Connect with us

Lajme

Grafiti “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” shfaqet në Mitrovicë të Veriut

Published

on

Një grafit ku shkruan “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” është shfaqur në oborrin e Shkollës Teknike në Mitrovicë të Veriut. Grafiti, i shkruar me shkronja cirilike, është ngjyrosur me ngjyrat e flamurit të Serbisë.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Veton Elshani, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se për përmbajtjen e këtij grafiti, autoritetet e rendit janë informuar përmes rrjeteve sociale.

Ai tha se policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po konsultohet me prokurorin për këtë rast.

Që nga fundi i korrikut, grafite me mbishkrim të tillë janë shfaqur në Beograd dhe qytete të tjera në Serbi. Një grafit i tillë është parë në gushtë edhe në Banja Llukë të Bosnje e Hercegovinës.

Grafiti është krijuar nga tifozët e klubit të futbollit Crvena Zvezda, pas një ndeshjeje miqësore me klubin italian Fiorentina më 26 korrik në Beograd.

Mesazhi i grafitit është pjesë e një kënge popullore të kënduar nga mitropoliti Amfilohije i Kishës Ortodokse Serbe dhe peshkopi Atanasije.

Në shkurt të këtij viti, aktivistët e organizatës Iniciativa e të Rinjve për të Drejta të Njeriut dhe Asociacioni Krokodili, e ngjyrosën me të kuqe këtë grafit në Sheshin Slavija të Beogradit. Mirëpo, ai është rikrijuar në atë vend dhe disa vende tjera në Beograd. / REL/

Ferizaj

Policia në Ferizaj ka arrestuar një person për posedim të narkotikëve

Published

on

Policia rajonale në Ferizaj ka arrestuar një burrë pasi gjatë kontrollit në shtëpinë dhe objektet përcjellëse, i janë gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 21.1 gramë substancë narkotike e llojit marihuanë.

I dyshuari është arrestuar rreth orës 14:45 të së enjtes (08.10.2026), në rrugën Lekë Dukagjini në Ferizaj.

Në raportin ditor të policisë bëhet e ditur se në cilësi të provave materiale nga i dyshuari janë sekuestruar edhe 963.80 euro dhe 700 lekë para të gatshme, tre telefona celularë, një USB dhe një thikë.

Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Continue Reading

Kosovë

Justina Shiroka Pula inaugurohet si presidente e shtatë e Kosovës

Published

on

Justina Shiroka Pula është inauguruar të mërkurën si presidente e Kosovës, disa orë pasi u zgjodh në këtë post nga Kuvendi, duke shmangur kështu shpërndarjen e tij dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Ceremonia e inaugurimit u mbajt në oborrin e Presidencës, pasi Shiroka Pula u zgjodh presidente me 81 vota në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit në minutat e para të 7 tetorit. Ajo mori mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Gjatë ceremonisë, kryetarja e Kuvendit që deri dje ushtroi detyrën e presidentes, Albulena Haxhiu, ia dorëzoi Kushtetutën e Republikës së Kosovës, para se të hynin të dyja në ndërtesën e Presidencës.

Brenda, Haxhiu tha se Shiroka Pula do ta ketë përkrahjen e saj gjithmonë dhe se është nder e krenari që një grua si ajo do ta ushtrojë tash e tutje këtë post. Ndërsa, Shiroka Pula tha se ajo do ta vazhdojnë punën që Haxhiu e ka filluar .

Më pas, ato ndërruan karrigat, teksa Shiroka Pula zuri vend në ulësen e presidentes.

Zgjedhja e Pulës në postin e presidentes erdhi pas një marrëveshjeje politike në momentet e fundit ndërmjet partisë në pushtet dhe PDK-së. Marrëveshja përfshiu edhe miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Kuvendi i miratoi ndryshimet në lexim të dytë pak para votimit për presidenten, me 88 vota.

Ndryshimet, të propozuara nga PDK-ja, parashohin, ndër të tjera, kufizimin e mandatit të Dhomave të Specializuara, transferimin e rasteve që nuk hyjnë në juridiksionin e tyre te institucionet e drejtësisë në Kosovë dhe kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burgim.

Ligji i ndryshuar parasheh gjithashtu mundësinë që dënimet të vuhet në Kosovë dhe që të ketë mundësi për falje presidenciale, ndërsa kushtetutshmëria e ligjit dhe ndryshimeve të tij mund të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.

Pikërisht ky ligj pritet të jetë ndër çështjet e para që do të trajtojë Shiroka Pula në detyrën e re.

Sipas Kushtetutës, ligjet e miratuara nga Kuvendi i dërgohen presidentes për shpallje. Presidentja duhet ta nënshkruajë ligjin brenda tetë ditësh nga marrja e tij ose ta kthejë një herë në Kuvend, duke dhënë arsyet e kthimit.

Nëse brenda këtij afati, ajo nuk merr vendim as për shpalljen e as për kthimin e ligjit, atëhërë ai konsiderohet i shpallur dhe publikohen në Gazetën Zyrtare.

Ndryshimet e propozuara në ligjin për Specialen u miratuan pas protestave të zhvilluara në Prishtinë çdo natë qysh nga vendimi të 16 shtatorit të Gjykatës Speciale në Hagë për dënimin e katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ish-deputeti Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, u shpallën fajtorë për krime lufte dhe u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim. Ekipet mbrojtëse kanë paralajmëruar se do ta apelojnë vendimin.

PDK-ja e kishte lidhur miratimin e ndryshimeve të Ligjit për Specialen me gatishmërinë e saj për të votuar presidenten e re, ndërsa procesi u zhvillua në një situatë të tensionuar politike, me protesta para Kuvendit kundër vendimit të Gjykatës Speciale.

Shiroka Pula, 72 vjeçe, është ekonomiste dhe akademike. Ajo ka shërbyer më herët si ministre e Energjisë dhe Minierave dhe si deputete e PDK-së. Para zgjedhjes presidente, ajo ishte kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe ishte gruaja e parë që drejtoi këtë institucion.

Me zgjedhjen e saj, Shiroka Pula bëhet presidentja e tretë grua e Kosovës, pas Atifete Jahjagës dhe Vjosa Osmani. Mandati i saj presidencial zgjat pesë vjet.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Kuvendi miraton në lexim të parë Projektligjin për Specialen

Published

on

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Në votim morën pjesë 91 deputetë, të cilët votuan pro, pa asnjë votë kundër apo abstenim. Grupi Parlamentar i LDK-së nuk mori pjesë në votim.

Nisma ligjore, e iniciuar nga PDK-ja, parasheh kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet burgim, mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme dhe mbajtjen e dënimeve në Kosovë.

Projektligji do të shqyrtohet edhe në komisionet parlamentare, ku mund të propozohen amendamente, para se të rikthehet në Kuvend për lexim të dytë dhe votim përfundimtar.

Nga PDK-ja kanë deklaruar se presin që projektligji të miratohet sot në të dyja leximet.

Rregullorja e Kuvendit mundëson shmangien e afateve të zakonshme procedurale për votim të dytë të ligjit, me propozimin e së paku gjashtë deputetëve dhe mbështetjen e dy të tretave të deputetëve të pranishëm.

Continue Reading

Trending