Connect with us

Kosovë

Trump paralajmëron tarifa prej 35% për Serbinë dhe 30% për Bosnjën

Published

on

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, paralajmëroi tarifa prej 35 për qind për importet nga Serbia dhe 30 për qind për importet nga Bosnje dhe Hercegovina.

Tarifat e reja për dy vendet e Ballkanit Perëndimor, si edhe ato për një sërë vendesh të tjera do të hyjnë në fuqi më 1 gusht.

Ato janë më të ulëta sesa ato që Trump i paralajmëroi në prill – 37% për mallrat nga Serbia dhe 35% për ato nga Bosnje dhe Hercegovina.

Megjithatë, zbatimi i këtyre të fundit u shty për 90 ditë.

Trump i paralajmëroi tarifat e reja në letrat drejtuar udhëheqësve të vendeve – në rastin e Serbisë, presidentit Aleksandar Vuçiq, ndërsa në rastin e Bosnje dhe Hercegovinës kryetares aktuale të presidencës, Zhelka Cvijanoviq.

Këto letra janë të njëjta, përveç ndryshimeve në normat doganore që i vendosen secilit shtet veç e veç.

Letra e Trumpit fillon duke thënë se është “nder i madh” për të që dërgon një letër, e cila tregon rëndësinë dhe përkushtimin e SHBA-së për marrëdhëniet tregtare me atë shtet.

Ai shton se SHBA-ja ka pranuar ta vazhdojë bashkëpunimin tregtar me vendin në fjalë, pavarësisht “deficitit të konsiderueshëm tregtar” që SHBA-ja ka me të.

Sipas tij, norma e deklaruar e tarifës – 30 për qind për Bosnje dhe Hercegovinën dhe 35 për qind për Serbinë – është shumë më e ulët se ajo që nevojitet për të eliminuar pabarazitë dhe deficitin tregtar.

Trump, gjithashtu, kërcënon se do t’i rrisë tarifat nëse vendet hakmerren, duke vendosur tarifa shtesë për importet nga SHBA-ja.

Trump njoftoi të hënën në rrjetin e tij social, Truth Social, vendosjen e tarifave të reja doganore për një sërë shtetesh.

Për Japoninë, Korenë e Jugut, Malajzinë dhe Kazakistanin parashikohen tarifa prej 25%; për Afrikën e Jugut 30%; për Indonezinë 32%; për Bangladeshin 35%; për Kamboxhën dhe Tajlandën 36%, dhe për Laosin e Mianmarin 40%.

Në fillim të prillit, Trump vendosi tarifë 10% për importet nga Kosova.

Masë të ngjashme, atëkohë, vendosi edhe për importet nga Shqipëria, kurse për ato nga Serbia ishte 37%, nga Bosnje dhe Hercegovina 35% dhe nga Maqedonia e Veriut 33%.

Ekspertët vlerësuan se tarifat amerikane do të kenë shumë ndikim në Kosovë, për shkak të varësisë së madhe nga importet.

\Radio Evropa e Lirë

Kosovë

Rinumërimi i votave u përmbyll në 34 komuna

Published

on

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve deri më tani (29.01.2025 13:11),  janë rinumëruar 89,21 % e vendvotimeve apo 2 mijë e 281 vendvotime nga 2 mijë e 557 sa janë në total.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve,  procesi i rinumërimit është përmbyllur në 34 komuna.

Bazuar në dinamikën e procesit, rinumërimi mund të përfundojë pasditen e sotme, ose më së voni të premten, më 30 janar 2026.

Continue Reading

Kosovë

Prokuroria në Prizren thotë se të dyshuar të tjerë po intervistohen mbi dyshimet për manipulim të votave

Published

on

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar të enjten se një grup i dytë i të dyshuarve është duke u marrë në pyetje si pjesë e hetimit të zgjeruar mbi dyshimet për manipulim të votave në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit – të cilat nxitën rinumërim të plotë të votave.

Në njoftim në Facebook, Prokuroria theksoi se mori informacione shtesë lidhur me dyshimet për manipulim të votave të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës pas rinumërimit të votave në Prizren.

Ajo nuk tregoi për numrin e të dyshuarve që janë duke u marrë në pyetje në stacionin policor në rajonin jugor të vendit, por tha se ata dyshohen për vepra penale si, shkelja e të drejtave të votimit, korrupsioni zyrtar, si dhe shkelja e detyrës zyrtare.

Ky është operacioni i dytë që autoritetet për zbatim të ligjit e ndërmarrin në Prizren – vendin ku dyshohet se ka pasur më së shumti manipulim votash – pasi javën e kaluar i ndaluan mbi 100 të dyshuar.

Nga mbi 100 të ndaluar në atë aksion, 22 komisionerë dhe një vëzhgues u dërguan në paraburgim për një muaj.

Dyshimet për manipulim të votave të zgjedhjeve të dhjetorit kanë hedhur dyshime serioze mbi procesin zgjedhor, dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u detyrua ta bëjë rinumërimin e plotë të votave, pasi kishte gjetur mospërputhje të mëdha në votat për kandidatët për deputetë.

Komisioni bëri të ditur ditë më parë se pret ta përfundojë rinumërimin në fundjavë, pasi tashmë janë rinumëruar rreth 90 për qind e votave.

Rinumërimi në Prizren ka përfunduar tashmë dhe ai tregon një dallim në votat për kandidatët për deputetë para dhe pas rinumërimit.

Të paktën katër kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës u janë hequr nga mbi 2.000 votat secilit në këtë komunë, përfshirë njërit mbi 6.000, pasi komisioni vërtetoi në rinumërim se atyre u ishin shtuar votat e paqena.

Edhe kandidatëve nga partitë e tjera si ajo në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, u janë hequr vota pas rinumërimit në këtë komunë, por në numër diçka më të vogël.

Operacioni i ri në Prizren vjen po ashtu një ditë pasi 15 kryesues zgjedhorë u ndaluan për 48 orë gjatë një aksioni të ngjashëm në Malishevë. Në shënjestër të aksionit në këtë komunë në pjesën qendrore të Kosovës ishin 18 kryesues dhe 50 komisionerë që kishin marrë pjesë në numërim të votave të zgjedhjeve të dhjetorit.

Ndërkohë, përveç Prizrenit dhe Malishevës, autoritetet janë duke kryer hetime edhe në Ferizaj e Drenas.

Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë Albin Kurtit i fitoi zgjedhjet e 28 dhjetorit duke marrë mbi 51 për qind të votave.

Rinumërimi nuk pritet të ndikojë në rezultatin e partive dhe Kurti mund ta formojë qeverinë e re pas certifikimit të rezultateve përafërsisht në fillim të shkurtit.

Në Kosovë manipulimi i votave është vepër penale e dënueshme me burgim.

Megjithatë, së voni organizata joqeveritare, ÇOHU, e publikoi një hulumtim që tregoi se mbi 90 për qind e rasteve për manipulime zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose gjoba.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Autoritetet kryejnë aksion në Malishevë mbi dyshimet për manipulim të votave

Published

on

Autoritetet për zbatimin e ligjit janë duke e kryer një aksion në komunën e Malishevës – si pjesë e një hetimi për manipulim të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit – i cili nxiti rinumërim të plotë të votave, tha të mërkurën për Radion Evropa e Lirë (REL) një zyrtar.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Drin Domi, i tha REL-it persona të dyshuar janë duke u marrë në pyetje lidhur me dyshimet se kishin falsifikuar vota brenda partive politike të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Domi nuk tregoi se sa të dyshuar po merren në pyetje dhe kush mund të jenë ata, e as nuk dha hollësi të tjera rreth aksionit, duke thënë ai është në zhvillim e sipër.

Megjithatë, në hetimet e deritanishme për manipulim të votave, të dyshuar që janë marrë në pyetje kanë qenë komisionerë dhe vëzhgues që kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në numërimin e votave.

“Tani për tani mund të them vetëm kaq. Më shumë hollësi do t’i bëjmë të ditura pasdite”, tha Domi.

Rinumërimi në Malishevë – komunë në pjesën qendrore të vendit – ka përfunduar tashmë dhe ai tregon një dallim në votat për kandidatët për deputetë. Të paktën tre kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës u janë hequr nga mbi 700 votat secilit në këtë komunë.

Edhe kandidatëve nga partitë e tjera si ajo në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, Nisma, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, u janë hequr vota pas rinumërimit në këtë komunë, por në numër diçka më të vogël.

Ky operacion është i dyti i këtij lloji si pjesë e një hetimi të gjerë për manipulim të votave në zgjedhjet e fundit të parakohshme të Kosovës.

Një operacion i ngjashëm u krye javën e kaluar në Prizren, ku u arrestuan 109 të dyshuar, prej të cilave 23 u dërguan në paraburgim nën dyshimin se kishin manipuluar vota të kandidatëve për deputetë.

Dyshimet për manipulim të votave të zgjedhjeve të dhjetorit kanë hedhur dyshime serioze mbi procesin zgjedhor, dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u detyrua ta bëjë rinumërimin e plotë të votave, pasi kishte gjetur mospërputhje të mëdha në votat për kandidatët për deputetë.

Komisioni bëri të ditur të martën se pret ta përfundojë rinumërimin në fundjavë, pasi tashmë janë rinumëruar mbi 80 për qind e votave.

Por, derisa rinumërimi ka vazhduar drejt përfundimit, edhe hetimet e autoriteteve për zbatim të ligjit po zgjerohen.

Përveç Prizrenit dhe Malishevës ku tashmë janë zhvilluar operacione, autoritetet janë duke kryer hetime edhe në Ferizaj e Drenas.

Në Kosovë manipulimi i votave është vepër penale e dënueshme me burgim.

Megjithatë, së voni organizata joqeveritare, ÇOHU, e publikoi një hulumtim që tregoi se mbi 90 për qind e rasteve për manipulime zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose gjoba.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending