Deputeti i Partisë së Ashkalinjve për Integrim Etem Arifi dhe ai i Partisë Liberale Egjiptiane Veton Berisha, i janë bashkuar grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, parti kjo e cila udhëhiqet nga Fatmir Limaj, duke rritur kështu numrin e këtij grupi parlamentar nga 6 në 8 deputetë.
Sekretari i përgjithshëm i PAI-së Qazim Rrahmani, tha se i janë bashkuar grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate për shkak se kjo parti udhëheq me dikastere të rëndësishme siç është Ministria e Arsimit, ajo e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ku sipas tij, duke qenë afër kësaj partie do të mund t’i realizojnë kërkesat dhe nevojat e komuniteteve pakicë.
“Kemi qenë pjesë e koalicionit për votim të kryeministrit Haradinaj, por deputeti jonë ka qenë pa grup parlamentar z.Arifi dhe ne kemi menduar që me hyrjen në një grup parlamentar të një subjekti politik fuqizohemi më shumë edhe në aspektin e proceseve për t’i çuar përpara, por edhe në aspektin për të kontribuar në Kuvendin e Kosovës në aspektin e komisioneve parlamentare. Në këtë rast ne kemi shqyrtuar të gjitha mundësit dhe kemi ra në pajtueshmëri dhe kemi gjet një konsensus edhe partiak që të jemi pjesë e grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, e cila udhëhiqet nga zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj, ne kemi edhe aspektin e procedurave që janë kërkesa të komunitetit të ashkalinjve të cilat ne do t’i drejtojmë drejtpërdrejt në ministritë që udhëhiqen nga Nisma, PAI-tashmë e ka deputetin në grupin parlamentar Nisma Socialdemokrate dhe me këtë ky grup bëhet nga 6 deputet në 8, pasi u ka bashkuar edhe PLE, pra 2 deputet dhe tani duhet të dihet se grupi parlamentar Nisma Socialdemokrate e mban dhe Qeverinë e Kosovës për shkak se numrat brenda në Kuvend dihet siç janë dhe 8 deputetë kanë rëndësi të madhe për ruajtjen e Qeverisë”, tha Rrahmani.
Rrahmani tha se kalimi i dy deputetëve në grupin parlamentar të Nismës Socialdemokrate, nuk është bërë pa shpërblim.
“Ne do të kemi pozita në tri ministri të cilat udhëhiqen nga Nisma, por tani nuk mund t’i bëjmë të qarta pasi nuk është bërë ende draftimi i marrëveshjes”, tha Rrahmani.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare Etem Arifi kishte fituar 1 mijë e 210 vota, kurse Veton Berisha kishte fituar mbi 1 mijë 260 vota.