Shpërndahen dhurata për anëtarët e Shoqatës së Shurdhmemecëve

Përfaqësues të komunës së Ferizajt u kanë shpërndarë dhurata anëtarëve të Shoqatës së Shurdhmemecëve në këtë qytet. Me këtë rast, kryesuesja e Kuvendit Komunal të Ferizajt Kristina Gashi-Bytyqi, tha se në seancën e nesërme të Kuvendit do të dalë për miratim një strategji komunale, e cila nëse do të miratohet do të ndikoj në përmirësimin e jetës së kësaj kategorie të shoqërisë.

“Nesër veçse e kemi seancën ku e kemi si pikë të rendit të ditës edhe miratimin e strategjisë komunale për personat me nevoja të veçanta  dhe plani i veprimit, ku patjetër se në këtë strategji janë të përfshirë të gjithë personat me nevoja të veçanta pa dallim shoqate dhe kjo strategji përmban përmirësimin e kushteve të personave me nevoja të veçanta si në fushën e arsimit, shëndetësisë, infrastrukturës dhe punësimit dhe me miratimin e saj këta qytetarë do ta kenë një jetë më të lehtë dhe një përkrahje më të madhe”, tha Gashi-Bytyqi.

Përfaqësuesit e kësaj shoqate, thanë se nevojat e tyre janë të panumërta, por imediate është punësimi i një personi që do t’iu ndihmonte atyre gjatë komunikimit me njerëz.

“Falënderoj komunën që na ka dhuruar këto dhurata, ka edhe fëmijë të shurdhër këtu dhe janë shumë të lumtur, ka edhe shumë fëmijë që janë të shurdhër por nuk janë të regjistruar tek ne, prandaj kisha pasur dëshirë që edhe ata fëmijë të jenë të regjistruar këtu, ndërsa nevojë e jona kryesore është se nuk kemi interpretë”, tha Naser Maliqi, kryetar i Shoqatës së Shurdhmemecëve në Ferizaj.

Në këtë shoqatë njoftuan se në komunën e Ferizajt janë rreth 220  persona shurdhmemecë.

Leave a Comment

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.