Ferizaj mobilizohet për ta ndihmuar Valentina Ibrahimin

Ferizaj edhe një herë po dëshmon se është qytet solidar. Pas njoftimit se një vajzë e re nga ky qytet ka nevojë për ndihmë financiare për t’u shëruar në Turqi, filloi mobilizim i madh në të gjithë qytetin.

Këngëtari ferizajas Labinot Tahiri nga iniciativa që mori për t’i dalë në ndihmë Valentina Ibrahimit, vetëm gjatë ditës së djeshme grumbulloi 28 mijë euro.  

Aksionit për ta ndihmuar 24 vjeçaren iu bashkuan edhe vullnetarët e Sektorit të Rinisë në Ferizaj. Ata kanë vendosur që përmes shitjes së librave të grumbullojnë para për shërimin e Valentinës.

 “I kemi kontaktuar të gjithë autorët e qytetit tonë, vullentarët, qytetarët që kanë pasur libra, të cilët edhe i kanë sjellur këtu, interesimi ka qenë mjaft i madh, vetëm dje afërsisht i kemi mbledhur 1500 euro”, tha Eris Berisha nga Sektori i Rinisë në Ferizaj.

Para për Valentinën janë duke u mbledhur edhe përmes shitjes së pikturave. Është piktorja Pranvera Sylejmani ajo e cila është duke shitur piktura online për ta ndihmuar Valentinën.

“Duke parë që është bërë aksion për shitjen e librave vendosa që edhe unë me piktura me fillu. Piktura ime u ble nga një bashkëatdhetar dhe tani nuk jam unë, por janë shumë artistë, jo vetëm nga Kosova, por edhe nga rajoni. Ka shumë të interesuar  dhe në vazhdimësi jam duke i publikuar pikturat që po më dërgohen“, tha Pravera Sylejmani.

Për 24 vjeçaren e diagnostikuar me leukemi aktue janë moblizuar edhe gastronomët e këtij qyteti, të cilët kanë vendosur arka të bamirësisë për Valentinën.

Leave a Comment

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.