Në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Ferizajt ishte paraparë që të votohet Propozim-Vendimi për Plotësimin dhe Ndryshimin e Statutit të Komunës në mënyrë që të krijohet Drejtoria e Inspektoratit.


Megjithatë gjatë diskutimit të rendit të ditës, grupi kuvendar i Lëvizjes Vetëvendosje kërkoi që ky propozim-vendim të shtyhet për në shtator.


“Para se të miratojmë rendin e ditës ne si Lëvizje kërkojmë që Plotësim-ndryshimi i Statutit të Komunës për formimin e Drejtorisë së Inspektoratit të shtyhet në seancën e shtatorit. Është e vërtetë që ne prej fillimit të mandatit kemi kërku që të formohet kjo drejtori, por në këtë rast nuk kemi një linjë buxhetore sa i përket formimit të drejtorisë, pasi edhe në buxhet vjetor nuk e kemi si linjë të veçantë buxhetore krijimin e kësaj drejtorie. Kishim kërku nga ekzekutivi këtë për në seancën e shtatorit kur edhe formojmë një vijë buxhetore të saktë për drejtorinë përkatëse ose në një kohë të pacaktuar”, Fitore Lipovica, kuvendare e Lëvizjes Vetëvendosje.


E, nga shumica e kuvendarëve u tha se nuk ka nevojë që të bëhet shtyerja e kësaj pike.

“Një sqarim në lidhje me propozimin e përfaqësuesit nga Lëvizja Vetëvendosje. Mendoj që nuk është arsye kjo sepse linja buxhetore ekziston, inspektorët veçse janë në punë. Qe tre vjet ka qenë edhe kërkesë e tyre që të bëhet Drejtoria e Inspektoratit mirëpo tani ka ardhë koha dhe momenti që mund të bëhet. Mendoj që Drejtoresha e Financave duhet me dhënë arsyetimin që nuk është arsye që me u shty kjo për linjën buxhetore. Prandaj kërkoj nga Drejtoresha e Financave që në mënyrë më të mirë t’i jap përgjijgie këtij arsyetimi të përfaqësuesëve të Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Lulzim Abazi PDK.


Pavarësisht diskutimeve, propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për shtyrje të kësaj pike kaloi me 15 vota për dhe 12 kundër.


Në këtë mbledhje u shtuan edhe dy pika të rendit të ditës. Transferi i mjeteve sipas buxhetit të vitit 2021 dhe Bartja e mjeteve të të hyrave vetanake nga vitit 2020 në vitin 2021.


“Unë do të arsyetoja vetëm bartjen e të hyrave në kategoritë ekonomike të cilat i kemi bërë. Gjithsej në total i kemi 661,268 euro e 78 cent. Në subvencione kemi parapare që t’i bartim 390 mijë euro. Në mallera dhe shërbime 71 mijë e 268 euro e 78 cent. Tek projektet kapitale, kryesisht tek infrastruktura publike 200 mijë euro për projektet që prej përmbarusëve janë marrë dhe kanë mbetur pa mjete”, tha Sebahate Ajeti-Sadiku, Drejtoreshë e Financave.


Pika e Transferimit të mjeteve sipas buxhetit të vitit 2021 kaloi me 20 vota për, nëntë kundër dhe tre abstenime.


E Bartja e Mjeteve të të hyrave vetanake nga vitit 2020 në vitin 2021 kaloi me 37 vota për, pa vota kundër e abstenime.

Të ngjashme

Të tjera