Gjersa virusi korona
po e shkund botën, servilët dhe lobistët e Shtëpisë së Bardhë po përqëndrohen tek ish-Jugosllavia dhe po i rihapin
plagët e vjetra.
Duke qenë ende në luftë për ta menaxhuar krizën e koronavirusit, Shtëpia e Bardhë ka filluar të kërkojë fitore politike që mund t’ia forcojnë shanset e Trumpit për rizgjedhje si president.
Ajo (Shtëpia e Bardhë v.j.), e ka kthyer shikimin kah një cep i botës i cili nuk ka qenë në kokat e edicioneve të lajmeve amerikane përreth dy dekadash, dhe që, nëse Trumpit i hapet rruga, mund të përfundojë në gjakderdhje nacionaliste, ma të cilën ky rajon karakterizohej në vitet e ‘90-ta.
Në fillim të këtij muaji, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, një ish-ministër ultranacionalist i propagandës në regjimin e Slobodan Milosheviqit, shëtiste kokëlartë nëpër Uashington, dhe i ngazëlluar përshëndetej me disa nga dështakët kryesorë të rrethit të Trump-it.
Takimi Grenell – Vuçiq
Instagrami i Vuçiqit shfaqte takimin e bosit serb me Richard Grenellin, një diplomat shtatgjatë që ushtron detyrën e drejtorit të inteligjencës kombëtare të Trumpit, ambasador në Gjermani dhe i dërguar zyrtar për dialogun Serbi Kosovë.
Në pranimin e Vuçiqit ishte edhe dhëndri i
Trumpit, Jared Kuchner, i cili me detyrë
qeveritare përfshihet që nga planifikimet për Lindjen e Mesme, e deri tek
situata e kufirit mes SHBA-ve dhe Meksikës, përkundër faktit se organet e
sigurisë e konsideruan angazhimin e tij në këto poste si një rrezikim të sigurisë
kombëtare.
Fotoalbumi i Vuçiqit shfaq pozat e tij të çuditshme, të afruar me Grenellin, Kuchnerin dhe me këshilltarin e sigurisë kombëtare Robert O’Brien.
Foto nga takimi i Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë (Nga e majta: Robert O’Brien, Aleksandar Vuçiq, Richard Grenell dhe Jared Kuchner)
Pas takimit të tyre, Vuçiq deklaroi se Grenell e poashtu edhe Shtetet e Bashkuara e kishin
mbështetur fushatën e tij të presionit serb kundër Kosovës fqinje, të cilën
qeveria e Beogradit akoma e trajton si një krahinë të ndarë serbe dhe jo si një
shtet të barabartë fqinj.
Mosmarrëveshja e fundit mes fqinjëve sillet rreth luftës tregtare të filluar
në nëntor të vitit 2018, kur qeveria kosovare vendosi një tarifë 100 përqind
për të gjitha importet serbe. Por mosmarrëveshjet tregtare janë vetëm
manifestimi i fundit i një mosmarrëveshjeje të përgjakshme, të vjetër me dekada
të tëra mes Serbisë dhe Kosovës, e cila shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008.
Kosova njihet nga SHBA-të dhe nga dhjetëra vende të tjera të botës, por Serbia ka provuar të rrëzojë këtë shtet të posangritur, duke ngulfatur ëndrrat e tij për vetëvendosje.
Për vite të tëra, përpjekja e Beogradit dukej kryesisht si idealiste: Që
nga luftërat në Ballkan të viteve 1990, administratat e njëpasnjëshme të
SHBA-ve kanë mbështetur sovranitetin e Kosovës, ndërsa retorikën e tyre e kanë
mbështetur me forcën e ushtarisë amerikane.
Në vitin 1999, statusi i Kosovës gati sa nuk nxiti konfliktin e parë të ashpër pas Luftës së Ftohtë midis ShBA-ve dhe Rusisë, e cila vazhdon ta shohë Serbinë si një aleat të ngushtë të saj. Forcat ushtarake amerikane kanë mbetur të stacionuara në Kosovë që nga atëherë, si pjesë e një force më të gjerë paqeruajtëse të drejtuar nga NATO-ja. Kjo mbështetje amerikane për pavarësinë e Kosovës ka qenë prej kohësh një zotim pa ngjyrime partiake.
