Inspektorati komunal i Ferizajt paraqiti punën gjashtë mujore të tij, ku tregoi për aksionet që ka ndërmarrë gjatë kësaj periudhe. Kryeinspektori Ridvan Berisha, tha kanë zhvilluar 9 aksione të gjëra me qëllim të rritjes së kontrollit të produkteve që plasohen në treg, si dhe kushteve higjienike të objekteve të ndryshme. Ai njoftoi se në këta gjashtë muaj kanë shqiptuar gjoba në vlerë 200 mijë euro, 90 mijë prej të cilave tashmë i janë paguar komunës. Përveç gjobave, ndaj katër bizneseve ku janë konfiskuar produkte të prishura të mishit dhe qumështit, janë ngritur edhe kallëzime penale.
“Janë konfiskuar dhe asgjësuar 6 ton mish dhe nënprodukte të tij, 2 ton qumësht dhe nënprodukte të tij, heqja e 35 tezgave nga sheshi kryesor dhe ofrimi i alternativës 24 vende të lira, janë mbyllur 22 bastore dhe kazino, arsyeja e mbyllës një pjesë e tyre për mospagim të taksës komunale dhe pjesa tjetër për mosposedim të dokumenteve të nevojshme, janë mbyllur 12 lokale të natës, kemi inspektuar 46 shkolla për kushtet higjieno-sanitare dhe 20% e tyre nuk na kanë dalë mirë, kryesisht mirëmbajtësit nuk kanë qenë të kujdesshëm, është bërë heqja e panove reklamuese pa leje, janë inspektuar të gjitha kafeteritë për kushtet e vendosjes së verandave dhe është përcaktuar perimetri i njëjtë, lëngjet dhe perimet, kemi marrë masa ndaj të gjitha subjekteve ku i kemi këshilluar dhe urdhëruar në disa raste që mos t’i ekspozojnë në rreze të diellit produktet’’, tha Berisha.
Berisha shprehet i bindur që sheshi është liruar nga shitësit ambulantë, edhe pse të tillë shihen çdo ditë aty.
“Inspeksioni që 5 muajt e fundit është duke punuar edhe jashtë orarit të rregullt edhe fokus kryesor e kanë bulevardin, ne ju kemi ofruar atyre një alternativë përpos praktike, kryetari u ka premtuar atyre edhe nga tri vende të punës për familje, por ata janë duke tentuar të bëjnë një lloj bojkoti pa ndonjë arsye, sa i përket punës së sheshit bashkë me policinë këto dy javët e fundit janë duke u marr non-stop me bulevard dhe është i lirë bulevardi, praktikisht nuk janë duke operu në bulevard, janë disa që merren me telefona dhe në momentin që dalim ikin, kthehen, sa i përket CD tezgave statike ato nuk janë më në bulevard”, tha Berisha.
Berisha njoftoi se ditëve në vijim Inspektorati do të punoj në kontrollimin e ujit të pijshëm, barnatoreve dhe pishinave.