Connect with us

Botë

Bill Gates do t’i dhurojë 200 miliardë dollarë për më të varfrit deri në vitin 2045

Published

on

Bill Gates premtoi të enjten se do ta dhurojë pothuajse të gjithë pasurinë e tij personale gjatë dy dekadave të ardhshme. Siç tha, rreth 200 miliardë dollarë do të shkojnë për më të varfrit e botës përmes fondacionit të tij, në një kohë kur qeveritë në mbarë botën po shkurtojnë ndihmën ndërkombëtare.

Filantropi 69-vjeçar dhe bashkëthemeluesi i Microsoft-it tha se po përshpejton planet për të ndarë pasurinë dhe për ta mbyllur Fondacionin Gates më 31 dhjetor 2045.

“Njerëzit do të thonë shumë gjëra për mua kur të vdes, por jam i vendosur që ‘vdiq i pasur’ të mos jetë njëra prej tyre”, shkroi Gates në një postim në faqen e tij të internetit.

“Ka shumë probleme urgjente që duhen zgjidhur për të mbajtur burime që mund të ndihmojnë njerëzit”, theksoi ai.

Në një kritikë të tërthortë ndaj presidentit amerikan, Donald Trump, për shkurtimet në ndihmën e jashtme të Shteteve të Bashkuara – donatori më i madh në botë – Gates tha se dëshiron të ndihmojë në parandalimin e vdekjeve të foshnjave, fëmijëve dhe nënave nga shkaqe të shmangshme, të luftojë sëmundje si poliomieliti, malaria dhe fruthi, dhe të reduktojë varfërinë.

“Është e paqartë nëse vendet më të pasura të botës do të vazhdojnë të mbrojnë më të varfrit”, shtoi ai, duke përmendur shkurtimet e ndihmave edhe nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca.

Gates theksoi se, pavarësisht buxhetit të madh të fondacionit, përparimi nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e qeverive.

Ai vlerësoi reagimin e disa vendeve afrikane ndaj shkurtimit të ndihmave, të cilat kanë rialokuar buxhetet e tyre, por theksoi se, për shembull, poliomieliti nuk mund të çrrënjoset pa financimin nga SHBA.

Gates e bëri njoftimin me rastin e 25-vjetorit të themelimit të fondacionit, të cilin e krijoi në vitin 2000 me ish-bashkëshorten e tij, Melinda French Gates, dhe më vonë iu bashkua investitori Warren Buffett.

“Kam ardhur shumë larg që nga koha kur isha një djalë që nisja një kompani software-i me shokun tim nga shkolla e mesme”, tha ai.

Që nga krijimi, fondacioni ka dhuruar 100 miliardë dollarë, duke ndihmuar në shpëtimin e miliona jetëve dhe mbështetur iniciativa si grupi për vaksinim Gavi dhe Fondi Global për Luftimin e HIV/AIDS, Tuberkulozit dhe Malaries.

Sipas Gates, fondacioni do të mbyllet pasi të ketë shpenzuar rreth 99% të pasurisë së tij personale. Fillimisht, themeluesit kishin parashikuar që fondacioni të vazhdonte për disa dekada pas vdekjes së tyre.

Gates, pasuria e të cilit vlerësohet rreth 108 miliardë dollarë, pret që fondacioni të shpenzojë rreth 200 miliardë dollarë deri në vitin 2045, me shifrën përfundimtare që do të varet nga tregjet dhe inflacioni.

Fondacioni tashmë është një nga aktorët më të mëdhenj në fushën e shëndetësisë globale, me një buxhet vjetor që pritet të arrijë në 9 miliardë dollarë deri në vitin 2026.

Ai ka përballuar kritika për fuqinë dhe ndikimin e tepërt në këtë fushë, pa llogaridhënie të mjaftueshme – përfshirë edhe në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Gates ka qenë gjithashtu objekt i teorive të konspiracionit, veçanërisht gjatë pandemisë së COVID-19.

Ai ka zhvilluar disa biseda me presidentin Trump muajt e fundit lidhur me rëndësinë e vazhdimit të investimeve në shëndetin global. “Shpresoj që edhe njerëzit e tjerë të pasur të mendojnë se sa shumë mund të përshpejtojnë përparimin për më të varfrit e botës, nëse rrisin ritmin dhe shkallën e dhurimeve të tyre, sepse është një mënyrë jashtëzakonisht e fuqishme për t’i dhënë diçka pas shoqërisë”, shkroi Gates. / Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

Ish-presidenti francez Sarkozy nis dënimin me burgim

Published

on

Nicolas Sarkozy është kthyer në ish-presidentin e parë të Francës që përfundon në burg.

Dënimi i tij me burgim pesëvjeçar ka nisur të martën, pasi është shpallur fajtor se ka komplotuar për të financuar fushatën e tij zgjedhore me paratë e ish-diktatorit të Libisë, Muammar Gaddafi.

Hera e fundit që i ka ndodhur diçka e ngjashme Francës ka qenë viti 1945, kur ishte burgosur lideri kolaboracionist nazist Philippe Petain me akuzat për tradhti gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Sarkozy, i cili ka qenë president në periudhën 2007-2012, do të qëndrojë në burgun La Sante në një qeli prej 9 metrash katrorë.

Më shumë se 100 persona janë parë duke qëndruar para burgut, pasi djali i tij, Louis, 28-vjeçar, u ka bërë thirrje mbështetësve që të tregojnë përkrahje.

Sarkozy është deklaruar vazhdimisht i pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi të.

Ndonëse ai ka thënë se nuk dëshiron trajtim special në burgun La Sante, autoritetet e kanë ndarë atë në një qeli të veçantë për çështje të sigurisë.

Brenda qelisë, ish-presidenti do të ketë banjon, zonën për dush dhe një televizor të vogël. Përgjatë ditës, atij do t’i lejohen ushtrime brenda një ore në ambiente të jashtme.

“Nuk jam i frikësuar nga burgjet. Do ta mbaj kokën lart edhe në ambientet e burgut”, ka thënë ai në hyrje të ndërtesës së burgut.

Mes tjerash, ai ka thënë se do t’i marrë me vete dy libra, njërën për jetën e Krishtit dhe tjetrën për Kontin e Monte Kristos, e cila ka të bëjë me jetën e një burri të burgosur gabimisht, i cili arratiset për t’u hakmarrë ndaj prokurorëve të tij.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

Sanae Takaichi, gruaja e parë kryeministre në Japoni

Published

on

Konservatorja e linjës së ashpër, Sanae Takaichi është zgjedhur gruaja e parë kryeministre e Japonisë, e cila pritet ta drejtojë shtetin kah e djathta.

Ish-ndihmëse e kryeministrit Shinzo Abe dhe admiruese e ish-kryeministres britanike, Margaret Thatcher, Takaichi i ka siguruar 237 vota në Dhomën e Ulët të Parlamentit, nga 465 sa janë gjithsej.

Fitorja e saj shënon një moment të rëndësishëm për vendin në të cilin kanë udhëhequr gjithmonë burrat.

Ajo pritet të ketë qasje më të ashpër në temat sikurse imigrimi dhe çështjet sociale.

Japonia është duke u përballur me rritje të çmimeve, situatë që e ka rritur zemërimin publik dhe e ka rritur mbështetjen për grupet e së djathtës.

Ndonëse ka fituar mjaftueshëm vota për pozitën e kryeministres, asaj do t’i duhet mbështetje më e madhe e partive opozitare për të udhëhequr në mënyrë efektive.

Takaichi pritet ta bëjë betimin në mbrëmjen e së martës.

Emërimi i saj ka ardhur pasi kryeministri në shkuarje Shigeru Ishiba ka dhënë dorëheqje një muaj më parë, duke e marrë përgjegjësinë për humbjen e partisë së tij në zgjedhje.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

Politikania nga Venezuela, Maria Corina Machado, fiton Nobelin për Paqe

Published

on

Politikania Maria Corina Machado është shpërblyer me Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2025, ka bërë të ditur Komiteti Norvegjez i Nobelit.

Komiteti ka thënë se ajo është përzgjedhur për punën e saj të palodhshme në promovimin e të drejtave demokratike për popullin e Venezuelës dhe për përpjekjet e saj për tranzicion paqësor nga diktatura në demokraci.

“Kur autoritarët e marrin pushtetin, është jetike që të njihen mbrojtësit guximtarë të lirisë, të cilët ngrihen dhe rezistojnë”, është thënë në deklaratën e Komitetit.

Çmimi Nobel për Paqe, në vlerë të rreth 1.2 milion dollarëve, do të ndahet edhe zyrtarisht në një ceremoni të organizuar në Oslo më 10 dhjetor.

Ceremonia mbahet gjithmonë në datën e njëjtë, për të shënuar edhe përvjetorin e vdekjes së industrialistit suedez, Alfred Nobel, me dëshirën e tij të cilit janë krijuar çmimet më 1895.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending