S’ka ankesa për testet rapide në QKMF

Vetëm gjatë ditës së sotme, në QKMF në Ferizaj me teste rapid për Covid-19 janë testuar hiç më pak se 170 persona.

Nga ta, 18 kanë rezultuar pozitiv me koronavirus, teksa deri më tani këtu janë testuar 7807 persona.

Spekulimet se QKMF nuk po jep rezultatin e testit rapid, personave të testuar, sot i demantoi shefi i Diagnostikës në QKMF, Xhevdet Haxhidema duke pohuar se qytetarët gjithnjë kanë pasur mundësi të marrin rezultatin qoftë pozitiv apo negativ edhe për udhëtim.

“Nëse dikush nuk del pozitiv dhe nuk i duhet as për çështje të vaksinës por as për arsyetim në punë por thjesht do me e marrë, ne e japim raportin e testit për të gjithë qytetarët qoftë pozitiv apo negativ. Çdo ditë pune nga ora 7 në mëngjes deri në ora 7 në mbrëmje, pavarësisht se kur e ka bërë testin çdo qytetar mundet me ardhë dhe me e marrë raportin. I kemi të dhënat e mbi 7800 rasteve të testuara dhe nëse dikush do me e marrë raportin sigurisht se mundet me ardhë dhe me e marrë.”

Xhevdet Haxhidema – Shef i Diagnostikës në QKMF

Megjithëse se disa burime anonime japin indikacione se ka pasur raste se qytetarët janë refuzuar për shkak të mungesës së udhëzimit të mjekut apo me kërkesë për udhëtim, zyrtarisht nuk ka pasur pakënaqësi të theksuara për këtë proces.

“Për shkak të numrit të madh të qytetarëve, ka pasur edhe pakënaqësi të vogla, por të arsyeshme. Por në 90% të rasteve deri tash puna ka shkuar shumë mirë. Kemi pasë edhe kërkesa të tilla, ditëve të fundit kemi dhënë edhe raporte të tilla, nuk është se nuk kemi lëshuar raporte por prapë u kisha bërë thirrje qytetarëve që testimet që i bëjmë në QKMF të kursehen dhe të ruhen për ata që kanë kanë vërtetë nevojë, kur është në pyetje diagnostifikimi i qytetarëve. Por kur ka kërkesa të tilla ne asnjë nuk e refuzojmë, japim edhe raporte të tilla, tash vlenë apo nuk vlenë një raport i tillë për të udhëtu në një vend të caktuar të Evropës kjo varet nga vendi ku kanë me udhëtu.”

Xhevdet Haxhidema – Shef i Diagnostikës në QKMF

Sipas zyrtarëve për testim rapid, qytetarët të cilët kanë pasë nevojë për raport me qëllim udhëtimi, vetëm është dashur ta tregojnë qëllimin e testit dhe do të pajiseshin me dokument pa asnjë problem.