Që nga data 28 tetor parafilloristët e shkollës fillore “Rizah Matoshi” në Nikadin të Ferizajt nuk kanë vijuar mësimet në klasë, pasi një nxënës i klasës së tyre ka rezultuar pozitiv me koronavirus.
Drejtori i kësaj shkolle Ali Luzha, tha se parafilloristët po e vazhdojnë mësimin online.
“Pasi kemi marrë infomacione se prindërit e nxënësve, në fakt dy nxënës, një i klasës së tretë dhe parafillor, prindërit e tyre kanë rezutuar pozitiv atëherë ne i kemi udhëzur prindërit që teste t’iu bëhen edhe fëmijëve dhe atyre u janë bërë dhe më 28.10.2020 na vijnë rezultatet nga Instituti se fëmija ka rezultuar pozitiv dhe tani klasa parafillore vazhdon mësimin online. Testit i janë nështruar edhe mësuesja e klasës dhe arsimtarja lëndore e gjuhës angleze dhe kanë rezultuar negativ”, tha Luzha.
Drejtori i Arsimit në Ferizaj Afrim Llabjani, njofton se ditëve të fundit është rritur numri i mësimdhënësve që kanë rezultuar pozitiv me COVID-19 në komunën e Ferizajt.
“Gjendja në komunën e Ferizajt deri më tani ka qenë stabile, por megjithatë këto dy javët e fundit kemi një fillim të infeksionit apo shpërndarjes së virusit nëpër shkolla, kemi disa mësimdhënës që janë të infektuar dhe kanë kaluar në izolim 14 ditor. Nga testimi i 432 mësimdhënësve ne kemi 21 të infektuar, 11 të shëruar dhe 10 aktiv, ndërsa nga personeli tjetër kemi një drejtor dhe një punëtor ndihmës, kurse sa i përket nxënësve kemi 87 nxënës të testuar, 6 kanë rezultuar pozitiv, mirëpo që janë të shëruar dhe për momentin 1 është aktiv”, theksoi Llabjani.
Llabjani ndër të tjera theksoi se deri tani shkollat nuk kanë qenë burim i infeksionit, por nëse vazhdon të rritet numri i të infektuarve nëpër shkolla do të kalojnë në skenarin tjetër, i cili është mësimi në distancë.