Connect with us

Kosovë

Buxheti 3.2 miliardësh i Kosovës, deputetët diskutojnë sot ndarjet buxhetore për vitin 2023

Published

on

Në fund të muajit tetor, Qeveria e Kosovës kishte miratuar Projektligjin për Buxhetin e vitit 2023, i cili pritet të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro.

Një miliardë e 98 milionë euro janë ndarë për subvencione e transfere, 811 milionë në shpenzime kapitale, 745 milionë të tjera në kategorinë paga dhe mëditje dhe 493 milionë euro në mallra dhe shërbime.

Lidhur me këtë, deputetet e Kosovës sot do të diskutojnë shqyrtimin e parë për ndarjet buxhetore.

“Shqyrtimi i parë i Projektligjit 08/L-193 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës. /Telegrafi

Kosovë

Gjykata i dënon me burgim Agim Çekun dhe 9 të tjerë në rastin “Veteranët”

Published

on

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka shpallur fajtorë dhe i ka dënuar me nga një vit burgim secilin ish-kryeministrin e vendit, Agim Çeku, dhe 9 të akuzuar të tjerë në rigjykimin e rastit “Veteranët”, ndërsa i ka liruar plotësisht nga akuzat dy të tjerë.

Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, pastaj Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari u gjetën fajtorë për keqpërdorim të detyrës duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëme në vlerë mbi 88 milionë euro.

Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj u shpallën të pafajshëm për akuzat e njëjta.

Gjykatësi Gazmend Bahtiri tha se Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj lirohen nga akuza “pasi nuk kanë pasur cilësinë e personit zyrtar”.

Bahtiri shtoi se pas administrimit të provave personale dhe materiale, përtej dyshimit të bazuar mirë, është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale.

Ky rast u kthye në rigjykim më vendim të Gjykatës së Apelit në vitin 2022, pasi Gjykata Themelore i kishte liruar nga akuzat që të gjithë 12 të pandehurit në vitin 2021.

Sipas prokurorëve, numri i përfituesve të jashtëligjshëm nga statusi i veteranëve mund të jetë deri në 19 mijë njerëz.

Bahtiri shtoi se Gjykata nuk ka mundur ta identifikojë secilin prej 19 mijë e 500 aplikacioneve për statusin e veteranit, andaj vlerëson se duhet të shqyrtohet procedura përkatëse pastaj të merret vendim se a gëzojnë statusin e veteranit apo jo.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë thuhet se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shfrytëzuan detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të buxhetit të shtetit.

\Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

IPK rekomandoi suspendimin e katër zyrtarëve policorë në dy raste të ndara

Published

on

Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve për dy raste të ndara i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për katër zyrtarë policorë.

Lidhur me rastin e parë fillimisht thuhet se Policia e Kosovës kishte pranuar informacion të dielën mbrëma (13.07.2025), për një incident në një fshat të Ferizajt,  ku dyshohej se një i mitur ishte sulmuar dhe kanosur me armë nga një person  me rroba civile e që është prezantuar si zyrtar policor.

“Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes kurse më vonë personi i dyshuar është identifikuar si zyrtar policor (jashtë detyrës zyrtare) dhe i njëjti është vet-paraqitur në stacion policor pas incidentit.

Në interes të hetimit IPK i ka rekomanduar Policisë suspendimin për zyrtarin në fjalë kurse rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj me dyshimin për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Në rastin tjetër, IPK në interes të hetimit ka rekomanduar suspendimin për tre zyrtarë policorë kurse incidenti ku dyshohet se janë të përfshirë si të dyshuar zyrtarët raportohet të ketë ndodhur para mesnatës më 30.06.2025  në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë.

Hetimet lidhur me këtë rast ndaj tre zyrtarëve policorë  janë duke u zhvilluar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë në procedurë të rregullt  më dyshimin për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.

Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorinë thuhet se pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e dy rasteve.

