Connect with us

Ferizaj

Pagat u bëhen 708 euro me ligjin e ri por çfarë pune bëjnë asamblistët e Ferizajt?

Published

on

Me projekt-ligjin për pagat, anëtari i Kuvendit Komunal të një qyteti si Ferizaj me mbi 100 mijë banorë do të ketë koeficient 5.9.

Me koeficientin prej 5.9 dhe që një koeficient të jetë me shumë prej 120 eurosh atëherë i bie që një asamblist në Ferizaj të paguhet 708 euro.

Me gjithë këtë rritje, shumica e qytetarëve nuk është se janë të informuar në detaje se çfarë funksione kryen Kuvendi Komunal.

Për të ditur se çfarë detyrash kanë kuvendarët të cilët i zgjedhim me votë mjafton të lexojmë Ligjin nr 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale.

Ky ligj me nenin 40 përcakton funksionet e Kuvendeve Komunale në Kosovë.

Paragrafi i dytë i nenit 40 thotë: Kuvendi i komunës nuk i delegon përgjegjësitë e tij lidhur me marrjen e vendimeve për:

a) statutin dhe Rregulloren e punës, rregulloret komunale dhe miratimin, ndryshimin dhe shfuqizimin e tyre,

b) miratimin e buxhetit dhe planeve investuese;

c) miratimin e çështjeve të tjera financiare, të cilat janë të rezervuara për kuvendin sipas statutit apo rregullores së punës;

d) planin vjetor të punës dhe raportin vjetor;

e) themelimin e komisioneve të kërkuara sipas këtij Ligji;

f) zgjedhjen e kryetarit dhe zëvendëskryetarit të komunës;

g) niveli i tarifave dhe ngarkesave;

h) krijimin dhe përdorimin e simboleve, dekoratave dhe titujve të nderit të komunës, në pajtim me ligjin në fuqi;

i) emërimin dhe riemërimin e rrugëve, rrugicave dhe vendeve të tjera publike;

j) arritjen e marrëveshjeve ndërkomunale dhe brenda komunale;

k) marrjen e vendimeve për t’u bashkuar me asociacione përfaqësuese të komunave të Republikës së Kosovës; dhe

l) përgjegjësive të tjera që kërkohen me ligj.

Pra, ky nen tregon se për të gjitha këto çështje, të votuarit tonë për Kuvendin Komunal(Asamblenë Komunale) kanë detyrë dhe përgjegjësi që të marrin vendime.

Kuvendi Komunal për marrjen e vendimeve mundet që t’i delegojë këto detyra dhe mund të tërheqë delegimin kurdo që kuvendarët duan.

Paragrafi i tretë i nenit 40-të thotë: Për marrjen e vendimeve, kuvendi i komunës mund t’ia delegojë pushtetin e tij komitetit të kuvendit të komunës, apo kryetarit të komunës. Kuvendi i komunës mund të tërheqë delegimin në çdo kohë.

Të gjitha Kuvendet janë të obliguara me këtë ligj që të mbajnë së paku 10 takime të rregullta në vit.

A e keni ditur se të gjitha këto takime të Kuvendit Komunal janë të hapura për opinionin?

Se çdo kush mund të marr pjesë në këto takime, kjo rregullohet me ligjin për vetëqeverisje lokale, saktësisht me nenin 45 të këtij ligji:

45.1 Takimet e kuvendit të komunës dhe të gjitha komisioneve të tij janë të hapura për opinion. Anëtarëve të publikut u lejohet pjesëmarrja në takime të kuvendit të komunës, ashtu siç është paraparë në Rregulloren e punës.

Ligji i jep mundësinë Kuvendit Komunal që të thërrasë edhe takime të jashtëzakonshme, takime këto që precizohen me nenin 44 të këtij ligji:

44.1 Takimi i jashtëzakonshëm i kuvendit të komunës caktohet me kërkesën e bërë me shkrim nga, më së paku, një e treta e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të kuvendit të komunës, apo me kërkesë të kryetarit.

