Connect with us

Ferizaj

Gjykata e Ferizajt zvarrit gjykimin e profilit të lartë

Published

on

As 8 muaj pritjeje nuk i mjaftuan  Gjykatës dhe Prokurorisë  së Ferizajt që të koordinojnë oraret e veta, për të zhvilluar seancë të rregullt në rastin kundër ish-drejtorit të Urbanizmit Faik Grainca,  i cili me dy persona të tjerë akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit zyrtar, në lidhje me miratimin Planit Zhvillimor Komunal të Ferizajt.

Edhe pse data e seancës u caktua para një muaji, mungesa e prokurorit të rastit Arben Ismaili, bëri që sot gjyqtari  Sahit Krasniqi të vendos  shtyrjen e këtij gjykimi për në fillim të nëntorit. E, në ndërkohë përfituesit nga vepra e dyshuar penale vazhdojnë punët e tyre të papenguar nga shteti apo organet e drejtësisë.

Përkundër që nuk pati seancë të rregullt, megjithatë gjyqtari Krasniqi dëgjoi palën e dëmtuar, e cila kërkoi që Gjykata të rivendos masën e sigurisë në rrugën ”Astrit Bytyqi”, pjesë kjo e cila sipas planit  rregullativ në fuqi gjendet në zonën e ndërtimit të ulët.

 “Nëse ka mundësi me u vendos një masë e sigurisë veçanërisht në rrugën “Astrit Bytyqi”, për të cilën edhe është duke u mbajtur seanca, aty tashmë është duke duke u zbatu me të madhe kjo PZHK, gjykata ka vendosur një herë të bëj një masë të sigurisë mandej e ka shpallë vetën jokompetente, mendoj se kjo është joserioze dhe kjo neve na jep me dyshu se ky proces është duke u zvarritur se punimet janë duke u bërë me të madhe”, tha Bekim Haliti, banor i rrugës ”Astrit Byqyqi”.

“Ne nuk jemi kompetent për masa të sigurisë, është kontest civil, ajo çështje është punë e organeve administrative, se çka veprojnë ata është punë e tyre, ky trup gjykues është i lidhur me aktakuzën nuk mundemi ne me u lëshu në kompetenca të organeve të tjera, ne jemi për çështje penale të kësaj aktakuze se a përmbushen elementet e veprave penale për të cilën janë të ngarkuar të akuzuarit edhe provat me i administru, i kemi provat që janë propozu nga prokurori dhe mbi 20 dëshmitarë dhe pavarësisht nga rezultati i provave ne e marrim vendimin final, ndërsa gjërat tjera për me u kufizu diçka punimet në atë rrugë në ato gjëra nuk kemi drejt me u lëshu”, tha gjykatësi Sahit Krasniqi.

Bashkë me Graincën, akuzohen edhe dy qytetarë të tjerë se kanë kryer veprën e falsifikimit të dokumentit zyrtar gjatë mbledhjes së nënshkrimeve në lidhje me Planin Zhvillimor Komunal, përkatësisht ndryshimeve në zonën 8 të qytetit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Grainca akuzohet se ka miratuar një peticion si legjitim, duke qenë në dijeni se dokumenti përmbante nënshkrime të falsifikuara apo të personave që nuk janë pronarë të shtëpive apo të patundshmërive përgjatë rrugës “Astrit Bytyqi”. Ky dokument ka shërbyer si bazë për miratim të ndryshimeve në Planit Zhvillimor Komunal të Ferizajt në atë zonë, që u miratua vitin e kaluar në Kuvendin Komunal.

Në kallëzimin penal të hetuesisë së Ferizajt, krahas të akuzuarve kryesor implikoheshin edhe 13 anëtarë të komisionit komunal për bashkëpjesëmarrje në krim, mirëpo gjatë janarit të sivjetëm, Prokuroria e Ferizajt me ngritje të aktakuzës e “zbuti” rastin dhe anëtarët e komisionit komunal për ankesa i shndërroi në dëshmitarë.  Gjykimi i rastit Grainca vazhdon më 5 nëntor.

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ferizaj

Qendra e Ferizajt 17 orë pa rrymë, KEDS dhe KOSTT ende pa ndonjë sqarim

Published

on

Qendra e Ferizajt vazhdon të mbetet pa energji elektrike për rreth 17 orë, ndërsa ende nuk ka ndonjë sqarim publik nga KEDS, KESCO apo KOSTT lidhur me ndërprerjen.

Sipas të dhënave në aplikacionin eKESCO, arsyeja e ndërprerjes së energjisë elektrike është një defekt teknik i tipit “Phase to Phase Short Circuit”, i cili ka nisur rreth orës 01:00 të mëngjesit të sotëm.

Pa furnizim me energji elektrike kanë mbetur disa zona të qendrës së qytetit, ndërsa qytetarët vazhdojnë të përballen me mungesën e rrymës për një periudhë të gjatë.

Deri më tani nuk ka informacione zyrtare se kur pritet rikthimi i furnizimit me energji elektrike.

Continue Reading

Ferizaj

Manifestimi qendror për Fitër Bajram mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë

Published

on

Bashkësia Islame e Kosovës bëri të ditur agjendën për festën e Fitër Bajramit, më 20 mars 2026.

Kështu, manifestimi qendror që do të mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë fillon në orën 05:03 me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit do të mbahet ligjërata tematike kushtuar kësaj feste nga krye imami i KBI-së në Ferizaj, Ibrahim Beqiri.

Namazi i Fitër Bajramit falet në orën 06:18, të cilit do t’i prijë kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat Sahiti.

Hytben e Fitër Bajramit do ta mbajë Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili do t’i drejtohet opinionit të gjerë me mesazhin e kësaj feste.

Me rastin e festës së Fitër Bajramit, ditën e parë, më 20 mars 2026, Kryesia e BIK-ut, sipas traditës, organizon pritje urimi në selinë e saj nga ora 09:00 deri në orën 12:00.

“Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ua uron festën e Fitër Bajramit të gjithë besimtarëve dhe opinionit të gjerë, duke e lutur Zotin që t’i ketë pranuar agjërimin, lutjet dhe ibadetet tona.

Me fat festa e Fitër Bajramit!”, thuhet mes tjerash në njoftimin e BIK-ut.

Continue Reading

Ferizaj

Nënshkruhet kontrata 24 milionëshe për Spitalin e Ferizajt

Published

on

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka njoftuar se ka nënshkruar kontratën për vazhdimin e ndërtimit të objektit të ri të spitalit të Ferizajt.  

Sipas njoftimit, kontrata për “ndërtimin e objektit të spitalit të përgjithshëm në Ferizaj – vazhdim projekti” ka vlerë prej 24 milionë euro dhe spitali parashihet të finalizohet për 30 muaj.

“Kam nënshkruar kontratën për vazhdimin e punimeve në Spitalin e Ferizajt.

Pas shumë sfidave dhe vështirësive të trashëguara e të reja, ky projekt do të finalizohet brenda 30 muajsh. Ky është një projekt shumë i rëndësishëm për këtë rajon, që do të realizohet sipas standardeve më të larta të infrastrukturës spitalore, me një kosto prej 24 milionë euro.

Urime për të gjithë qytetarët e Ferizajt për këtë projekt të shumëpritur” ka shkruar ministri Vitia në postim.

Ndryshe, objekti i ri i spitalit të Ferizajt kishte filluar në vitin 2018 dhe vlera e projektit fillestar ishte 10.2 milionë euro. Më vonë, kësaj kontrate iu shtuan edhe 1 milionë të tjera. Asokohe kishte përfunduar vetëm ndërtimi i vrazhdë i objektit.

Punimet u ndërprenë për shkak të padive ligjore të ndërsjella mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanisë  ndërtuese.

Kontrata për vazhdimin e ndërtimit të spitalit është fituar nga Grupi i Operatorëve Ekonomik ADA CONSULTING GROUP SH.P.K., SHM Architecture SH.P.K. dhe Termo Consing SH.P.K”.

Continue Reading

Trending