Por, kjo e gjitha mund të ndryshojë tani: Tek republikanët është kah
ngritet një koncensus që Kosova të lihet e vetmuar – dhe me grep për të gjithë
ndihmën që SHBA-të i kanë dhënë asaj që nga ditët e Milosheviqit.
Murali grafik që u shfaq në Beograd më 7 Dhjetor 2016, pas fitores së Trumpit
“Pozicioni ynë është mjaft i qartë: tarifat duhet të hiqen në tërësi,” tweetoi Grenell, pasi e pranoi Vuçiqin në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se Kosova ishte “duke bërë një gabim serioz” duke mos e hequr njëanshëm tarifën ndaj importit nga Serbia.
Aleatët brenda administratës e morën topin e Grenellit dhe vrapuan me të.
“Për më shumë se dy dekada, forcat amerikane kanë ndihmuar në ruajtjen e
paqes midis Kosovës dhe Serbisë. Tani, me përparimin historik në dukje, Kosova
duhet ta bëjë pjesën e vet dhe të shfuqizojë të gjitha detyrimet e vendosura
ndaj Serbisë, ”njoftoi në Twitterin e tij senatori David Perdue nga Xhorxhia,
menjëherë pas vizitës së Vuçiqit në Uashington.
“Nëse Kosova nuk është plotësisht e përkushtuar për paqen, atëherë SHBA-të duhet të rishqyrtojnë praninë e vet atje.”
Të nesërmen në mëngjes, Donald Trump Jr. (I Riu), në komentin e parë që ndonjëri prej djemve të presidentit e kanë komunikuar ndonjëherë në lidhje me Kosovën — ka ripostuar mesazhin e Perdue me një mesazh të vet.
“Janë 650 trupa amerikane në Kosovë”, shkroi Trump Jr. për forcën paqeruajtëse afatgjate. “Është koha për t’i kthyer ata në shtëpi.“
Pse Trumpi Jr. papritmas këtë muaj u bë i guximshëm, që botës t’ia dërgojë mendimet e tij për sigurinë në Ballkan? Por më e rëndësishmja, pse administrata e Trumpit po dërgon sinjale se roli i Amerikës si garantuese e pavarësisë së Kosovës papritmas ka dalë në treg?
Një përgjigje qartazi vjen nga zotimi i Trumpit se çfarë kënete duhet tharë kësaj radhe – dhe e njejta në ndërkohë e ka vërshuar edhe Uashingtonin e udhëhequr nga ky president, njërin prej më të korruptuarve nga presidentët.
“E kemi parë një degradim shumë alarmues në cilësinë e politikës së jashtme amerikane, dhe kemi shqetësime të dukshme se sa ajo është personalizuar thellësisht nga familja Trump, e cila vërtetë këtë politikë gati tërësisht e ka shndërruar në një makinë të shërbimeve me pagesë“, – më tha Jasmin Mujanoviq, një asistent profesor i shkencave politike në Universitetin Elon, dhe autor i librit të fundit që shqyrton dinamikën politike në Ballkanin Perëndimor.
“Nga këndvështrimi ballkanik, një numër i akterevë politik në këtë rajon u ngazëllyen nga zgjedhja e Trumpit – mbase askush më shumë sesa Beogradi dhe të afërmit e tij.” – shtoi Mujanoviq
Në të vërtetë, gjatë dy viteve të fundit,
pak grupe kanë mundur ta spostojnë veten afër makinerisë lobuese të Trumpit
aq sa kanë bërë Serbia dhe aleatët e saj.
Në vitin 2018, ish-menaxheri i fushatës së Trumpit, Corey Lewandowski, papritmas u shfaq në Beograd, ku raportohet se
ai u përpoq të krijojë lidhje lobuese me Vuçiqin – një udhëheqës antidemokratik
që e forcoi rolin e tij si autokrat i Serbisë për vitet e ardhshme.
Sipas agjendës së takimeve të Lewandowskit
në Beograd, atij i është bashkuar edhe George Gigicos, një ish-ndihmës i
Trumpit (Firma e lobimit e lidhur me
Lewandowskin, Turnberry Solutions LLC, me lehtësi e kishte ndarë emrin e firmës
së vet me njërën nga fushat e golfit të Trumpit në Skoci)
Gjithashtu në vitin 2018, separatistët pro-serbë në Republikën Srpska, një
rajon etnik me shumicë serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë, angazhuan dy zyrtarë të kampanjës sëTrumpit, për
t’i ndihmuar ata në përpjekjet që ta shkatërrojnë vendin dhe që t’i bashkohen Serbisë.
