25 tenderë me vlerë të madhe janë nënshkruar nga Komuna e Ferizajt që nga dita kur Agim Aliu u rizgjodh si kryetar i kësaj komune.
Vlera e përgjithshme e të gjithë këtyre tenderëve së bashku, duke llogaritë edhe vlerën e parashikuar të atyre që janë kontrata kornizë, është mbi 14.4 milionë euro.
Sipas Ligjit për Prokurimin Publik, kontratat të cilat kanë vlera të mëdha, duhet të jenë të nënshkruara nga kryetari i Komunës, si Zyrtar Kryesor Administrativ në këtë nivel të qeverisjes.
Mirëpo nga 25 kontrata të mëdha të nënshkruara nga Komuna e Ferizajt, asnjëra nuk është e nënshkruar nga kryetari Agim Aliu, por nga zëvendësi i tij, nënkryetari Lulzim Aliu.
Gjurmëve të analizës sonë se pse kryetari i Ferizajt po iu ikë përgjegjësive të veta ligjore, duke ua lënë “patatet e nxehta” vartësve të tij, TV TEMA ka kërkuar interpretim nga Komisioni Rregullativ për Prokurimin Publik (KRRP), lidhur me këtë dyshim për shkelje ligjore nga i pari i Ferizajt.
Në përgjigjen e vet KRPP thotë: “Rastet e nënshkrimit të kontratave publike me vlerë të madhe nga nënkryetari i Komunës dhe/ose çështja e autorizimit të kryetarit të Komunës për nënkryetarin nuk është e rregulluar me dispozita të këtij ligji dhe të legjislacionit dytësor të nxjerrë nga KRPP në bazë të autorizimeve që i janë dhënë me këtë ligj. Megjithatë Opinioni i KRPP-së është si në vijim: Në mungesë të Kryetarit të Komunës, një kontratë me vlerë të madhe mund të nënshkruhet nga personi i dytë pas Kryetarit të Komunës (Nënkryetari) në bazë të autorizimit të dhënë nga Kryetari“.
Pra sipas KRPP-së, nënkryetari mund t’i nënshkruajë kontratat e vlerave të mëdha vetëm në mungesë të kryetarit të Komunës, kur autorizohet nga i njejti.
Duke e bërë krahasimin e datave të nënshkrimit të shumicës së këtyre kontratave, me provat vizuele për lokacionin e të parit të komunës së Ferizajt në ato data, shihet qartë se kryetari Aliu ka qenë në zyre dhe se nuk ka qenë jashtë vendit apo në pushime, në mënyrë që të krijoheshin rrethanat ligjore për nënshkrim të autorizuar nga vartësi i parë i tij.
Më datë 28 shkurt 2022, janë nënshkruar dy kontrata me vlerë të madhe nga nënkryetari, ndërsa në po të njëjtën ditë, kryetari i Komunës me dorë të vet i nënshkruan 3 vendime të tjera.
Më 17 maj 2022, gjersa kryetari i Ferizajt në “odën e tij” komunale priste dy mysafirë e shpërndante postime në Facebook, pasuar me vizita të bëra në qytet, por nuk nënshkruajti edhe tenderin për furnizim të fermerëve me serra.
Ngjashëm ishte edhe më 18 maj 2022, kur kryetari Aliu i nënshkroi katër vendime të veta dhe priti mysafirë në zyre, ndërsa iu shmang obligimit ligjor për nënshkrimin e kontratës me vlerë të madhe.
23 maji i atij viti nuk kishte shumë dallim, kryetari nënshkroi një vendim, kurse nënkryetari nënshkroi tenderin për furnizimin e fermerëve me lopë, tender në vlerë prej 156 mijë euro.
Më 16 qershor 2022, nënkryetari Aliu nënshkroi edhe një tender, kësaj radhe atë për sigurimin fizik të Komunës edhe pse kryetari Aliu nënshkroi 3 vendime vet dhe pati një takim në zyre e një vizitë në një shkollë.
Më 13 shtator 2022, kryetari Agim Aliu gjeti kohë të nënshkruajë 2 vendime të veta, u takua edhe me Ministrin e Kulturës Hajrulla Çeku, kurse kishte “harruar” që ta nënshkruajë edhe një tender tjetër të madh.
Më 29 shtator 2022, kryetari priti në takim përfaqësuesit e USAID-it, mirëpo tenderin e asaj date sërish ia la për nënshkrim nënkryetarit të tij.
Rrjedhë e ngjashme ishte edhe në ditën vijuese, pra më 30 shtator, kur kryetari Aliu e nënshkroi një vendim tjetër, por tenderin për shtrimin e rrugës Varosh-Gërlicë ia la për nënshkrim vartësit të tij.
Më 11 nëntor 2022, kryetari i Ferizajt po merrej me takime në zyren e tij, por jo edhe me nënshkrim të tenderit të madh “Drenimi dhe mirëmbajtja e jashtme e objekteve publike”, duke i ikur përgjegjësisë ekskluzive që ia ngarkon ligji.
Edhe me rastin e nënshkrimit të tenderit të dyshimtë “Aktivitete për 150 vjetorin e qytetit të Ferizajt”, ndonëse gjendej në zyren e tij, edhe më këtë rast kryetari nuk e vuri firmën e tij në atë pazar shtetëror.
Kur më 2 mars të këtij viti u nënshkrua një kontratë kornizë me vlerë të parashikuar prej 1.2 milionë eurosh, kryetari Aliu ishte në zyre, sepse vet i nënshkroi 3 vendime të tjera, por jo edhe këtë kontratë të madhe.
