Pas miratimit në Asamblenë komunale të Ferizajt, organizata ‘’Fëmijët pa përkujdesje prindërore’’, ka prezantuar rregulloren e cila synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve, rregullore kjo e cila financohet nga Bashkimit Evropian.
Ibadete Krasniqi nga organizata ‘’Fëmijët pa përkujdesje’’, tha se kjo rregullore që do të implemetohet për herë të parë në Kosovë do të ndikoj në përmirësimin e jetës së fëmijëve pa përkujdesje.
“Rregullorja ka të bëj me atë se cilat janë parimet bazë që një fëmijë duhet të rritet në një ambient familjar, të mos jetë i diskriminuar, të ketë të drejtën të flasë, të shprehet, të rritet shëndetshëm dhe t’i plotësohen të gjitha nevojat duke u bazuar në kushtetutë të Republikës së Kosovës dhe në dokumentet siç është konventa ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve”, tha Krasniqi.
Nënkryetari i komunës së Ferizajt Naim Ferati, tha investimi në fëmijë është i domosdoshëm për të ardhmen e ndritur të tyre.
“Vërtetë jam i gëzuar që kemi ardhur në këtë takim me një rezultat konkret si fryt i bashkëpunimit tonë në të mirë të fëmijëve. Puna jonë e sotme është një hap i mirë drejt një të ardhmeje më të ndritur për fëmijët tanë dhe legjislacioni që kemi hartuar. Nuk do të mungojë angazhimi ynë që edhe në të ardhmen të kemi rezultate të tilla dhe punë në dobi të fëmijëve dhe të gjithë atyre që janë lidhur ngushtë me kujdesin dhe mirëqenien që duhet ofruar fëmijëve”, ka thënë nënkryetari Ferati.
Numri i fëmijëve pa përkujdesje prindërore në Ferizaj, të cilët janë të strehuar në familjet biologjike dhe jo biologjike është rreth 40, kurse rritja e shumës financiare në baza mujore për këto kategori, është thënë se do të rris konkurrencën që familjet më të mira të fitojnë të drejtën për t’u kujdesur për këta fëmijë.