardhmen. Vendi për varreza është kodrinë, ndërsa shtëpitë janë nën to “, tha  Naser Beqiri.

Përfaqësues të këtyre banorëve e konsiderojnë paradoksal arsyetimin e komunarëve që varrezat aty do të vendosen veç përkohësisht.

“Këta neve po na arsyetohen se dëshirojnë të bëjnë një zgjidhje të përkohshme, sepse varrezat e qytetit tashmë janë mbush, por ne nuk mendojmë që pushteti për këtë projekt duhet të bëj zgjidhje të përkohshme, por të përhershme. Ne po mendojmë se kjo nuk është zgjidhje dhe  ky vendim të shtyhet në mënyrë që të gjendet një tjetër parcelë më e favorshme, sepse me këta pak hektarë zgjidhja mund të jetë për dy ose tri vjet, hiç më shumë” , tha Naser Beqiri.

Pavarësisht protestave të këtyre banorëve, Kuvendi Komunal me shumicë votash miratoi vendim për zhvendosjen e varrezave të qytetit në Fshatin e Vjetër. Kundër këtij vendimi votuan anëtarët e LDK-së dhe ata të Vetëvendosjes.

Leave a Comment

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

728X90
728X90