Connect with us

Lajme

Von der Leyen: Kosova ta pranojë Asociacionin, Serbia njohjen de facto

Published

on

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përsëriti qëndrimin evropian se Kosova duhet të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Serbia të njohë de facto Kosovën.

Pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, zyrtarja evropiane tha se draft-statuti i propozuar së fundi nga diplomatët evropianë, është në qendër të bisedimeve për heqjen e masave ndëshkuese që BE-ja ka vendosur më herët gjatë vitit ndaj Kosovës, pas rritjes së tensioneve.

“Ajo që kam biseduar me presidenten, dhe që do ta bisedoj edhe me kryeministrin është se çfarë mund të bëjmë për të hequr masat [ndëshkuese]. Këtu është çështja e draft-statutit në qendër të diskutimeve dhe praktikisht është një hap i rëndësishëm përpara në normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Është krucial dhe sigurisht që do të hapë derën për të pasur qasjen në planin e rritjes [së BE-së]. Po punojmë në këtë drejtim. Këtu na duhen të dyja palët të bëjnë pjesën e tyre, por është po ashtu kruciale që jo vetëm të ketë shtensionim të situatës por edhe të lëvizet në rrugën drejt BE-së”, tha von der Leyen.

Osmani ndërkaq tha se në takim me zyrtaren evropiane ka kërkuar heqjen e masave ndëshkuese, që BE-ja vendosi pas rritjes së tensioneve në veri në fund të majit.

E pyetur nëse BE-ja do të vendosë kushtëzime apo sanksione ndaj Serbisë, pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është deklaruar se nuk mund ta zbatojë plotësisht marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, von der Leyen tha se gjatë vizitës të martën në Beograd do të diskutojë për hapat drejt njohjes de facto të Beogradit për Prishtinën.

Zyrtarja e BE-së tha se blloku është i përkushtuar për anëtarësimin e Ballkanit Perënidimor. Megjithatë, ajo tha se të gjitha shtetet që duan të bëhen pjesë e BE-së, duhet të respektojnë parimin e fqinjësisë së mirë.

“Çështja kryesore e diskutimeve që kemi me shtetet e Ballkanit Perëndimor, sikurse me Kosovën dhe Serbinë, është se si mund të punojmë më ngushtë së bashku dhe sigurisht edhe anëtarësimi potencial në BE. Për këtë [anëtarësimit], parimet bazike, vlerat bazike duhet të respektohen dhe zbatohen. Prandaj është zgjedhja e një shteti që kur dëshiron të lëvizë përpara, me të gjitha efektet pozitive që ka në ekonomi dhe financim, në mundësi më të mëdha biznesi… pra, është zgjedhja sovrane e një shteti nëse dëshiron të ecë në rrugë me ne, apo zgjedh ndryshe. Parimi i BE-së është normalizimi i raporteve fqinjësore, i raporteve të mira fqinjësore”, tha shefja e KE-së.

Zyrtarja evropiane gjendet në turne ballkanik për të shpalosur planin e investimeve të BE-së për Ballkanin perëndimor. Ky plan i rritjes kap shifrën e 6 miliardë eurove, ku 2.1 milionë prej tyre janë në formë të granteve dhe 4 miliardë të tjera në formë të kredive.

Von der Leyen tha se blloku dëshiron që të ketë një përafrim ekonomik me tregjet e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që të ketë më shumë mundësi për kompanitë.

Duke folur për reformat në Kosovë, ajo tha se ka përparim, por që ende duhet punë në reforma në sektorë të ndryshëm, sikurse në përmirësimin e klimës së të bërit biznes, në luftimin e korrupsionit dhe reformat në gjyqësor.

Para Prishtinës ajo qëndroi në Shkup, ndërkaq turneun do ta vazhdojë në Podgoricë, Beograd dhe Sarajevë. /REL/

Ferizaj

Gjendet personi i raportuar i zhdukur në Ferizaj

Published

on

Policia e Kosovës ka njoftuar se pas katër ditësh kërkimi është gjetur ferizajasi i raportuar i zhdukur  më 10 nëntor 2026.

Sipas njoftimit, personi i zhdukur është gjetur në Prishtinë,  në gjendje të mirë shëndetësore.

“Me datën 11.11.2026, në stacionin policor në Ferizaj është raportuar zhdukja e personit M. O.(31 vjeç), i cili, sipas familjarëve, ishte larguar nga shtëpia me datën 10.11.2026 dhe nuk ishte kthyer.

Pas katër ditësh kërkimi, më 15.11.2026, rreth orës 01:30, personi i raportuar i zhdukur është gjetur në Prishtinë, në gjendje të mirë shëndetësore dhe më pas është kthyer në shtëpi.

Për rastin është njoftuar Sektori Rajonal i Hetimeve dhe prokurori i rastit, të cilët po e trajtojnë rastin,”  thuhet mes tjerash në njoftimin e policisë.

Continue Reading

Kosovë

Ish-ministri Astrit Haraqija në mesin e 6 personave të arrestuar për narkotikë

Published

on

Policia e Kosovës ka arrestuar 6 persona të dyshuar për trafikim dhe shpërndarje të substancave narkotike të llojit kokainë.

