Mbeten shqetësuese shifrat e larta të qytetarëve të Kosovës të cilët po e braktisin vendin për një jetë më të mirë në shtetet perëndimore. Emigrimi i qytetarëve, vit pas viti po vazhdon të rritet.

Derisa në vitin e kaluar ishin larguar nga Kosova 42 mijë e 728 qytetarë, këtë vit pritet që kjo shifër të jetë edhe më e lartë. Për sociologët, arsye kryesore të largimit janë papunësia dhe pagat e ulëta.

Drejtori për statistika të popullsisë në Agjenci të Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati ka paralajmëruar se trendi i emigrimit është në rritje, kryesisht për shkak të gjendjes ekonomike.

Ai thotë se këtë vit emigrimi do të jetë edhe më i lartë se në vitin 2021, kur ishin larguar nga vendi rreth 43 mijë qytetarë.

 “Edhe këtë vit sikur vitin e kaluar do të ketë emigrim të qytetarëve, ndoshta pak më shumë, sipas disa diskutimeve që i kemi pasur me institucionet ndërkombëtare. Por, ky trend do të vazhdojë edhe për një kohë, sepse vendet e fuqishme zhvillimore perëndimore po kanë nevojë për punëtorë. Nëse ndodhë liberalizimi i vizave a do të ketë emigrim edhe më të lartë? Nuk ka të dhëna të sakta, shtetet e ndryshme kanë pasur emigracion të ndryshëm, do kanë shkuar menjëherë pas liberalizimit, do pas një kohe. Besoj se kur do të bëhet liberalizimi i vizave do të ketë një dyndje në fillim për largim, por kanë me qenë të specifikuara se sa mund të qëndrojnë qytetarët në vendet perëndimorë.”, thekson Kastrati.

Sociologu Jeton Brajshori thotë se institucionet e Kosovës nuk janë duke bërë aspak mjaftueshëm për të parandaluar një ikje kaq të madhe të qytetarëve, ani se qeveria, sipas tij proklamon vazhdimisht se ka rritje ekonomike.

 “Moshat e reja migrojnë më së shumti, zakonisht ata prej moshës 18 vjeçare deri në moshën 30 vjeçare, që mund të futën në treg të punës më lehtë. Si të parandalohet kjo? Rritja e punësimit, ngritja e pagave, sigurimet shëndetësore, pra qytetari të bëjë një jetë më mirë në vendin e tyre, për arsye se të rinjtë gjithmonë kërkojnë një jetë më të mirë, që është normale për të gjithë rininë tonë që e kemi të mrekullueshme. Institucionet nuk janë duke bërë aspak mjaftueshëm për arsye se edhe pse thuhet se kemi ngritje ekonomike, ne shohim se pagat kanë mbetur në nivelin e njëjtë dhe për këtë arsye shtrenjtimi i çmimeve, e cila është edhe si pasojë e krizës globale, bën që të rinjtë të shohin një jetë më të mirë jashtë”, thotë Brajshori.

Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) për vlerësimin e popullsisë për vitin 2021, thuhet se pjesa dërmuese e emigrantëve për vitin 2021 ishin emigrantët legalë.

Popullsia në Kosovë për vitin 2021 vlerësohet të jetë 1 milion e 773 mijë e 971 banorë rezidentë, shifër më e ulët krahasuar me regjistrimin e popullsisë, një dekadë më parë, 2011./KP/

Të ngjashme

Të tjera