Mbi 8 mijë banorë të një pjese të qendrës së qytetit nuk do ta kenë më kënaqësinë e të jetuarit në afërsi të zonës së gjelbër, por as që t’a gëzojnë një çerdhe fëmijësh në afërsi të shtëpive dhe banesave të tyre. Kjo sepse pushtetit lokal të Ferizajt po i ngutet ta shndërrojë këtë zonë nga një park i gjelbërt në një zonë të hirtë apo parking publik, ende pa e marrë “vizën” nga Ministria e Pushtetit Lokal. Mëngjesin e djeshëm dikush kishte prerë rrethojën e çerdhes së vjetër, dhe kishte hedhur dhè në parkun e vetëm të kësaj zone urbane, si paralajmërim i shkatërrimit të qëllimshëm dhe me vetëdije të këtij parku. Mirëpo për kryesuesen e Kuvendit të Ferizajt mjafton që ministria e pushtetit lokal të heshtë, pra të mos e kryejë punën e vet, në mënyrë që një vendim i diskutueshëm i Komunës të bëhet ligj lokal.
“Sa i përket vendimeve të fundit nuk kemi marrë konfirmim prej Ministrisë mbrenda afatit ligjor siç përcaktohet në rregulloren e Qeverisë së Kosovës, 15 ditë ne jemi të obliguar që të presim përgjegjje, pas 15 dite ne konsiderojmë se ato vendime janë të plotfuqishme. Për shumicën e vendimeve kthehen përgjigjje, ndërsa 50 % të tjera nuk kemi konfirmim, por kjo do të thotë se aprovohen. Në bazë të asaj rregulloreje për këtë pikë të parcelës jemi në rregull, e kemi publikuar vendimin, e ka marrë edhe kompania “Ambenti”, kështu që është në rregull në bazë të ligjit.”– deklaroi Kristina Gashi Bytyçi – kryesuese e kuvendit komunal të Ferizajt,
Ndërsa opozita e shoqëria civile akuzojnë se ekzekutivi i Ferizajt po i betonizon edhe këto pjesë të pakta me gjelbërim që kanë mbetur në qytet.
“Në séancën e kaluar të datës 31 maj ekzekutivi i Ferizajt ka propozuar dhënien e parcelës ku ka qenë e vendosur ish çerdhja publike, dhënien në shfrytëzim kompanisë publike për shfrytëzim të parkingut. Ka qenë antiligjore forma e sjelles së atij vendimi, ka pasur shumë mangësi ligjore. Janë thirrur në ligjin për dhëniën në shfrytëzim të pronës komunale, por asnjë nga nenet e atij ligji nuk janë respektuar, poashtu me rastin e votimit është kaluar me 18 vota dhe jo me 21, dhe ende pa e marrë konfirmimin nga ministria, ekzekutivit të Ferizajt po i’u ngutet dhe ka filluar mbushjen me dhe të asaj parcele dhe degradimin e saj. Para dy ditësh drejtori i urbanizmit thotë që do të presin marrjen e pëlqimit dhe marrjen e projektit detaj nga kompania, por të nesërmen fillon mbushja me dhe e asaj parcele, kjo do të thotë se është një qeveri që punon sot për neser një qeveri prish-e-ndreq. E vetmja pjesë që ka mbetë e gjelbëruar ishte ajo, dhe synimi i tyre është që ta betonizojnë” – tha Enver Haliti, nënkryetar i LVV Ferizaj.
“Është shumë shqetësuese që më shumë po betonizohet dhe po i largojmë edhe këto pak vende të gjelbërta, është prishë pjesa tek Bashkimi i qytetit tash edhe ky park këtu dhe kështu po e bëjmë Ferizajn të tërin të betonizuar. Në anën tjetër unë nuk kam mundur me gjetë shkresën ligjore të ministrisë për ligjshmërinë e këtij akti, por edhe më keq është që po krijohet një hapësirë për betonizim për periudhë të shkurtër, që do të thotë se është keqpërdorim i parasë publike”, u shpreh Shpend Mustafa nga OJQ “ INPO”.
Kandidati për kryetar të komunës Agim Aliu, në vitin 2017 u zotua publikisht se me ardhjen e tij në pushtet, në parkun afër QKMF-së, do të rikthehej çerdhja e fëmijëve, si një çerdhe më e madhe dhe më e mirë. Mirëpo kamionat e sotëm në oborrin e çerdhes së vjetër, flasin tash se kryetari Aliu ose e ka harruar zotimin e vet që ua ka dhënë qytetarëve, ose nuk ka qenë i sinqertë.
“Mbeta borxh pa thënë që ne do të kemi kujdes të shtuar sa i përket ndërtimit të çerdheve, Ferizaj ka një numër shumë të vogël të çerdheve. Në fakt dy çerdhe, ne do të mundohemi që të bëjmë më shumë çerdhe, njëra ndër çerdhet që ne do ta ndërtojmë do të jetë pikërisht në objektin e vjetër ku ka qenë çerdhja e vjetër, pavarësisht se sot ka një vendim të kuvendit të komunës.
Ne do ta rishqyrtojmë atë vendim, për faktin se është kërkesë edhe e qytetarëve që të ketë çerdhe në vendin ku ka qenë çerdhja e vjetër, sepse është edhe perimetri që i’u përgjigjet qytetarëve që të jetë pikërisht në atë vend, dhe ne do e bëjmë gjithë konsulencën profesionale me njerëz të fushës që pikërisht kjo të ndodhë”, – kishte deklaruar në një intervistë televizive kandidati për kryetar Agim Aliu, në vjeshtën e vitit 2017.
Sipas rregullores 01/2016 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ështe e obliguar që të bëje shqyrtimin e detyrueshëm të vendimit komunal për dhënie të pronës, pasiqë kjo parashihet me dispozitat e ligjit të ri 06/L-092 për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale. E në rast se nuk ndodh shqyrtimi i detyrueshëm, atëherë organi mbikqyrës i Minisitrisë e njofton zyrën e kryeministrit për shkelje të mundshme ligjore.
Policia e Kosovës ka gjetur 5 emigrantë të paligjshëm në një rimorkio kamioni në Terminalin Doganor në Ferizaj.
Sipas policisë, tre nga emigrantët e zbuluar janë të moshës 17 vjeç, një 18 vjeç dhe një 28 vjeç.
“Sot, më datë 11.07.2025, rreth orës 16:00, policia ka pranuar një informatë se në Terminalin Doganor, në rrugën “Driton Islami” në Ferizaj, në një rimorkio të një kamioni me targa vendore, sipas zyrtarëve doganorë, dyshohej se ndodheshin disa emigrantë të paligjshëm.
Menjëherë pas pranimit të informacionit, në vendngjarje kanë dalë njësitë reaguese dhe Njësia e Hetimeve nga stacioni policor në Ferizaj. Pas hapjes së bllokadave të rimorkios, janë hasur pesë emigrantë: tre prej tyre 17 vjeç, një 18 vjeç dhe një 28 vjeç, të cilët nuk posedonin dokumentacion identifikues.
Lidhur me rastin janë njoftuar prokurori kujdestar dhe njësia për migrim, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë në trajtim të mëtejshëm të dyshuarit, si dhe drejtuesin e kamionit, shtetasin kosovar B.B., 38 vjeç.” thuhet në njoftimin e policisë.
Një shofer 22-vjeçar është kapur nga policia në Ferizaj duke qarkulluar me shpejtësi 106 km/h në një zonë ku kufizimi i lejuar është 40 km/h.
Për këtë kundërvajtje, shoferi E.S është gjobitur me 300 euro, 3 pikë negative dhe ndalim i drejtimit të mjetit për 6 muaj
“Sot, më datë 11.07.2025, rreth orës 09:35, njësia policore nga Njësia e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj, gjatë kontrollit me radar në rrugën “Brahim Ademi” në Ferizaj, ka ndaluar një automjet të tipit VW Touran me targa vendore. Gjatë matjes së shpejtësisë, është konstatuar se shoferi E.S., 22 vjeç, po qarkullonte me shpejtësi 106 km/h në një zonë ku kufizimi i lejuar është 40 km/h.
Për këtë kundërvajtje, ndaj tij janë shqiptuar këto masa:
Gjobë në vlerë prej 300€,
3 pikë negative dhe masë mbrojtëse – ndalim i drejtimit të mjetit për 6 muaj.”
Policia në Ferizaj ka konfiskuar një automjet të tipit Golf, pasi gjatë kontrollit policor është konstatuar se shoferi ishte aktualisht nën masën mbrojtëse “Ndalim i drejtimit të mjetit.”
Sipas njoftimit të policisë, gjatë kontrollit të trafikut më 10.07.2025 në rrugën “12 Qershori” në Ferizaj, u konstatua se shoferi B.K., 25 vjeç, kishte të shqiptuar një masë të mëhershme të heqjes së patentë shoferit nga data 17.04.2025 deri më 16.07.2025, dhe i njëjti po drejtonte automjetin në kundërshtim me vendimin.
Si pasojë, ndaj tij është shqiptuar gjobë për kundërvajtje trafiku në vlerë prej 500€, janë aplikuar 5 pikë negative dhe masa mbrojtëse – ndalim i drejtimit të mjetit për 6 muaj.
Për shkak të pikëve të akumuluara dhe kundërvajtjeve të përsëritura, është vendosur edhe masë mbrojtëse shtesë prej 12 muajsh, si dhe është konfiskuar automjeti.