Aleks Burreli, 55 vjeç, nga fshati Suç i Matit dhe Edinjo Pulti, 37 vjeç, nga Shkodra, vijojnë të jenë të vetmit shqiptarë në listën “Europe Most Wanted Fugitives” të Europol.
Pas përditësimit të fundit, në këtë listë janë gjithsej 45 persona nga e gjithë Europa që kërkohen për vepra të rënda penale, vrasje dhe masakra me shumë të vdekur.
Aleks Burreli, i cili njihet edhe me emrin Gani, është në kërkim ndërkombëtar nga Qipro për vrasjen e biznesmenit Fanos Kalopsidiotis bashkë me dy persona të tjerë dhe plagosjen 2 të tjerëve më 23 qershor 2016.
Në të njëjtën ngjarje mbeti i vrarë Jani Vogli, në atë kohë 41 vjeç, bashkëpunëtor i Burrelit.
Aleks Burreli ishte i pari që u përfshi në listën “Most Wanted” të Europol, dhe prej asaj kohe nuk është lokalizuar nga agjencitë partnere.
Një vit më vonë, në listën e më të kërkuarve u shtua një tjetër bashkëkombës i tij, Edinjo Pulti, 37 vjeç nga Shkodra. Ai kërkohet nga Luksemburgu për tentativë vrasje pasi më 2 gusht 2020 u përfshi në një përleshje në Pétange, ku sipas Europol, Pulti goditi disa herë me thikë dy persona, njërin prej tyre në bark.
Pulti është emër i njohur për drejtësinë shqiptare për një plagosje shumë vite më parë.
Ai u arrestua në vitin 2022, por për shkak të mungesës së marrëveshjes për ekstradim mes Shqipërisë dhe Luksemburgut, u la i lirë, duke konsideruar se brenda vendit nuk ka asnjë çështje penale të hapur.
Listën e përditësuar të personave më të kërkuar nga Europol mund ta shikoni këtu: https://eumostwanted.eu/