Connect with us

Kosovë

Zhijovin Nesiq u dënua me 15 vjet burgim për dhunim gjatë luftës

Published

on

Zhivojin Nesiq është dënuar me 15 vjet burgim për krime lufte kundër popullatës civile, përkatësisht për përdhunimin e një gruaje.

Aktgjykimi u shpall nga gjykatësja  e Gjykatës Themelore në Prishtinë,Violeta Namani-Hajra, e cila tha se Nesiq në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të panjohur të forcave serbe ka kryer këtë vepër penale.

Sipas  gjykatëses, e dëmtuara në këtë rast, e kishte identifikuar të akuzuarin para Komisionit për hetimin dhe zbulimin e krimeve të luftës. Ajo po ashtu identifikimin e tij e kishte bërë edhe para policisë, por edhe në gjykatë dhe prokurori.

“Dëshmitë e të dëmtuarës gjejnë mbështetje në dëshmitë e dëshmitarëve okularë A.A., H.A., dhe H.H., ku nga këto dëshmi, gjykata ka vërtetuar se Zhivojin Nesiq me përdorimin e dhunës fizike dhe psiqike dhe veprimeve çnjerëzore, ka kryer dhunim seksual ndaj femrës së nacionalitetit shqiptar. Dhe me këto veprime të kundërligjshme, Zhivojin Nesiq ka kryer veprën penale për të cilën është shpallur fajtor dhe është dënuar sipas ligjit”, tha gjykatësja Namani-Hajra, raporton Betimi për Drejtësi.

Aktakuza ndaj Zhivojin Nesiqit ishte ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës më 26 gusht të vitit 2024, derisa ai është në paraburgim që nga 5 marsi i vitit 2024 dhe gjykata ia ka vazhduar këtë masë deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Më herët, për dhunë seksuale gjatë luftës, me 13 vite burgim u dënua Zoran Vukotiq.

Kosovë

Rinumërimi i votave u përmbyll në 34 komuna

Published

on

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve deri më tani (29.01.2025 13:11),  janë rinumëruar 89,21 % e vendvotimeve apo 2 mijë e 281 vendvotime nga 2 mijë e 557 sa janë në total.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve,  procesi i rinumërimit është përmbyllur në 34 komuna.

Bazuar në dinamikën e procesit, rinumërimi mund të përfundojë pasditen e sotme, ose më së voni të premten, më 30 janar 2026.

Continue Reading

Kosovë

Prokuroria në Prizren thotë se të dyshuar të tjerë po intervistohen mbi dyshimet për manipulim të votave

Published

on

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar të enjten se një grup i dytë i të dyshuarve është duke u marrë në pyetje si pjesë e hetimit të zgjeruar mbi dyshimet për manipulim të votave në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit – të cilat nxitën rinumërim të plotë të votave.

Në njoftim në Facebook, Prokuroria theksoi se mori informacione shtesë lidhur me dyshimet për manipulim të votave të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës pas rinumërimit të votave në Prizren.

Ajo nuk tregoi për numrin e të dyshuarve që janë duke u marrë në pyetje në stacionin policor në rajonin jugor të vendit, por tha se ata dyshohen për vepra penale si, shkelja e të drejtave të votimit, korrupsioni zyrtar, si dhe shkelja e detyrës zyrtare.

Ky është operacioni i dytë që autoritetet për zbatim të ligjit e ndërmarrin në Prizren – vendin ku dyshohet se ka pasur më së shumti manipulim votash – pasi javën e kaluar i ndaluan mbi 100 të dyshuar.

Nga mbi 100 të ndaluar në atë aksion, 22 komisionerë dhe një vëzhgues u dërguan në paraburgim për një muaj.

Dyshimet për manipulim të votave të zgjedhjeve të dhjetorit kanë hedhur dyshime serioze mbi procesin zgjedhor, dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u detyrua ta bëjë rinumërimin e plotë të votave, pasi kishte gjetur mospërputhje të mëdha në votat për kandidatët për deputetë.

Komisioni bëri të ditur ditë më parë se pret ta përfundojë rinumërimin në fundjavë, pasi tashmë janë rinumëruar rreth 90 për qind e votave.

Rinumërimi në Prizren ka përfunduar tashmë dhe ai tregon një dallim në votat për kandidatët për deputetë para dhe pas rinumërimit.

Të paktën katër kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës u janë hequr nga mbi 2.000 votat secilit në këtë komunë, përfshirë njërit mbi 6.000, pasi komisioni vërtetoi në rinumërim se atyre u ishin shtuar votat e paqena.

Edhe kandidatëve nga partitë e tjera si ajo në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, u janë hequr vota pas rinumërimit në këtë komunë, por në numër diçka më të vogël.

Operacioni i ri në Prizren vjen po ashtu një ditë pasi 15 kryesues zgjedhorë u ndaluan për 48 orë gjatë një aksioni të ngjashëm në Malishevë. Në shënjestër të aksionit në këtë komunë në pjesën qendrore të Kosovës ishin 18 kryesues dhe 50 komisionerë që kishin marrë pjesë në numërim të votave të zgjedhjeve të dhjetorit.

Ndërkohë, përveç Prizrenit dhe Malishevës, autoritetet janë duke kryer hetime edhe në Ferizaj e Drenas.

Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë Albin Kurtit i fitoi zgjedhjet e 28 dhjetorit duke marrë mbi 51 për qind të votave.

Rinumërimi nuk pritet të ndikojë në rezultatin e partive dhe Kurti mund ta formojë qeverinë e re pas certifikimit të rezultateve përafërsisht në fillim të shkurtit.

Në Kosovë manipulimi i votave është vepër penale e dënueshme me burgim.

Megjithatë, së voni organizata joqeveritare, ÇOHU, e publikoi një hulumtim që tregoi se mbi 90 për qind e rasteve për manipulime zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose gjoba.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Autoritetet kryejnë aksion në Malishevë mbi dyshimet për manipulim të votave

Published

on

Autoritetet për zbatimin e ligjit janë duke e kryer një aksion në komunën e Malishevës – si pjesë e një hetimi për manipulim të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit – i cili nxiti rinumërim të plotë të votave, tha të mërkurën për Radion Evropa e Lirë (REL) një zyrtar.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Drin Domi, i tha REL-it persona të dyshuar janë duke u marrë në pyetje lidhur me dyshimet se kishin falsifikuar vota brenda partive politike të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Domi nuk tregoi se sa të dyshuar po merren në pyetje dhe kush mund të jenë ata, e as nuk dha hollësi të tjera rreth aksionit, duke thënë ai është në zhvillim e sipër.

Megjithatë, në hetimet e deritanishme për manipulim të votave, të dyshuar që janë marrë në pyetje kanë qenë komisionerë dhe vëzhgues që kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në numërimin e votave.

“Tani për tani mund të them vetëm kaq. Më shumë hollësi do t’i bëjmë të ditura pasdite”, tha Domi.

Rinumërimi në Malishevë – komunë në pjesën qendrore të vendit – ka përfunduar tashmë dhe ai tregon një dallim në votat për kandidatët për deputetë. Të paktën tre kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës u janë hequr nga mbi 700 votat secilit në këtë komunë.

Edhe kandidatëve nga partitë e tjera si ajo në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, Nisma, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, u janë hequr vota pas rinumërimit në këtë komunë, por në numër diçka më të vogël.

Ky operacion është i dyti i këtij lloji si pjesë e një hetimi të gjerë për manipulim të votave në zgjedhjet e fundit të parakohshme të Kosovës.

Një operacion i ngjashëm u krye javën e kaluar në Prizren, ku u arrestuan 109 të dyshuar, prej të cilave 23 u dërguan në paraburgim nën dyshimin se kishin manipuluar vota të kandidatëve për deputetë.

Dyshimet për manipulim të votave të zgjedhjeve të dhjetorit kanë hedhur dyshime serioze mbi procesin zgjedhor, dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u detyrua ta bëjë rinumërimin e plotë të votave, pasi kishte gjetur mospërputhje të mëdha në votat për kandidatët për deputetë.

Komisioni bëri të ditur të martën se pret ta përfundojë rinumërimin në fundjavë, pasi tashmë janë rinumëruar mbi 80 për qind e votave.

Por, derisa rinumërimi ka vazhduar drejt përfundimit, edhe hetimet e autoriteteve për zbatim të ligjit po zgjerohen.

Përveç Prizrenit dhe Malishevës ku tashmë janë zhvilluar operacione, autoritetet janë duke kryer hetime edhe në Ferizaj e Drenas.

Në Kosovë manipulimi i votave është vepër penale e dënueshme me burgim.

Megjithatë, së voni organizata joqeveritare, ÇOHU, e publikoi një hulumtim që tregoi se mbi 90 për qind e rasteve për manipulime zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose gjoba.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending