SpaceX e nis CRS-21 drejt Stacionit Hapësinor

CAPE CANAVERAL, Fla. – Gjiganti amerikan SpaceX e nisi sot me sukses një mision të ri furnizimi të Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar për klientin e vet NASA-n, duke e përdorur versionin e modifikuar të kapsulës për transport Dragon Cargo.
Një raketë dyshkallëshe Falcon 9, sot në ora 11:17 ia mësyu qiellit nga platforma Pad 39A e Qendrës Hapësinore Kennedy të NASA-s, duke e shënuar misionin e 21-të të transportit të mallrave dhe lansimin e 24-të brenda këtij viti. Përafërsisht 9 minuta më vonë, shkalla e parë e raketës u kthye në Tokë, duke u ulur me butësi në një nga anijet-platformë të SpaceX në Oqeanin Atlantik. Anija masive, e quajtur “Of Course I Still Love You”, është njëra nga dy sosh që gjenden në flotën e anijeve të kompanisë, të cilat kanë për detyrë të presin raketat gjatë aterrimit dhe t’i kthejnë ato në port për ripërdorime të mëvonshme.
Kapsula kargo përmban 2,903 kilogramë me furnizime dhe materiale për hulumtime shkencore. Pajisja kërkimore do të mbështesë një sërë eksperimentesh në shkencat e natyrës, në mjekësi rigjeneruese dhe shumë fusha të tjera. Natyrisht, dërgesa e sotme përmbante edhe pako të Krishtlindjeve për ekuipazhin që gjendet në orbitë, brenda Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor (ISS) .

Leave a Comment

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

300X220