Nuk çoi peshë fakti se shumë zyrtarë të Republikës Srpska tashmë ishin të sanksionuar
nga Sh.B.A-ja për korrupsion dhe për përpjekjet e tyre që ta copëtojnë shtetin
boshnjak.
Një nga ish-operativët e fushatës së
Trumpit, Mike Rubino, u kthye në lobist,
dhe ai madje e pëmbylli vjet qarkun e lojës paguaj-dhe-luaj , pasi që Shtëpia e
Bardhë e angazhoi në Departamentin e
Shëndetit dhe të Shërbimeve Njerëzore.
(Ai dha dorëheqje katër muaj më vonë, duke e akuzuar shefin e tij se ishte pjestar
i lëvizjes “Never Trump” (Kurrë Trump);
Tetorin e kaluar, u publikua lajmi se Rubino kishte marrë pjesë në një
drekë pranverore me përfaqësuesit e presidentit të Ukrainës, Volodymyr
Zelenskiy në Trump International Hotel në Uashington, pak para telefonatës
midis Trump dhe Zelenskiy që solli deri tek mocioni i votëbesimit të presidentit).
Kontaktet me firmat lobuese gjithashtu i japin kuptim edhe emërimit të
Grenellit si i dërguar zyrtar i SHBA-ve
për raportet serbo – kosovare gjatë tetorit të kaluar. Megjithëse ai ishte ambasador amerikan në
Gjermani për më shumë se një vit, Grenelli nuk kishte përvojë me Ballkanin para
se Trumpi t’ia jepte edhe këtë kapelë të dytë që ta mbajë mbi kokë.
Grenell, megjithatë, ka përvojë të konsiderueshme në lojën me figurat e
tejkorruptuara nga vendet post-sovjetike
drejt audiencës amerikane – aq sa ai mund të ketë shkelur edhe Aktin e
Regjistrimit të Agjentëve të Huaj në Departamentin e Drejtësisë, gjersa
vepronte si një agjent i huaj i paregjistruar.
Të gjitha këto lidhje lobimi, përkdhelje të të panjohurve, qasje e lehtë tek çdo gjë që ka emrin Trump — ka bërë që SHBA-të papritmas të fillojnë të ushtrojnë presion mbi Kosovën, dhe veçanërisht mbi kryeministrin kosovar Albin Kurti, që ai t’i bëjë lëshime të njëanshme Beogradit.
Ky lojalitet i ri i administratës amerikane ndaj Serbisë , siç e
përshkruajti një analist rajonal, është “një lajm shumë, shumë, shumë i
keq”.
Gjithashtu, siç vuri në dukje Edward P. Joseph i “Foreign Policy”, ky është një “veprim i paparë kundër një vendi ndoshta më proamerikan në botë. “
Dhe nëse Kurti nuk u nënshtrohet dëshirave serbe, siç sugjeroi Trump Jr., SHBA-të mund të tërheqin plotësisht kontributin e tyre — dhe të lejojnë që Vuçiq lirshëm të mbretërojë në Ballkan sipas qejfit të tij, vetëm dy dekada pas demonstrimeve të Milosheviqit se çfarë dëmesh mund të shkaktojnë flakët e nacionalizmit, nëse atyre ju jepet frymë.
Gatishmëria e administratës së Trumpit për t’ia mbajtur zhagun Vuçiqit, gjithashtu ndihmohet edhe nga ambicia e qartë e Shtëpisë së Bardhë që të
sigurojë një fitore në politikën e jashtme, pa marrë parasysh koston e këtij veprimi.
“Dobia e kryerjes së një marrëveshjeje për Kosovën qëndron në faktin se jo shumë amerikanë e dinë ç’ka n’dreq po ndodh me Kosovën, dhe se ajo nuk ka qenë në radarët e askujt për shumë kohë, kështu që Shtëpia e Bardhë e ka luksin e rrotullimit të gurëve nga cilado anë“- tha Mujanoviq.
Përfundimi i prezencës afatgjate ushtarake jashtë vendit, sado e vogël që
është, dhe deklarimet se përfituesit e dobët të sigurisë Amerikane tash e tutje
duhet të kujdesen për vetveten: Sigurisht që e ha pazari, sado me shkurtpamësi, si një fitore për përshkrimin
mitik “Donald pëllumbi (i paqes)”.
Në thelb, Shtëpia e Bardhë nën udhëheqjen e Trumpit thjesht beson se do të jetë një fitore e politikës së jashtme, kështu që mund të rrisë besueshmërinë e saj si një aktor i politikës së jashtme,” – shtoi Mujanoviq.
Është një lojë që s’e kemi parë ndonjëherë më herët .
Ashtu sikurse në Siri dhe Ukrainë, për çfarëdo arsye qoftë, Trump ka kohë
që i është nënshtruar këndvështrimit rus, dhe ka lejuar Moskën që të marrë
përgjegjësi aty, e jo ta sfidojë atë me prani ose operacione të SHBA-ve.
Duke i dhënë Vuçiqit, i cili ka
afërsi me presidentin rus Vladimir Putin, një autoritet më të madh- dhe duke i mbyllur sytë para veprimeve të
forcave pro-ruse në rajon — Trump po e vazhdon një trend i cili po i rrezikon interesat
e SHBA-ve diku tjetër, edhe pse ai po deklarohet se është kah e mbron
stabilitetin nëpër të gjithë botën.
Dhe kjo, sipas ekspertëve, është një poker i dobët me pasoja katastrofale për
ngërçin ndërmjet Kosovës e Serbisë.
Forcat ushtarake të ShBA-ve në Kosovë “janë shtylla e vetme e stabilitetit në rajon,” pat shkruar në Twitter gjenerali i pensionuar Ben Hodges, i cili ishte komandant i Armatës së Sh.B.A-ve në Europë nga viti 2014 deri në 2017, duke iu përgjigjur kërcënimit të tërheqjes së trupave nga djali i Trump.
“Tërheqja e tyre tani, para zbatimit të marrëveshjeve, do të ishte sikur të tërhiqnit të gjithë sulmuesit në fund të ndeshjes së futbollit, pak para se të dilni në avantazh.“
Marrëveshjet e synuara për zbatim, do të përfshinin konteste territoriale
ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, do nxisnin shkëndijë që me siguri do ta ndizte
një fuçi që rajoni nuk do ta përballonte, vetëm një gjeneratë pas kolapsit të
Jugosllavisë.
Çfarëdo ndarje “rrezikon shkëmbimin e detyruar të popullsisë e poashtu edhe dhunë”, pat shkruar në fillim të këtij muaji Shaun Byrnes, një ish diplomat amerikan që shërbeu në Kosovë gjatë kulminacionit të fushatës irredentiste të Milosheviqit.
“Më keq, ajo mund të ringjallë ëndrrat e nacionalistëve radikalë diku tjetër në Ballkan.”
Ata nacionalistë radikalë tashmë e shohin administratën e Trumpit si një aleat të ëndrrave të tyre për t’i ndryshuar kufijtë e pas Luftës së Ftohtë, dhe se familja e Trump duket se me qejf do ta detyronte atë kurs – pa marrë parasysh për çmimin që do ta paguanin popujt e gadishullit Ballkanik, apo për namin e Amerikës.
Çfarëdo që të jetë epilogu, lobistët i marrin paratë.
Casey Michel është reporter hulumtues me bazë në Nju Jork.
Artikulli është përdorur me autorizimin e autorit. Ndalohet kopjimi dhe reprodukimi i artikullit apo pjesëve të tij pa pëlqimin e autorit Përktheu dhe përshtati: Visar Hoti
Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, do të zhvillojë bisedime në Shkup sot dhe nesër me udhëheqësit e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor për përshpejtimin e zbatimit të Planit evropian të Rritjes për këtë rajon, njoftoi Komisioni Evropian.
Udhëheqësit nga Kosova, Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe komisionarja Kos do të përqendrohen në reformat kyç për të “zhbllokuar” ndarjen e fondeve nga Plani i Rritjes dhe të sjellin përfitime të prekshme për qytetarët e shteteve kandidate për anëtarësim në BE para pranimit të tyre në bllok, u tha në njoftim.
Nga Plani i Rritjes, të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor – përveç Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës – kanë marrë fondet e para të para-financimit.
Takimi në Shkup po ashtu do të jetë mundësi për të diskutuar për fusha të reja të bashkëpunimit: mbrojtja e konsumatorëve, turizmi dhe rruga drejt tregut të përbashkët që do të përshpejtonte integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët të BE-së.
Gjatë takimit dyditor, Komisioni Evropian do të propozojë një paketë të investimeve në vlerë prej 87.7 milionë eurosh nën Kornizën ekzistuese të Investimeve në Ballkanin Perëndimor (WBIF), e cila pritet të tërheqë pothuajse gjysmë miliardi euro në investime private për projekte të energjisë së pastër në mbarë rajonin, u tha në njoftim.
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor ofron përfitime për shtetet e rajonit që po përgatiten për anëtarësim në BE dhe gjatë takimit, pjesëmarrësit do të rishikojnë përparimin dhe do të diskutojnë për hapat e mëtejmë.
KE-ja tha se qëllimi i Planit të Rritjes është të stimulojë ekonominë e Ballkanit Perëndimor dhe të ndihmojë shtetet e rajonit që t’i bashkohen bllokut.
Plani i Rritjes parasheh mbështetje financiare prej 6 miliardë eurosh, nga të cilat 2 miliardë janë grante dhe 4 miliardë janë kredi të buta të ofruara nga BE-ja për reforma dhe investime në fusha sikurse energjia, transporti dhe transformimi digjital me qëllim që të rritet prosperiteti dhe stabiliteti në rajon.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut njoftoi se kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, do të ketë takim të ndarë me komisionaren Kos sot dhe të dy më pas do të kenë një adresim të përbashkët të martën. Të martën do të mbahen dy panele, e para do t’i kushtohet Planit të Rritjes dhe e dyta për mekanizma specifikë dhe mbështetje për zbatimin e planit.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka thënë se Irani e ka “shkelur plotësisht” armëpushimin mes Izraelit dhe Iranit duke lëshuar raketa pas hyrjes në fuqi të armëpushimit.
Katz theksoi se e ka urdhëruar ushtrinë izraelite t’i rifillojë sulmet ndaj caqeve paramilitare dhe qeveritare në Iran.
Izraeli tha se ka vërejtur raketa të lëshuara nga Irani në hapësirën e tij ajrore më pak se tri orë pas hyrjes në fuqi të armëpushimit, pasi si Izraeli, ashtu edhe Irani e kishin pranuar thirrjen e presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës 12-ditore që ka tronditur Lindjen e Mesme.
Pranimi i marrëveshjes nga të dyja palët mëngjesin e së martës erdhi pasi Teherani e kreu sulmin e fundit raketor ndaj Izraelit, si pasojë e të cilët humbën jetën katër njerëz në orët e hershme të mëngjesit të së martës, ndërkohë që Izraeli kreu bombardime në të gjithë Iranin para agimit.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Izraeli është pajtuar armëpushimin dypalësh me Iranin, në bashkërendim me Trumpin.
Netanyahu tregoi se të hënën në mbrëmje e kishte njoftuar kabinetin e sigurisë së Izraelit se vendi ka arritur të gjitha synimet ushtarake në operacionin 12-ditor kundër Iranit, përfshirë eliminimin e kërcënimit nga programet bërthamore dhe raketore balistike të Iranit.
Izraeli gjithashtu ka dëmtuar udhëheqjen ushtarake iraniane dhe disa objekte qeveritare, si dhe mori kontrollin mbi hapësirën ajrore të Teheranit, tha Netanyahu.
“Izraeli do të përgjigjet me forcë ndaj çdo shkeljeje të armëpushimit”, tha Netanyahu.
Trump ka thënë mëngjesin e së martës se armëpushimi midis Izraelit dhe Iranit është tani në fuqi dhe u kërkoi të dyja vendeve të mos e shkelin atë.
“ARMËPUSHIMI TANI ËSHTË NË FUQI. JU LUTEM MOS E SHKELNI!” shkroi Trump në një postim në Truth Social.
Televizioni shtetëror i Iranit raportoi se armëpushimi hyri në fuqi në orën 7:30 të mëngjesit, por zyrtarët iranianë nuk kanë folur ende pas njoftimit të Trumpit për hyrjen e armëpushimit në fuqi.
Disa orë më parë, diplomati më i lartë i Iranit deklaroi se vendi ishte i gatshëm të ndalte sulmet ajrore.
Abbas Araqchi tha herët të martën se nëse Izraeli e ndal “agresionin e tij të paligjshëm” kundër popullit iranian jo më vonë se në orën 4 të mëngjesit me orën e Teheranit të martën, Irani nuk e ka ndër mend të vazhdojë me përgjigje ushtarake më pas.