Më 6 mars u nënshkrua tenderi për mirëmbajtjen e rrugëve me shenja horizontale, kryetari nënshkroi hiç më pak se gjashtë vendime, atë ditë mori pjesë edhe në homazhe, por nëshkrimit të tenderit të madh i iku.
Më 31 mars të këtij viti, kryetari mori pjesë në seancën e Kuvendit komunal e pati edhe një takim në zyre por që përsëri tenderin e kësaj date nuk e nënshkroi vet.
Dita më interesante e të gjitha nënshkrimeve është 14 marsi i këtij viti, apo “dita e teleportimit Ferizaj- Stamboll”. Në këtë datë, nënkryetari i komunës i nënshkroi dy tenderë, firmën e kryetarit e mbajnë katër vendime, derisa në rrjetin Facebook kryetari Aliu e publikoi postimin se po qëndronte në Turqi.
Kur u nënshkruan tenderët e 27 prillit 2022, ai i 13 tetorit 2022, ai i 24 tetorit 2022, i 29 nëntorit 2022 dhe ai i 21 marsit 2023, kryetari nuk ishte në Kosovë, kjo shihet qartë nga postimet e tij në facebook nga Tirana, Suedia e Strasburgu.
Lidhur me shmangien e Kryetarit të Ferizajt nga përgjegjësia e tij ligjore për nënshkrim të kontratave të mëdha, si dhe për ta sqaruar punën e “teleportimit” Ferizaj-Stamboll, kur në të njejtën ditë Agim Aliu edhe nënshkroi vendime të protokolura, edhe njëkohësisht gjendej në Turqi, redaksia iu drejtua kabinetit të kryetarit për sqarime. Por askush nga zyrtarët nuk ishte i gatshëm të përgjigjej.
TV TEMA gjithashtu kishte kërkuar qasje në autorizimin me shkrim që kryetari i komunës i ka dhënë nënkryetarit për të nënshkruar tenderët, por përgjigjja e vetme zyrtare është se “Nënkryetari i Komunës, ka autorizimin diktuar nga detyra zyrtare, në mungesë apo në zëvendësim të Kryetarit të Komunës“.
Policia e Kosovës ka gjetur 5 emigrantë të paligjshëm në një rimorkio kamioni në Terminalin Doganor në Ferizaj.
Sipas policisë, tre nga emigrantët e zbuluar janë të moshës 17 vjeç, një 18 vjeç dhe një 28 vjeç.
“Sot, më datë 11.07.2025, rreth orës 16:00, policia ka pranuar një informatë se në Terminalin Doganor, në rrugën “Driton Islami” në Ferizaj, në një rimorkio të një kamioni me targa vendore, sipas zyrtarëve doganorë, dyshohej se ndodheshin disa emigrantë të paligjshëm.
Menjëherë pas pranimit të informacionit, në vendngjarje kanë dalë njësitë reaguese dhe Njësia e Hetimeve nga stacioni policor në Ferizaj. Pas hapjes së bllokadave të rimorkios, janë hasur pesë emigrantë: tre prej tyre 17 vjeç, një 18 vjeç dhe një 28 vjeç, të cilët nuk posedonin dokumentacion identifikues.
Lidhur me rastin janë njoftuar prokurori kujdestar dhe njësia për migrim, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë në trajtim të mëtejshëm të dyshuarit, si dhe drejtuesin e kamionit, shtetasin kosovar B.B., 38 vjeç.” thuhet në njoftimin e policisë.
Një shofer 22-vjeçar është kapur nga policia në Ferizaj duke qarkulluar me shpejtësi 106 km/h në një zonë ku kufizimi i lejuar është 40 km/h.
Për këtë kundërvajtje, shoferi E.S është gjobitur me 300 euro, 3 pikë negative dhe ndalim i drejtimit të mjetit për 6 muaj
“Sot, më datë 11.07.2025, rreth orës 09:35, njësia policore nga Njësia e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj, gjatë kontrollit me radar në rrugën “Brahim Ademi” në Ferizaj, ka ndaluar një automjet të tipit VW Touran me targa vendore. Gjatë matjes së shpejtësisë, është konstatuar se shoferi E.S., 22 vjeç, po qarkullonte me shpejtësi 106 km/h në një zonë ku kufizimi i lejuar është 40 km/h.
Për këtë kundërvajtje, ndaj tij janë shqiptuar këto masa:
Gjobë në vlerë prej 300€,
3 pikë negative dhe masë mbrojtëse – ndalim i drejtimit të mjetit për 6 muaj.”
Policia në Ferizaj ka konfiskuar një automjet të tipit Golf, pasi gjatë kontrollit policor është konstatuar se shoferi ishte aktualisht nën masën mbrojtëse “Ndalim i drejtimit të mjetit.”
Sipas njoftimit të policisë, gjatë kontrollit të trafikut më 10.07.2025 në rrugën “12 Qershori” në Ferizaj, u konstatua se shoferi B.K., 25 vjeç, kishte të shqiptuar një masë të mëhershme të heqjes së patentë shoferit nga data 17.04.2025 deri më 16.07.2025, dhe i njëjti po drejtonte automjetin në kundërshtim me vendimin.
Si pasojë, ndaj tij është shqiptuar gjobë për kundërvajtje trafiku në vlerë prej 500€, janë aplikuar 5 pikë negative dhe masa mbrojtëse – ndalim i drejtimit të mjetit për 6 muaj.
Për shkak të pikëve të akumuluara dhe kundërvajtjeve të përsëritura, është vendosur edhe masë mbrojtëse shtesë prej 12 muajsh, si dhe është konfiskuar automjeti.