Connect with us

Kosovë

Osmani kërkon sqarime nga Kushtetuesja se çfarë ndodh nëse Kuvendi s’konstituohet brenda afatit

Published

on

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim se çfarë ndodh nëse Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet deri më 26 korrik – afati i përcaktuar nga gjykata më herët përmes një aktgjykimi. Ajo po ashtu ka kërkuar një masë të përkohshme për pezullimin e afatit 30-ditor.

“Kërkesa jonë sot, në esencë, është kërkesë për sqarim të pasojave juridike të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh”, tha Osmani në një konferencë për media.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 26 qershor ka obliguar deputetët që ta konstituojnë organin ligjvënës deri më 26 korrik.

Osmani kujtoi se në atkgjykimin paraprak të Kushtetueses lidhur me moskonstituimin e organit ligjvënës pas zgjedhjeve të shkurtit nuk janë sqaruar pasojat juridike.

Sipas saj, qëllimi është që të sqarohet situata e moskonstituimit brenda afati, por edhe se si ushtrohen kompetencat e secilit institucion kushtetues, në mungesë të konstituimit të një prej shtyllave kryesore të parimit të ndarjes së pushteteve, që është Kuvendi.

Po ashtu, “duhet të sqarohet se çfarë ndodh nëse Kuvendi konstituohet pas 26 korrikut”, tha ajo, duke shtuar se me këtë kërkesë po synohet të parandalohen dëmet që do të mund të shkaktoheshin.

Osmani tha se në kërkesën e dërguar në Kushtetuese, që ka të bëjë me zgjidhjen e konfliktit të kompetencave, ka paraqitur edhe kërkesën për masë të përkohshme për pezullimin e afatit 30-ditor.

“Kërkesa për masë të përkohshme është mundësi që të shmanget futja e institucioneve në një bllokadë pa fund, dhe hyrja në një situatë ku institucionet do të mund të konstituoheshin në një mënyrë jokzushtetuese dhe do të ishin të pasafatshme”, tha e para e shtetit.

Ajo shtoi se një pezullim i afatit do të parandalonte shkeljen e Kushtetutës nga deputetët, konstituimin e Kuvendit pas afatit, që do të ishte jokushtetues dhe mundësinë e zgjedhjes së një qeverie, e cila po ashtu do të ishte në kundërshtim me aktin më të lartë ligjor.

Presidentja Osmani tha se shpreson që kërkesa për masë të përkohshme të trajtohet me urgjencë nga Kushtetuesja.

“Ne shpresojmë që së paku pjesa e masës së përkohshme të trajtohet urgjentisht, në mënyrë që të mbetet një ose dy ditë e pashfrytëzuar e këtij afati, që në momentin kur Gjykata e publikon vendimin e plotë lidhur me pasojat juridike, ndër të tjera, atëherë deputetët t’i kenë së paku këto dy ditë që të veprojnë në përputhje me Kushtetutën”, u shpreh ajo.

Presidenca do ta tërheqë kërkesën nëse deputetët deri para kalimit të afatit të 26 korrikut arrijnë ndonjë marrëveshje për konstituimin e Kuvendit, sqaroi Osmani.

Më 21 korrik, deputetët për herë të 50-të dështuan të konstituonin Kuvendin e Kosovës, pasi partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë po kundërshtojnë ndryshimin e mënyrës së votimit për kryeparlamentar nga i hapur në të mbyllur.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë cilësuar si figurë përçarëse të propozuarën e LVV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiun. Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk do të votojë asnjë të propozuar nga LVV-ja për kryeparlamentar.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se partia e tij ka gatishmëri për të bashkëqeverisur me Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt, parti së cilës tha se i ka bërë ofertë konkrete.

Kreu i LVV-së, partisë fituese të zgjedhjeve të shkurtit, tha se shpreson që bisedimet me partinë e Limajt të finalizohen gjatë kësaj jave.

“Këtë fundjavë do ta kemi lajmin për marrëveshjen e arritur ose mungesën e saj”, tha ai.

Kush sa vota i ka?

Në Kuvendin e Kosovës me 120 ulëse, nevojiten 61 vota për të votuar me sukses emrin e ri të kryekuvendarit.

Lëvizja Vetëvendosje, si fituesja e më së shumti votave në zgjedhjet e 9 shkurtit, i ka 48 ulëse në Kuvend, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 24, Lidhja Demokratike e Kosovës me 20, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë me 9 dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla. Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave.

Vetëm Nisma Socialdemokrate i ka tre deputetë në Kuvend. Përveç Limajt kjo parti përfaqësohet nga Xhevahire Izmaku dhe Arbëreshë Kryeziu.

Ministri në detyrë i Administrimit dhe Pushtetit Lokal dhe kryetari i Iniciativës së re Demokratike të Kosovës (IRDK), Elbert Krasniqi, ka sinjalizuar më parë se shtatë deputetë të pakicave joserbe do të votonin pro konstitutimit të Kuvendit të ri dhe një qeverie të re të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në një skenar kur Lëvizja Vetëvendosje, deputetët e Nismës dhe shtatë të pakicave do të votonin për konstituim të Kuvendit, do të duheshin edhe tri vota për finalizim të procesit me sukses.

Deri më tani, deputetët e pakicave, Duda Balje, Veton Berisha dhe Adem Hoxha janë deklaruar se nuk ofrojnë mbështetje pa u plotësuar kushtet e tyre.

\Radio Evropa e Lirë

Kosovë

Siria njeh Republikën e Kosovës

Published

on

Republika Arabe e Sirisë ka njohur Republikën e Kosovës shtet, ka njoftuar presidentja Vjosa Osmani.

Presidentja bëri të ditur se marrëveshja për njohjen reciproke mes dy vendeve u arrit sot në Riad me mbështetjen e Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud.

“Me mbështetjen e Lartësisë së tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, sot në Riad arritëm marrëveshjen nëpërmjet së cilës Republika Arabe e Sirisë njeh Republikën e Kosovës. Falënderoj Presidentin Al Sharaa për vendimin për njohje të Kosovës si dhe për mbështetjen e tij për popullin tonë.

Populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë vuajtur e sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë. Prandaj kjo njohje e ndërsjellë sot nuk është vetëm e sovranitetit shtetëror, por edhe njohje e sakrificës së shumë brezave për të jetuar të lirë.

Falënderoj Princin e Kurorës së Mbretërisë së Arabisë Saudite që e bëri të mundshëm këtë akt historik ndërmjet dy shteteve tona,” ka shkruar presidentja Osmani në  Facebook.

Republika Arabe e Sirisë është vendi i 120-të që zyrtarisht njeh shtetin e Kosovës.

#

Continue Reading

Kosovë

Supremja shfuqizon nenin që kufizonte të drejtën e veteranëve të UÇK-së për përfitimin e pensionit

Published

on

Gjykata Supreme e Kosovës e ka shfuqizuar të martën një nen të një udhëzimi administrativ, i cili u kërkonte veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të paraqisnin dëshmi se nuk ishin në marrëdhënie pune për të përfituar nga pensioni.

Udhëzimi Administrativ Nr. 01/2025 i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) kishte vendosur si kusht që veteranët, për të përfituar kompensim financiar, duhet të dëshmonin me dokument nga Administrata Tatimore e Kosovës se nuk janë të punësuar.

Gjykata Supreme ka vendosur se ky kusht është i paligjshëm, sepse ligji në fuqi, neni 16A, paragrafi 5, nuk ua ndalon veteranëve që janë të punësuar në sektorin privat të përfitojnë nga pensioni.

Sipas ligjit, vetëm ata që janë të punësuar në institucione publike ose ndërmarrje publike, pra që paguhen nga buxheti i shtetit, përjashtohen nga përfitimi.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UCK-së, e cila e kishte paditur Ministrinë për këtë udhëzim, e përshëndet vendimin e Supremes në një shkrim në Facebook.

“Ky vendim është një fitore e drejtësisë dhe e ligjit, sepse rikthen në vend një padrejtësi të bërë ndaj shumë veteranëve që, pavarësisht se janë të punësuar në sektorin privat, u ishin mohuar të drejtat ligjore të përfitimit nga skema e kompensimeve”, tha kjo organizatë.

Supremja tha se, gjatë shqyrtimit të ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe anëtarëve të familjeve të tyre, ka vlerësuar se me ndryshimet dhe plotësimet e fundit të ligjit është krijuar një “paqartësi dhe konfuzion juridik” në lidhje me ekzistimin ose jo të marrëdhënies së punës si kriter për përfitimin e së drejtës ligjore të kompensimit financiar.

“Në këtë drejtim, Gjykata ka interpretuar nenin 16A, paragrafi 5 të ligjit të ndryshuar, i cili përcakton se: Veteranët e luftës së UÇK-së që punojnë jashtë institucioneve që paguhen nga buxheti i Kosovës, si dhe jashtë ndërmarrjeve publike, do të gëzojnë njëtrajtshëm deri në 50% të shumës së paraparë, por që në total nuk do të kalojë 0.7% të Bruto Prodhimit Vendor”, thuhet në vendim.

Gjykata vendosi se e drejta për përfitim nga kjo kategori ligjore nuk varet nga ekzistenca e marrëdhënies së punës në përgjithësi, por nga natyra e punëdhënësit dhe burimi i financimit të pagës, pra, nëse ai burim është apo jo buxheti i shtetit.

Ajo i kërkoi Ministrisë ta shfuqizojë ose harmonizojë me përmbajtjen e ligjit të ndryshuar të vitit 2017 udhëzimin administrativ të vitit 2015, në lidhje me kushtin që një veteran të mos jetë në marrëdhënie pune për përfitimin e kompensimit.

Veteranët e luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, të cilët janë të papunësuar, marrin pension mujor që nga viti 2015.

Sipas të dhënave shtetërore, nga rreth 46 mijë veteranë të regjistruar, rreth 37 mijë përfitojnë një pension prej 204 eurosh.

Sipas Ligjit për Veteranët e Luftës së UÇK-së, ekzistojnë gjashtë kategori veteranësh: invalidi i luftës, veterani luftëtar, i internuari, pjesëtari, pjesëmarrësi i luftës dhe ushtari i zhdukur i UÇK-së.

Po sipas të njëjtit ligj, vetëm ata që e kanë statusin e veteranit luftëtar të UÇK-së kanë të drejtë në pension dhe përfitime shtesë, ndërsa kategoritë tjera vetëm në përfitime të parapara me ligj.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Kosovë

Arrestohet një prokuror i dyshuar për ryshfet

Published

on

Policia në Prizren ka arrestuar një prokuror nën dyshimin se ka marrë ryshfet.

I dyshuari, B.SH. u arrestua në vendin e tij të punës me urdhër të Prokurorisë Speciale .

 “Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren kanë arrestuar B.Sh nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘Marrja e ryshfetit’.

I dyshuari B.Sh., prokuror në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, është arrestuar në vendin e punës”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Continue Reading

Trending