Gani Xhemajli, mësimdhënësi ferizajas që po zhvillon mësim online

Pas mbylljes së shkollave për shkak të koronavirusit, mësimdhënësi i lëndës së fizikës në shkollën fillore “Jeronim de Rada” në Ferizaj, Gani Xhemajli, për të mos i lënë nxënësit që të dalin nga rrjedha e mësimit ka nisur që orën mësimore ta zhvilloj nga shtëpia përmes rrjetit social Facebook.


Xhemajli, tavolinën e pingpongut e ka shndërruar në tabelë, ndërsa për të qëndruar statik telefonin e ka vendosur në varësen e rrobave. Për të dalë para nxënësve, edhe pse në një formë tjetër, Xhemajli nuk e lë pa e veshur edhe uniformën e mësimdhënësit.


“Mua GTZ-ja dy herë më ka dhënë donacion mjete mësimore për lëndën e fizikës dhe kimisë, unë mjetet e lëndës i kam marrë në shkollë, ndërsa tabela është e pingpongut, kurse tek varësja e rrobave është fikësuar telefoni që ka bërë incizimin në mënyrë statike. Nxënësit kanë shkruar shumë, madje kanë shkruar se mezi po e presin orën e ardhshme, sot u kam dhënë edhe detyra shtëpie. Mësimi është ndërprerë në kohën më të vështirë, ishte pushimi dimëror, tani edhe ky pushim dhe na duhet shumë kohë për të hyrë prapë në rrjedha të mësimit”, tha Xhemajli.


Për të realizuar mësimin online, mësimdhënësi i fizikës ka zgjedhur klasët e 9-ta, meqë ato sivjet do t’i nënshtrohen testit të arritshmërisë.


“Unë punoj që sa vite në arsim dhe kam mendu që tash në rrjete sociale ka mundësi të mbahet orë mësimore që nxënësit, por edhe kolegët e mi ta përcjellin sado pak një orë. Unë të hënën e kam mbajtur një orë dhe interesimi ka qenë shumë i madh, e kanë shikuar rreth 2000 vetë dhe ka pasur mesazhe pozitive. Ua kam demonstruar eksperimentet që i kam bërë, unë do ta vazhdoj edhe më tutje, njësitë janë marrë nga klasa e 9-të për shkak se klasët e 9-ta e kanë testin kombëtar dhe kanë nevojë për lëndën e fizikës. Njësitë i kam marrë aty ku kam mbetur me planprogram”, tha Xhemajli.


Xhemajli, beson se në këtë situatë që është krijuar për shkak të virusit COVID-19, kjo metodë e mësimit do të jetë efektive.


“Në kohën që na kishte okupuar pushtuesi serb në këtë formë kemi shpjeguar dhe ka qenë mësim bukur efektiv, besoj që edhe tash do të jetë. Në mëngjes nxënësve u thash që i dua fletoret përpara dhe u kam treguar numrin e librit, figurat që kanë me i zhvillu dhe do të shoh se si ka shkuar puna në orën e ardhshme”, tha Xhemajli.


Mësimdhënësi i lëndës së fizikës nga qyteti i Ferizajt, orën mësimore nëpërmjet facebokut e mban të hënën dhe të enjten nga ora 10:00, ku ora mësimit zgjat 60 minuta.

Leave a Comment

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.