Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për përshpejtimin e procedurave dhe vendosjen e hapave konkret sa i përket procesit të anëtarësimit të vendeve të rajonit në Bashkimit Europian.
Gjatë takimit vjetor të krerëve të shteteve të rajonit në kuadër të Procesit të Bërdo-Brioni, të mbajtur sot në Shkup, Osmani tha se përderisa aplikimi ynë për anëtarësim në Këshillin e Evropës po shqyrtohet nga Asambleja Parlamentare, është me rëndësi që Kosova të ecën përpara edhe me statusin e kandidatit në BE, në përputhje me zotimin e BE-së për perspektivë anëtarësimi për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Kurse në deklarimin për media pas sesionit të përbashkët të liderëve të rajonit, Osmani foli edhe për temat e diskutimeve që pati gjatë takimeve bilaterale me homologët e rajonit.
E para e vendit tha se në takim presidentin kroat Zoran Milanoviq, ka kërkuar që Kroacia të ndërmarrë hapa për largimin e masave të vendosura të BE-së ndaj Kosovës.
“Me presidentin e Kroacisë diskutuam në detaje për këtë temë dhe mbi të gjitha që BE-ja t’i largojë masat dhe e ne presim që shtetet që na kanë përkrahur aq fort si Kroacia të ndërmarrin hapa për largimin e këtyre masave”, është shprehur presidentja Osmani, duke shtuar se çështjet bilaterale që Kosova i ka me Serbinë diskutohen në forume të tjera.