Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar të enjten se një grup i dytë i të dyshuarve është duke u marrë në pyetje si pjesë e hetimit të zgjeruar mbi dyshimet për manipulim të votave në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit – të cilat nxitën rinumërim të plotë të votave.
Në njoftim në Facebook, Prokuroria theksoi se mori informacione shtesë lidhur me dyshimet për manipulim të votave të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës pas rinumërimit të votave në Prizren.
Ajo nuk tregoi për numrin e të dyshuarve që janë duke u marrë në pyetje në stacionin policor në rajonin jugor të vendit, por tha se ata dyshohen për vepra penale si, shkelja e të drejtave të votimit, korrupsioni zyrtar, si dhe shkelja e detyrës zyrtare.
Ky është operacioni i dytë që autoritetet për zbatim të ligjit e ndërmarrin në Prizren – vendin ku dyshohet se ka pasur më së shumti manipulim votash – pasi javën e kaluar i ndaluan mbi 100 të dyshuar.
Nga mbi 100 të ndaluar në atë aksion, 22 komisionerë dhe një vëzhgues u dërguan në paraburgim për një muaj.
Dyshimet për manipulim të votave të zgjedhjeve të dhjetorit kanë hedhur dyshime serioze mbi procesin zgjedhor, dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u detyrua ta bëjë rinumërimin e plotë të votave, pasi kishte gjetur mospërputhje të mëdha në votat për kandidatët për deputetë.
Komisioni bëri të ditur ditë më parë se pret ta përfundojë rinumërimin në fundjavë, pasi tashmë janë rinumëruar rreth 90 për qind e votave.
Rinumërimi në Prizren ka përfunduar tashmë dhe ai tregon një dallim në votat për kandidatët për deputetë para dhe pas rinumërimit.
Të paktën katër kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës u janë hequr nga mbi 2.000 votat secilit në këtë komunë, përfshirë njërit mbi 6.000, pasi komisioni vërtetoi në rinumërim se atyre u ishin shtuar votat e paqena.
Edhe kandidatëve nga partitë e tjera si ajo në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, u janë hequr vota pas rinumërimit në këtë komunë, por në numër diçka më të vogël.
Operacioni i ri në Prizren vjen po ashtu një ditë pasi 15 kryesues zgjedhorë u ndaluan për 48 orë gjatë një aksioni të ngjashëm në Malishevë. Në shënjestër të aksionit në këtë komunë në pjesën qendrore të Kosovës ishin 18 kryesues dhe 50 komisionerë që kishin marrë pjesë në numërim të votave të zgjedhjeve të dhjetorit.
Ndërkohë, përveç Prizrenit dhe Malishevës, autoritetet janë duke kryer hetime edhe në Ferizaj e Drenas.
Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë Albin Kurtit i fitoi zgjedhjet e 28 dhjetorit duke marrë mbi 51 për qind të votave.
Rinumërimi nuk pritet të ndikojë në rezultatin e partive dhe Kurti mund ta formojë qeverinë e re pas certifikimit të rezultateve përafërsisht në fillim të shkurtit.
Në Kosovë manipulimi i votave është vepër penale e dënueshme me burgim.
Megjithatë, së voni organizata joqeveritare, ÇOHU, e publikoi një hulumtim që tregoi se mbi 90 për qind e rasteve për manipulime zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose gjoba.
| Radio Evropa e Lirë