“Operacionet ushtarake të Forcave tona të Armatosura të fuqishme për të ndëshkuar Izraelin për agresionin e tij vazhduan deri në minutën e fundit, në orën 4 të mëngjesit. Së bashku me të gjithë iranianët, i falënderoj Forcat tona të Armatosura të guximshme, të cilat mbeten të gatshme të mbrojnë vendin tonë të dashur deri në pikën e fundit të gjakut të tyre dhe që iu përgjigjën çdo sulmi të armikut deri në minutën e fundit”, shkroi Araqchi në X.
Kur njoftoi pas mesnatës për një armëpushim të plotë për t’i dhënë fund një lufte, siç e quajti ai, 12-ditore, Trump la të kuptohej se Izraeli dhe Irani do të kishin kohë t’i përfundonin misionet që ishin në zhvillim e sipër, pas së cilave armëpushimi do të hynte në fuqi.
Dëshmitarët thanë se dëgjuan shpërthime pranë Tel Avivit dhe Beershebas në jug të Izraelit, para se armëpushimi të hynte në fuqi.
Ushtria izraelite tha se gjashtë valë raketash u lëshuan nga Irani dhe shërbimi kombëtar i ambulancës në Izrael tha se katër njerëz u vranë në Beersheba, viktimat e para të raportuara në Izrael që nga shpallja e armëpushimit nga Trump.
Agjencia gjysmë-zyrtare e lajmeve në Iran, SNN, raportoi të martën në mëngjes se Teherani lëshoi valën e fundit të raketave para se të hynte në fuqi armëpushimi.
Kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, e siguroi marrëveshjen e Teheranit gjatë një telefonate me zyrtarë iranianë, tha për Reuters të martën një zyrtari të informuar për negociatat.
Në të njëjtën kohë, nënpresidenti amerikan JD Vance, sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe i dërguari i posaçëm amerikan Steve Witkoff ishin në kontakt të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë me iranianët, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
Disa orë më parë, tre zyrtarë izraelitë kishin sinjalizuar se Izraeli po kërkonte të përfundonte fushatën e tij në Iran së shpejti dhe ua kishin përcjellë këtë mesazh Shteteve të Bashkuara.
Armëpushimi vjen pasi SHBA-ja i goditi centralet bërthamore të Iranit dhe Teherani u përgjigj duke sulmuar bazën ajrore amerikane në Katar.
Situata në Lindje të Mesme është e tensionuar prej sulmit të befasishëm të Izraelit në qendra bërthamore dhe ushtarake të Iranit më 13 qershor.
Izraeli ngul këmbë se Irani nuk mund të ketë armë bërthamore sepse ia rrezikon ekzistencën.
Irani mohon se ka pasur ndonjëherë program për armë bërthamore, por udhëheqësi suprem, Ali Khamenei, ka thënë se, nëse do të donte ta kishte një të tillë, liderët botërorë “nuk do të mund të na ndalonin”.
Izraeli, i cili nuk është palë e Traktatit Ndërkombëtar për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore, është vendi i vetëm në Lindjen e Mesme që besohet të ketë armë bërthamore. Izraeli as nuk e pranon e as nuk e mohon këtë.
Irani ka lëshuar disa raketa balistike drejt bazave amerikane në Katar dhe Irak.
Shteti i Katarit ka dënuar ashpër sulmin e Iranit kundër bazës ajrore amerikane Al-Udeid, megjithëse zyrtarët vendas kanë thënë se raketat janë rrëzuar dhe nuk ka raportime për viktima.
“Ne e konsiderojmë këtë shkelje flagrante të sovranitetit të shtetit të Katarit, hapësirës së tij ajrore, ligjit ndërkombëtar dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara. Ne theksojmë se Katari rezervon të drejtën për t’u përgjigjur drejtpërdrejt dhe në mënyrë të barabartë me natyrën dhe shkallën e këtij agresioni”, ka thënë Majed al-Ansari, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Katarit, përmes një postimi në rrjetin social X.
Në ndërkohë, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë bërë të ditur se kanë mbyllur hapësirat ajrore.
Sekretariati i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit ka thënë se numri i raketave që Irani përdori për të sulmuar Bazën Ajrore Al Udeid në Katar ishte i njëjtë me numrin e bombave që SHBA-të përdorën për të goditur objektet bërthamore iraniane, transmeton CNN.