Connect with us

Lajme

Nisin hetimet për helmimet në Malishevë, AUV gjen produkte “pa origjinë”

Published

on

Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, ka thënë të shtunën se gjendja e të helmuarve një ditë më parë në Komunën e Malishevës është stabile.

Të premten është raportuar për një rast helmimi në këtë komunë, por ende nuk dihet shkaku i saktë i sëmurjes së dhjetëra qytetarëve.

Vitia i ka përmendur 68 qytetarë të helmuar, ndërsa Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka thënë se shifra shkon në rreth 100.

Ministri Vitia ka thënë se 11 qytetarë janë të shtrirë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe nëntë tjerë janë në shtirë në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit.

“Inspektoratet dhe organet ligjzbatuese janë në terren dhe kanë marrë të gjitha të dhënat lidhur me rastin dhe burimin e shkakun e helmimit”, ka thënë Vitia përmes një postimi në Facebook.

Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Malishevës, Hajdin Berisha, i ka thënë të premten Radios Evropa e Lirë se helmimi dyshohet të jetë bërë me ushqim “në një biznes në Malishevë”.

Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Lamir Thaçi, ka thënë të shtunën në një konferencë për media se agjencia ka kryer inspektim të detajuar në biznesin e dyshuar.

Gjendja e përgjithshme sanitare, higjienike ka qenë e nivelit jo të mirë. Ky vlerësim është bërë nga ekipi inspektues. E dyta, nuk kanë pasur libreza sanitare punonjësit e atij lokali, që sipas ligjit kërkohet t’i kenë. Nuk ka pasur të kryer dezinfektim, deratizim dhe dezinsektime, që përsëri është kriter. Po ashtu, aty janë gjetur disa produkte që ne i quajmë pa origjinë, nuk kanë pasur dokumentacion mbështetës për t’u ditur origjina e tyre. Ka pasur produkte që janë gatuar brenda asaj kuzhine, dhe këto të gjitha janë fakte që do t’i evidentojmë në proces dhe më pas organet tjera do t’i vlerësojnë”.

Ai ka thënë se do të rriten inspektimet në bizneset që përgatisin ushqime të shpejta, sepse aty regjistrohen rastet më të shpeshta të helmimit.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë është përgjegjëse për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve, përmes sigurisë ushqimore, që Kosova synon ta ketë sipas standardeve të Bashkimit Europian. /REL/

Kosovë

Aktakuzë ndaj katër të dyshuarve për manipulim të votave në Shtime

Published

on

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë kundër katër personave nën dyshimin për falsifikim të votave të kandidatëve për deputetë në një qendër numërimi në Shtime.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, të pandehurit: Y.S, B.V, Sh.B dhe R.R, më datë 30.12.2025, në Qendrën Komunale të Numërimit në Shtime, gjatë procesit të numërimit të votave në cilësinë e anëtarëve të ekipit të numërimit, duke vepruar në bashkëkryerje dhe me dashje kanë ndërmarrë veprime të koordinuara dhe të ndërlidhura, me qëllim të shtrembërimit të rezultateve të votimit.

Kështu, i pandehuri Y.S, akuzohet se i kishte lexuar dhe komunikuar në mënyrë të pasaktë dhe të pakontrolluar votat nga fletëvotimet, kurse B.V. akuzohet se duke përdorur qasje ekskluzive në sistemin elektronik të KQZ-së, kishte regjistruar të dhëna të pasakta në sistem, pa lejuar mekanizma verifikimi dhe kontrolli nga anëtarët e tjerë.

Dy të pandehurit tjerë, Sh.B dhe R. R., akuzohen se, edhe pse ishin të pranishëm dhe pjesëmarrës në procesin e ndarjes dhe verifikimit të fletëvotimeve, me vetëdije kishin dështuar të ndërmarrin veprime për të parandaluar ose korrigjuar parregullsitë.  Kësisoj, përmes këtij mekanizmi të organizuar të veprimit dhe mungesës së kontrollit të ndërsjellë, janë regjistruar rezultate të pasakta të votimit për kandidatët, të cilat janë konstatuar si mospërputhje thelbësore gjatë procesit të rinumërimit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), duke cenuar drejtpërdrejt integritetin, besueshmërinë dhe ligjshmërinë e procesit zgjedhor.

Me këto veprime, të akuzuarit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”.

Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të Kosovës të mbajtura më 28 dhjetor 2025, hetime për manipulim të votave u zhvilluan në Prizren, Ferizaj, Mitrovicë, Malishevë dhe Podujevë.

Continue Reading

Kosovë

Tre shtetas të Kosovës vdesin në një aksident në punishte ndërtimi në Vjenë

Published

on

Tre shtetas të Kosovës kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti në një punishte ndërtimi në Vjenë, kanë bërë të ditur autoritetet dhe Ambasada e Kosovës në Austri.

Sipas njoftimit fillestar të Ambasadës, aksidenti ka ndodhur në distriktin Alsergrund, gjatë punimeve ndërtimore, kur një pjesë e konstruksionit është shembur, duke lënë punëtorë të bllokuar nën rrënoja.

Fillimisht, autoritetet kosovare konfirmuan se dy nga viktimat janë shtetas të Kosovës: Pajtim Bajrami (1990) dhe Asllan Musliu (1977).

Në një njoftim të përditësuar më 18 mars, Ambasada bëri të ditur se edhe viktima e tretë nga katër viktimat e përgjithshme të këtij aksidenti është shtetas i Kosovës, Istref Zekaj.

Ambasada e Kosovës në Austri tha se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet austriake dhe me familjarët e viktimave, për të ofruar mbështetjen e nevojshme dhe për të koordinuar procedurat e mëtejme.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, reagoi për rastin duke shprehur tronditjen për ngjarjen dhe duke theksuar se institucionet janë në koordinim për t’u dalë në ndihmë familjeve të viktimave.

“Në këto momente të rënda, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e viktimave dhe të gjithë ata që janë prekur nga kjo humbje e madhe”, ka shkruar Kurti.

Në një përgjigje për REL-in, Policia e Austrisë tha se “disa punëtorë ndërtimi janë zënë nën dhe për arsye ende të paqarta” në oborrin e brendshëm të një ndërtese shumëbanesore.

Policia bëri të ditur gjithashtu të ditur se katër punëtorë janë gjetur pa shenja jete, ndërsa një tjetër është nxjerrë i gjallë dhe është dërguar për trajtim në spital.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar e dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë për më shumë informacione lidhur me rrethanat e aksidentit, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Autoritetet austriake nuk kanë dhënë ende detaje të plota për shkaqet e shembjes së konstruksionit, ndërsa hetimet për rastin pritet të sqarojnë përgjegjësitë dhe kushtet e sigurisë në punishte.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Ferizaj

Nënshkruhet kontrata 24 milionëshe për Spitalin e Ferizajt

Published

on

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka njoftuar se ka nënshkruar kontratën për vazhdimin e ndërtimit të objektit të ri të spitalit të Ferizajt.  

Sipas njoftimit, kontrata për “ndërtimin e objektit të spitalit të përgjithshëm në Ferizaj – vazhdim projekti” ka vlerë prej 24 milionë euro dhe spitali parashihet të finalizohet për 30 muaj.

“Kam nënshkruar kontratën për vazhdimin e punimeve në Spitalin e Ferizajt.

Pas shumë sfidave dhe vështirësive të trashëguara e të reja, ky projekt do të finalizohet brenda 30 muajsh. Ky është një projekt shumë i rëndësishëm për këtë rajon, që do të realizohet sipas standardeve më të larta të infrastrukturës spitalore, me një kosto prej 24 milionë euro.

Urime për të gjithë qytetarët e Ferizajt për këtë projekt të shumëpritur” ka shkruar ministri Vitia në postim.

Ndryshe, objekti i ri i spitalit të Ferizajt kishte filluar në vitin 2018 dhe vlera e projektit fillestar ishte 10.2 milionë euro. Më vonë, kësaj kontrate iu shtuan edhe 1 milionë të tjera. Asokohe kishte përfunduar vetëm ndërtimi i vrazhdë i objektit.

Punimet u ndërprenë për shkak të padive ligjore të ndërsjella mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe kompanisë  ndërtuese.

Kontrata për vazhdimin e ndërtimit të spitalit është fituar nga Grupi i Operatorëve Ekonomik ADA CONSULTING GROUP SH.P.K., SHM Architecture SH.P.K. dhe Termo Consing SH.P.K”.

Continue Reading

Trending