44.2 E drejta për të thirrur një takim të jashtëzakonshëm gjithashtu përfshin të drejtën për caktimin e rendit të ditës për takimin e caktuar.

44.3. Pikat e caktuara në rendin e ditës për mbledhjet e jashtëzakonshme, nuk mund të ndryshohen gjatë mbledhjes.

44.4 Takimi i jashtëzakonshëm i kuvendit të komunës nuk mbahet nëse të gjithë anëtarët e kuvendit të komunës dhe publiku nuk janë njoftuar me shkrim, siç kërkohet me rregulloret e punës, së paku tri (3) ditë pune para datës së mbajtjes së takimit.

44.5 Procedurat e njëjta që kërkohen për njoftimin dhe çështjet e tjera që zbatohen për mbledhjet e rregullta, zbatohen për mbledhjet e jashtëzakonshme gjithashtu.

44.6 Procedurat e lartpërmendura nuk zbatohen për takimet që thirren për shkak të rrethanave urgjente.

Rendi i ditës, pra ajo se për çka flitet në këto mbledhje të Kuvendeve Komunale rregullohet me po këtë ligj.

Ky ligj u jep mundësinë anëtarëve të Kuvendit Komunal të propozojnë pika të rendit të ditës të cilat sipas tyre kanë rëndësi diskutimi.

Neni 47

Rendi i ditës

47.1 Rendi i ditës për takimin e kuvendit të komunës caktohet nga kryesuesi i kuvendit të komunës në marrëveshje me Kryetarin e Komunës.

47.2 Anëtari i kuvendit të komunës mund të kërkojë shtimin e një pikë në rendin e ditës gjatë seancës së rregullt të kuvendit të komunës, nëse çështja që kërkohet të përfshihet në rend të ditës është çështje urgjente me rëndësi publike.

47.3 Kërkesa e tillë mund të miratohet apo refuzohet me votën e shumicës.

47.4 Rregullorja e punës së kuvendit të komunës parasheh dispozita tjera për përgatitjen, miratimin dhe ndryshimin e rendit të ditës.

Kuvendet Komunale, vendimet i marrin përmes votimit, e që një vendim të jetë i vlefshëm duhet që të votojnë së paku shumica e anëtarëve prezent.

Neni 48

Votimi

48.1 Në të gjitha takimet e kuvendit të komunës dhe komitetet e tij, çdo person, përfshirë edhe kryesuesin, ka nga një votë, por kryesuesi ka një votë shtesë nëse votimi është i barabartë për ose kundër një propozimi.

48.2 Nëse ndryshe nuk parashihet shprehimisht në këtë ligj, vendimet e kuvendit të komunës aprovohen me shumicën e anëtarëve që janë të pranishëm dhe votojnë.

48.3 Abstenimet regjistrohen me qëllim të themelimit të kuorumit, por nuk merren parasysh në rezultatet e votimit.

Por a e keni ditur që Qeveria e Kosovës mund të shpërndajë Kuvendin Komunal në rast se ai shihet si jofunksional?

Në një rast të tillë Komuna do të shkonte në zgjedhje.

Neni 50

Shpërndarja e kuvendit jofunksionues të komunës

50.1 Nëse kuvendi i komunës dështon në kryerjen e funksionit të detyrueshëm sipas standardeve të përcaktuara me ligj, apo nëse bëhet jofunksionuese dhe kështu rrezikon ushtrimin e të drejtave themelore të qytetarëve, ministria përgjegjëse për qeverisje lokale njofton komunën për dështimin dhe kërkon që të ndërmerren masa të duhura në mënyrë që të sigurohet kryerje e qetë e funksionit komunal.

50.2 Kuvendi i Komunës konsiderohet jo funksionuse nëse:

a) nuk e zgjedh kryesuesin, tridhjetë (30) ditë pas themelimit;

b) nuk miraton statutin e saj brenda gjashtëdhjetë (60) ditësh pas themelimit;

c) nuk miraton buxhetin sipas afatit të paraparë me ligjin përkatës; ose

d) nuk mban mbledhje për një periudhë më të gjatë se gashtë (6) muaj;

50.3 Ministria përgjegjëse për qeverisje lokale e njofton Qeverinë e Republikës së Kosovës për mosfunksionimin e komunës. Qeveria mund ta shpërndajë kuvendin e komunës jofunksionues.

50.4 Zgjedhjet e reja për kuvendin e komunës mbahen në pajtim me ligjin për zgjedhjet komunale.

Këto janë disa nga detyrat dhe funksionet e asamblistëve në Kuvendet Komunale.

Detajet e tërësishme mund të gjenden në Ligjin nr 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale të miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 20.02.2008.

Ferizaj

Festim Ramadani dënohet me 16 vjet burgim për vrasjen në Bibaj të Ferizajt

Published

on

Gjykata Themelore në Ferizaj, departamenti për Krime të Rënda, e ka shpallur fajtor ish-policin Festim Ramadanin për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Ramadani është dënuar me 16 vjet burgim. Sipas aktgjykimit, në dënim do të llogaritet edhe koha e tij e kaluar në paraburgim, nga 16 gushti 2024. Dënimi do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Sipas akuzës, ngjarja kishte ndodhur më 16 gusht 2024, rreth orës 19:21, në parkingun e oborrit të restorantit “F. Palace”, në fshatin Bibaj të Komunës së Ferizajt, gjatë një ceremonie martesore.

I pandehuri akuzohej se me dashje dhe paramendim, për motive të pretenduara familjare, kishte shtënë me një armë zyrtare automatike të policisë në drejtim të viktimës S.S., duke e privuar atë nga jeta në vendin e ngjarjes.

Gjykata ka vendosur që Festim Ramadanit t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më gjatë se kohëzgjatja e dënimit të shqiptuar.

Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar, thuhet mes tjerash në njoftim.

#

Continue Reading

Ferizaj

Një burrë theret me kaçavidë nga dy persona në Ferizaj

Published

on

Një burrë është therur me kaçavidë nga dy persona të panjohur në Ferizaj.

Rasti është raportuar mbrëmjen e së hënës rreth orës 22:30. Sipas policisë, viktima ka pësuar lëndime të lehta trupore dhe pas trajtimit mjekësor është liruar.

Ferizaj / 21.09.2026 – 22:30.

‘Është raportuar se viktima mashkull kosovar ka kërkuar ndihmë mjekësore, pasi dyshohet se i njëjti është therur me një mjetë të mprehtë (kaçavidë) nga dy persona të panjohur. Pas tretmanit mjekësor i njëjti është liruar”, thuhet në raportin e policisë.

Continue Reading

Ferizaj

Javën e kaluar Policia shqiptoi 1205 gjoba dhe pezulloi 30 patenta shoferi në Ferizaj

Published

on

Policia e Ferizajt gjatë javës së kaluar ka shqiptuar 1 mijë e 205 gjoba për kundërvajtje në trafik  dhe ka pezulluar 20 patentë shoferi.

Në këtë hark kohor janë regjistruar 30 aksidente përfshirë edhe ato ku mbetën të lënduar 13 persona.

“Gjatë javës së kaluar, nga data 14-20.09.2026 janë shqiptuar 1.205 gjoba kundërvajtëse, si dhe janë pezulluar 20 patentë shoferë për shoferët e mjeteve që kanë kryer shkelje të rënda në trafik. Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar gjithsej 30 aksidente, nga të cilat 9 aksidente me lëndime, ku kanë mbetur të lënduar 13 persona 21 aksidente me dëme materiale”- thuhet në komunikatën e së hënës (21.09.2026) të Zyrës për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun të Policisë Rajonale të Ferizajt.

Continue Reading

Trending