Në mesin e të arrestuarve është edhe Ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqija, ka konfirmuar avokati i tij, Korab Bokshi.

Në njoftimin e Policisë bëhet e ditur se gjatë aksionit të koduar “Heshtja”, të zhvilluar të shtunën, më 14 nëntor , janë sekuestruar rreth 1.6 kilogramë kokainë, si dhe sasi të tjera të substancave të dyshuara narkotike, përfshirë marihuanë dhe substancë të panjohur, si dhe tableta të dyshuara të ekstazisë.

Para të gatshme në valuta të ndryshme, në vlerë prej rreth 16 mijë eurosh, 6 vetura të markave luksoze të ndryshme, telefona mobilë, pajisje elektronike dhe të komunikimit, pajisje për vëzhgim, ora luksoze dhe stoli të çmuara, një armë zjarri, municion, thika, peshore digjitale dhe pajisje për paketimin e substancave narkotike, si dhe dokumente dhe shënime të ndryshme që do të trajtohen në kuadër të procedurave hetimore.

Aksioni u realizua në disa lokacione në rajonin e Prishtinës në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë dërguar në ndalim policor për 48 orë.

Të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë nën mbikëqyrjen dhe koordinimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda.

Continue Reading

Kosovë

Kush është Mikhail Bogachek, i nominuari i Trumpit për ambasador të SHBA-së në Kosovë?

Published

on

Presidenti amerikan, Donald Trump, nominoi Mikhail Bogachekun për ambasador të ri të Shteteve të Bashkuara në Kosovë, duke ia dërguar emrin Senatit amerikan për konfirmim.

Nominimi i tij u bë i ditur përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë, më 10 nëntor.

Ambasada amerikane në Prishtinë aktualisht udhëhiqet nga e ngarkuara me punë, Anu Prattipati, pasi ambasadori paraprak, Jeff Hovenier, përfundoi mandatin e tij trevjeçar në fund të dhjetorit të vitit 2024.

Kush është Mikhail Bogachek?

Michael Bogachek aktualisht mban pozitën e drejtorit ekzekutiv në Organizatën e Shteteve Amerikane (OAS), ku mbikëqyr operacionet administrative, financat, prokurimin, burimet njerëzore dhe teknologjinë informative, sipas një biografie të publikuar në faqen e organizatës.

OAS-i, i themeluar në vitin 1948, përfshin 35 shtete të kontinentit amerikan dhe ka për qëllim forcimin e demokracisë, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sigurinë dhe zhvillimin.

Sipas biografisë së tij, Bogachek ka mbi 25 vjet përvojë në sektorët e shëndetësisë, teknologjisë dhe menaxhimit institucional.

Më herët, ai ka qenë drejtor operativ në kompaninë VativoRx, e cila merret me administrimin e përfitimeve farmaceutike në SHBA.

Ai ka themeluar edhe kompaninë Cooperton, e specializuar në sigurinë kibernetike dhe menaxhimin e krizave, si dhe kompaninë PharmaLife, që merret me teknologjinë në sektorin farmaceutik.

Bogachek ka diplomuar në Inxhinieri Industriale dhe të Sistemeve në Institutin e Teknologjisë të Xhorxhias dhe ka doktoraturë në Bioinxhinieri.

Ai ka përfunduar, gjithashtu, një program për drejtues biznesesh në Shkollën e Biznesit të Harvardit.

Flet rrjedhshëm gjuhën ruse, ukrainase dhe hebraike.

Nominimi për ambasador në Kosovë është pjesë e një liste më të gjerë emërimesh, të dërguar nga administrata Trump në Senat, më 10 nëntor.

Nominimi mes sfidave në marrëdhëniet Kosovë-SHBA

Nominimi i Bogachekut vjen në një periudhë kur marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë përballur me sfida, përfshirë pezullimin e Dialogut Strategjik nga Uashingtoni në vitin 2025.

SHBA-ja e pezulloi këtë dialog, duke shprehur shqetësime për veprimet e Qeverisë së atëhershme në detyrë ndaj institucioneve serbe në Kosovë dhe kritikat e saj ndaj Gjykatës Kushtetuese, të cilat, sipas Uashingtonit, kishin rritur tensionet dhe kishin kufizuar mundësitë për bashkëpunim në prioritetet e përbashkëta.

Në korrik të këtij viti, Departamenti amerikan i Shtetit i tha REL-it se rifillimi i Dialogut varet nga krijimi i kushteve të nevojshme, përfshirë përmbushjen e zotimeve të Kosovës ndaj serbëve.

Më herët gjatë këtij viti, administrata Trump nominoi ambasadorë edhe për Shqipërinë, Serbinë, Bosnje e Hercegovinën dhe Malin e Zi.

Senati amerikan e konfirmoi Eric Wendtin si ambasador në Shqipëri më 7 gusht, ndërsa kandidatët për tri vendet e tjera ende janë në pritje të konfirmimit.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending