Qytetarët e
Ferizajt mund të marrin shërbimet e nevojshme në administratën komunale të
Ferizajt.
Edhe pse në
numër më të vogël, punonjësit sot po kryenin punën e tyre sikur ditëve të tjera
të zakonshme.
Zyrtari për
marrëdhënie me publikun në këtë komunë, Albion Sherifi, tha se puna në
administratën komunale është duke vazhduar normalisht, vetëm se me numër të
reduktuar të zyrtarëve administrativ, ashtu siç ka kërkuar Qeveria e Kosovës.
“Vendimi i Qeverisë së Kosovës nuk paralizon
gjithë administratën shtetërore por kufizon në nivelin esencial, kështu ka vepruar
edhe komuna e Ferizajt, me gjithë kufizmet që janë bërë në ofrimin e shërbimeve
megjithatë shërbimet komunale ofrohen, meqenëse mungojnë një pjesë e punëtorëve,
janë të lejuar në pushim, shërbimi komunal vazhdon të ofrohet, janë shërbimet e
ofiqarisë, tatimit në pronë dhe zyra pritëse, por edhe nëpër drejtoritë
komunale ekzistojnë stafe të caktuara, edhe pse të reduktuara, që ofrojnë
shërbimet”, tha
Sherifi.
Sherifi
theksoi se komuna e Ferizajt është duke
zbatuar të gjitha masat e vendosura nga
Qeveria e Kosovës.
“Në kuadër të masave mbrojtëse për parandalimin e
virusit COVID-19 komuna e Ferizajt ka zbatuar në mënyrë strikte të gjitha masat
e deleguara nga ana e Qeverisë së Kosovës. Përveç kësaj ka ndërmarrë edhe masa
vetanake, në këtë rast ka bërë dezinfektimin e të gjitha hapësirave publike, po
ashtu vazhdimisht është duke u bërë
dezinfektimi i objekteve shëndetësore, ku ekspozimi ndaj këtij virusi
mund të jetë më i lartë”, tha Sherifi.
Qeveria e
Kosovës ka ndërmarrë disa masa për të parandaluar përhapjen e virusit COVID-19.
Ndër to është mbyllja e kafeneve, bareve, restoranteve, qendrave tregtare
(përjashtuar barnatoret dhe marketet brenda tyre), mbylljen e tregjeve të
kafshëve dhe automjeteve.
Përveç këtyre
operatorëve, operatorët e tjerë ekonomikë mund të punojnë, por duke respektuar
vendimin e qeverisë që bizneset të marrin masa, si mbajtja higjienike, të dezinfektohet hapësira,
punonjësit të pajisen me pajisje personale mbrojtëse, të sigurohet që në
secilin moment brenda lokalit të ketë maksimalisht aq njerëz sa të mund të
mbahet distanca minimale prej një metër në mes të njerëzve.