Continue Reading

Kosovë

Apeli në Hagë ul në 13 vjet burg dënimin e Pjetër Shalës

Published

on

Paneli i Gjykatës së Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë vendosi t’i ulë dënimin nga 18 në 13 vjet burg Pjetër Shalës, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i gjetur fajtor për krime lufte, të kryera në vitin 1999.

Paneli hodhi poshtë shumicën e pretendimeve të Shalës në apel – përfshirë shkeljet e supozuara të të drejtave të tij gjatë procedimit të materialeve të dëshmitarëve dhe pretendimin se gjykimi kishte filluar para se mbrojtja të ishte e përgatitur – por konstatoi disa mangësi në aktgjykimin e shkallës së parë.

Anëtari i trupit gjykues, Kai Ambos, tha se Apeli e pranon pjesërisht apelin e Shalës në pikat 7, 12 dhe 14, ndërsa e refuzon për pjesën tjetër.

Si rezultat, Paneli caktoi një dënim unik prej 13 vjetësh burg, i cili hyn në fuqi menjëherë, theksoi Ambos.

Në komunikatën për media të lëshuar pas përfundimit të seancës, Dhomat e Specializuara sqaruan se Paneli i Apelit ka lënë në fuqi verdiktin e fajësisë së Shalës për krimet e luftës të ndalimit arbitrar (pika 1), torturës (pika 3) dhe vrasjes së paligjshme (pika 4).

Megjithatë, Paneli i Apelit miratoi pjesërisht tri prej 14 pikave që Shala paraqiti në apel, hodhi poshtë pikat e tjera të apelit të tij, dhe uli dënimin e tij nga 18 në 13 vjet burgim, duke llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim, thuhet në komunikatë.

Gjatë seancës, Shala nuk ishte i pranishëm fizikisht, por e ndoqi atë përmes video-lidhjes.

Shala, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u dënua me 18 vjet burg në korrik të vitit 2024, pasi u gjet fajtor për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme në Fabrikën e Metalit në Kukës – pjesa veriore e Shqipërisë.

Sipas aktakuzës, ai dhe pjesëtarë të tjerë të UÇK-së morën pjesë në ndalimin dhe keqtrajtimin e të dyshuarve për bashkëpunim me Serbinë dhe të atyre që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.

Viktimat, sipas aktakuzës, ishin subjekt i dhunës fizike dhe psikologjike, përfshirë kërcënimet me vdekje, poshtërimet dhe ngacmimet.

Gjykata e urdhëroi Shalën të paguante edhe 208 mijë euro si kompensim për tetë viktima, ndërsa e shpalli të pafajshëm për veprën penale të trajtimit çnjerëzor.

Mbrojtja e tij e apeloi si aktgjykimin, ashtu edhe urdhrin për zhdëmtimin e viktimave.

Megjithatë, vendimi për këtë të fundit nuk u përfshi në aktgjykimin që u dha më 14 korrik.

Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura ndryshe si Gjykata Speciale, punojnë me ligjet e Kosovës, por prokurorët dhe gjyqtarët e tyre janë ndërkombëtarë.

Gjykata u themelua në vitin 2015 për të hetuar ish-pjesëtarët e UÇK-së, të cilët dyshohet se kanë kryer krime lufte dhe krime të tjera nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Selia e Speciales u vendos në Hagë të Holandës, për shkak të shqetësimeve se sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk është mjaftueshëm i pavarur për të hetuar krimet e luftës, si dhe për shkak të dyshimeve për kërcënimin e dëshmitarëve.

Deri më tani, Gjykata Speciale shpalli dy aktgjykime për krime lufte, ndaj Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës, dhe dy tjera për pengim të administrimit të drejtësisë, ndaj Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit.

Aktualisht, është duke vazhduar procesi gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-deputetit Rexhep Selimi dhe dy ish-kryetarëve të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi – që të gjithë ish-pjesëtarë të UÇK-së – të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

\Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending