Connect with us

Kosovë

Hill: Shtetet e Bashkuara duan sqarim se çfarë ka nënshkruar Serbia me Rusinë

Published

on

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill tha të hënën se Shtetet e Bashkuara duan “sqarim nga Serbia se çfarë ka nënshkruar me Rusinë në Nju Jork”, duke nënvizuar se në këtë periudhë “askush nuk do të duhej të nënshkruante asgjë me Rusinë”.

Të premten ministri i Jashtëm serb Nikola Selakoviç nënshkroi marrëveshjen për “konsultime” të ndërsjella mbi çështjet e politikës së jashtme me ministrin e jashtëm rus Sergey Lavrov në margjinat e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku shumica e delegacioneve perëndimore shmangën kryediplomatin rus për shkak të agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Njoftimi nxiti kritika të ashpra të një pjese të opozitës në Serbi por edhe të disa politikanëve të Bashkimit Evropian. Ministri serb Selakoviç u përpoq të dielën të ulë rëndësinë e marrëveshjes duke thksuar se ajo është “teknike” dhe nuk lidhet me çështjet e sigurisë.

Ambasadori Hill tha të hënën se në këtë periudhë askush nuk do të duhej të nënshkruante asgjë me Rusinë dhe “pak veta e bëjnë një gjë të tillë, përveç atyre rekrutëve të mjerë që mobilizohen për t’u dërguar në luftë”.

Ambasadori Hill tha se gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Shtetet e Bashkuara zhvilluan “bisedime të frytshme” me delegacionin e Serbisë për çështje globale por edhe çështje tjera.

“Vetëm më pas dëgjuam për atë dokument”, tha ambasadori Hill, duke theksuar se “Shtetet e Bashkuara duan sqarim nga Serbia”.

“Duam të dëgjojmë se çfarë dëshiron të bëjë Serbia në të ardhmen dhe të shohim se çfarë marrëdhëniesh do të zhvillojë me një vend që sulmoi brutalisht fqinjin e tij dhe madje shfrytëzon kërcënimet për të përdorur forcën bërthamore. Ne duam të kuptojmë se në çfarë mbështetet bashkëpunimi midis Serbisë dhe Rusisë”, tha ambasadori Hill.

BE-ja e shqetësuar më thellimin e marrëdhënieve Serbi – Rusi

Shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian në Beograd, Emanuele Giaufret, tha se nuk është koha për forcimin e lidhjeve me Rusinë dhe i bëri thirje Serbisë të harmonizojë politikën e saj të Jashtme me bllokun të cilit aspiron t’i bashkohet.

“Nuk guxojmë të harrojmë se Rsuia po kryen agresion kundër Ukrainës tash e shtatë muaj dhe po e forcon fushatën duke mobilizuar 300 mijë njerëz, duke organizuar referendume të paligjshme për shkëputjen e pjesëve të Ukrainës dhe po kërcënohet me armë të shkatërrimit në masë”, tha ai duke nënvizuar se “kjo nuk është koha për forcimin e lidhjeve me Rusinë dhe ajo marrëveshje e nënshkruar dërgon mesazh tërësisht të kundërt pavarësisht asaj që ka thënë Serbia se nuk do të njohje referendumet e organizuara nga Rusia”.

Ndonëse pohon se e mbështet tërësinë tokësore të Ukrainës, Serbia ka refuzuar vazhdimisht t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës. Përafrimi i politikave të jashtme me Bashkimin Evropian është një nga parakushtet kryesore për t’u anëtarësuar në bllokun 27-vendesh, por Serbia i ka kundërshtuar vazhdimisht thirrjet për ta bërë një gjë të tillë./VOA

Ferizaj

Manifestimi qendror për Fitër Bajram mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë

Published

on

Bashkësia Islame e Kosovës bëri të ditur agjendën për festën e Fitër Bajramit, më 20 mars 2026.

Kështu, manifestimi qendror që do të mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë fillon në orën 05:03 me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit do të mbahet ligjërata tematike kushtuar kësaj feste nga krye imami i KBI-së në Ferizaj, Ibrahim Beqiri.

Namazi i Fitër Bajramit falet në orën 06:18, të cilit do t’i prijë kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat Sahiti.

Hytben e Fitër Bajramit do ta mbajë Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i cili do t’i drejtohet opinionit të gjerë me mesazhin e kësaj feste.

Me rastin e festës së Fitër Bajramit, ditën e parë, më 20 mars 2026, Kryesia e BIK-ut, sipas traditës, organizon pritje urimi në selinë e saj nga ora 09:00 deri në orën 12:00.

“Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ua uron festën e Fitër Bajramit të gjithë besimtarëve dhe opinionit të gjerë, duke e lutur Zotin që t’i ketë pranuar agjërimin, lutjet dhe ibadetet tona.

Me fat festa e Fitër Bajramit!”, thuhet mes tjerash në njoftimin e BIK-ut.

Continue Reading

Kosovë

Aktakuzë ndaj katër të dyshuarve për manipulim të votave në Shtime

Published

on

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë kundër katër personave nën dyshimin për falsifikim të votave të kandidatëve për deputetë në një qendër numërimi në Shtime.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, të pandehurit: Y.S, B.V, Sh.B dhe R.R, më datë 30.12.2025, në Qendrën Komunale të Numërimit në Shtime, gjatë procesit të numërimit të votave në cilësinë e anëtarëve të ekipit të numërimit, duke vepruar në bashkëkryerje dhe me dashje kanë ndërmarrë veprime të koordinuara dhe të ndërlidhura, me qëllim të shtrembërimit të rezultateve të votimit.

Kështu, i pandehuri Y.S, akuzohet se i kishte lexuar dhe komunikuar në mënyrë të pasaktë dhe të pakontrolluar votat nga fletëvotimet, kurse B.V. akuzohet se duke përdorur qasje ekskluzive në sistemin elektronik të KQZ-së, kishte regjistruar të dhëna të pasakta në sistem, pa lejuar mekanizma verifikimi dhe kontrolli nga anëtarët e tjerë.

Dy të pandehurit tjerë, Sh.B dhe R. R., akuzohen se, edhe pse ishin të pranishëm dhe pjesëmarrës në procesin e ndarjes dhe verifikimit të fletëvotimeve, me vetëdije kishin dështuar të ndërmarrin veprime për të parandaluar ose korrigjuar parregullsitë.  Kësisoj, përmes këtij mekanizmi të organizuar të veprimit dhe mungesës së kontrollit të ndërsjellë, janë regjistruar rezultate të pasakta të votimit për kandidatët, të cilat janë konstatuar si mospërputhje thelbësore gjatë procesit të rinumërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), duke cenuar drejtpërdrejt integritetin, besueshmërinë dhe ligjshmërinë e procesit zgjedhor.

Me këto veprime, të akuzuarit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”.

Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të Kosovës të mbajtura më 28 dhjetor 2025, hetime për manipulim të votave u zhvilluan në Prizren, Ferizaj, Mitrovicë, Malishevë dhe Podujevë.

Continue Reading

Kosovë

Tre shtetas të Kosovës vdesin në një aksident në punishte ndërtimi në Vjenë

Published

on

Tre shtetas të Kosovës kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti në një punishte ndërtimi në Vjenë, kanë bërë të ditur autoritetet dhe Ambasada e Kosovës në Austri.

Sipas njoftimit fillestar të Ambasadës, aksidenti ka ndodhur në distriktin Alsergrund, gjatë punimeve ndërtimore, kur një pjesë e konstruksionit është shembur, duke lënë punëtorë të bllokuar nën rrënoja.

Fillimisht, autoritetet kosovare konfirmuan se dy nga viktimat janë shtetas të Kosovës: Pajtim Bajrami (1990) dhe Asllan Musliu (1977).

Në një njoftim të përditësuar më 18 mars, Ambasada bëri të ditur se edhe viktima e tretë nga katër viktimat e përgjithshme të këtij aksidenti është shtetas i Kosovës, Istref Zekaj.

Ambasada e Kosovës në Austri tha se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet austriake dhe me familjarët e viktimave, për të ofruar mbështetjen e nevojshme dhe për të koordinuar procedurat e mëtejme.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, reagoi për rastin duke shprehur tronditjen për ngjarjen dhe duke theksuar se institucionet janë në koordinim për t’u dalë në ndihmë familjeve të viktimave.

“Në këto momente të rënda, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e viktimave dhe të gjithë ata që janë prekur nga kjo humbje e madhe”, ka shkruar Kurti.

Në një përgjigje për REL-in, Policia e Austrisë tha se “disa punëtorë ndërtimi janë zënë nën dhe për arsye ende të paqarta” në oborrin e brendshëm të një ndërtese shumëbanesore.

Policia bëri të ditur gjithashtu të ditur se katër punëtorë janë gjetur pa shenja jete, ndërsa një tjetër është nxjerrë i gjallë dhe është dërguar për trajtim në spital.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar e dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë për më shumë informacione lidhur me rrethanat e aksidentit, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Autoritetet austriake nuk kanë dhënë ende detaje të plota për shkaqet e shembjes së konstruksionit, ndërsa hetimet për rastin pritet të sqarojnë përgjegjësitë dhe kushtet e sigurisë në punishte.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending