Shkollat e Ferizajt përgatiten për gjysmëvjetorin e dytë

Shkollat e Ferizajt kanë bërë përgatitjet e nevojshme për të nisur gjysmëvjetorin e dytë më 18 janar.

Drejtori i Arsimit në Ferizaj Afrim Llabjani, tha se tashmë i kanë furnizuar shkollat me materiale higjienike anti-covid dhe të gjitha objektet shkollore janë të gatshme për t’i pritur nxënësit.

“Gjysmëvjetori i dytë do të filloj ashtu siç ka filluar edhe gjysmëvjetori i parë nën masat anti-covid, ku të gjitha shkollat janë të pajisura me ato pajisje që janë kërkuar në fillim, ne dje kemi shpërndarë një numër të konsiderueshëm të mjeteve higjienike në komunën e Ferizajt që është bërë falë UNICEF-it dhe USAID-it, kështu që aty ku ka probleme do të mundohemi që deri të hënën t’i sanojmë ato defekte eventuale që janë”, tha Llabjani.

Llabjani tha se mësimi do të mbahet me orar të shkurtuar, siç ka qenë në gjysmëvjetorin e parë, përveç në ato shkolla ku ekzistojnë mundësitë që të punohet me orar të rregullt.

 “Në takimin që kemi pasur me ministrin e arsimit, ai ka kërkuar që në ato shkolla ku është mundësia të rritet minutazha e orës mësimore dhe ne pas takimit që do ta kemi me drejtorët e shkollave, do të shohim se në cilat shkolla kanë hapësirë për ta rritur minutazhën e orës“, tha Llabjani.

Paralajmërime për grevë në fillim të këtij gjysmëvjetori ka pasur nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit. Kryetari i kësaj Sindikate në Ferizaj Rexhep Sadiku, tha se ata nuk kanë hequr dorë nga greva, por e kanë pezulluar atë për një javë.

 “Ndonëse kemi paralajmëruar fillimisht se mësimi nuk do të filloj të hënën, por këshilli drejtues ka vendosur që mësimi të filloj për një javë që do të thotë se greva nuk është anuluar, por është pezulluar për një javë dhe brenda kësaj jave mendojmë që përmes dialogut të zgjidhen kërkesat tona dhe nëse ato nuk gjejnë kompromis gjithsesi pas një jave greva është e paevitueshme”, tha Sadiku.

Sadiku thotë se kërkesat e tyre për kontratë kolektive dhe shtesat prej 100 eurosh për mësimdhënës në këtë kohë pandemie, janë të arsyeshme.

 “Opinioni i painformuar mund të habitet pse mësimdhënësit në këtë kohë, në këtë kohë janë edhe shëndetësia edhe policia dhe të gjithë të tjerët dhe nëse ata janë të rrezikuar edhe ne jemi të rrezikuar gjatë kohës së Covid-it, kështu edhe mësimdhënësit i ekspozohen rrezikut. Ndërsa, nënshkrimi i kontratës kolektive përmban bazamentin sindikalist pa të cilin nuk mund të operojmë si mësimdhënës, prandaj nuk janë këto kërkesa megalomane, por të arsyeshme”, tha Sadiku.

Gjatë gjysmëvjetorit të parë të vitit shkollor 2020/2021, në Ferizaj u infektuan 160 mësimdhënës, 53 nxënës dhe 27 personel tjetër.

Leave a Comment

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

300X220