Connect with us

Botë

Trump urdhëron ripozicionimin e nëndetëseve bërthamore për shkak të deklaratave të Medvedevit

Published

on

Në një paralajmërim për Rusinë, presidenti amerikan, Donald Trump, tha më 1 gusht se ka urdhëruar ripozicionimin e dy nëndetëseve bërthamore amerikane, “bazuar në deklaratat shumë provokuese” të bëra nga ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev.

Trump shkroi në Truth Social se bazuar në deklaratat “shumë provokuese” të bëra nga Medvedevi, ai ka urdhëruar “që dy nëndetëset bërthamore të pozicionohen në rajonet e përshtatshme, në rast se këto deklarata të pamenduara dhe nxitëse janë më tepër se fjalë”.

Presidenti amerikan shtoi se “fjalët kanë shumë rëndësi dhe shpesh mund të çojnë në pasoja të padëshiruara, dhe shpresoj që kjo të mos jetë një nga ato raste”.

Njoftimi i Trumpit për ripozicionimin e nëndetëseve – që kryejnë patrullime të rregullta në rajonet ku tensionet janë të larta – vjen në një moment delikat të raporteve të administratës së Trumpit me Moskën.

Trump ka thënë se i dërguari i tij i posaçëm, Steve Witkoff, po shkon në Rusi për të shtyrë Moskën që të pranojë një armëpushim në luftën me Ukrainën dhe ka kërcënuar me sanksione të reja ekonomike nëse nuk arrihen përparime.

Ai shkurtoi afatin prej 50 ditësh në 10 ditë – që palët të ndalin luftën – dhe ky afat pritet të skadojë javën e ardhshme.

Postimi për ripozicionimin e nëndetëses erdhi pasi Trump, në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes, kishte shkruar se Medvedev është “ish-president i dështuar i Rusisë” dhe e kishte paralajmëruar që të kishte “kujdes me fjalët”.

Disa orë më vonë, Medvedev iu përgjigj, duke shkruar se “Rusia ka të drejtë në gjithçka dhe do të vazhdojë rrugën e saj”.

Medvedev ishte president i Rusisë nga viti 2008 deri në 2012, në periudhën kur Putini nuk mund të kandidonte për një mandat të dytë radhazi. Ai u tërhoq për t’i hapur rrugë Putinit që të kandidonte përsëri.

Tani, Medvedev është zëvendëskryetar i Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Rusisë, të cilin e udhëheq Putini.

Medvedev njihet për deklaratat e tij provokuese dhe nxitëse që nga fillimi i luftës në Ukrainë në 2022.

Ai shpesh ka bërë kërcënime bërthamore dhe ka fyer udhëheqësit perëndimorë përmes postimeve në rrjetet sociale. Disa vëzhgues kanë argumentuar se me këtë retorikë, Medvedev po përpiqet të fitojë pikë politike pranë Putinit dhe ushtarakëve rusë.

Trump dhe Medvedev janë përplasur edhe në të kaluarën përmes postimeve në rrjetet sociale.

Më 15 korrik, pasi Trump njoftoi për planet për të furnizuar Ukrainën me më shumë armë përmes aleatëve të NATO-s dhe kërcënoi me tarifa shtesë ndaj Moskës, Medvedev shkroi në rrjetet sociale: “Trump lëshoi një ultimatum teatral ndaj Kremlinit. Bota u trondit, duke pritur pasojat. Evropa u zhgënjye. Rusia nuk u shqetësua”.

Ndërkaq, në fillim të kësaj jave, ai shkroi: “Trump po luan lojën e ultimatumeve me Rusinë: 50 ditë ose 10, duke shtuar: “Ai duhet të ketë parasysh dy gjëra. Nën një, Rusia nuk është Izraeli e as Irani. Dhe, nën dy, çdo ultimatum i ri është një kërcënim dhe një hap drejt luftës. Jo midis Rusisë dhe Ukrainës, por me vendin e tij”.

\ Radio Evropa e Lirë

Botë

WSJ: Kushner heq dorë nga investimi në Serbi

Published

on

Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump, është tërhequr nga projekti për ndërtimin e një hoteli në Beograd, raportoi gazeta Wall Street Journal më 15 dhjetor.

Projekti ishte parashikuar në vendin e ish-godinës së Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, e cila u shkatërrua gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.

Kompania e Kushnerit “Affinity Partners” kishte planifikuar të ndërtonte aty një hotel luksoz.

Lajmi erdhi në ditën kur Prokuroria Publike për Krim të Organizuar në Serbi ngriti aktakuzë ndaj ministrit aktual të Kulturës, Nikolla Sellakoviq, për shkelje gjatë heqjes së statusit të pronësisë së objekteve kulturore ndaj ish-ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm, në qendër të Beogradit.

Sellakoviq akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare.

“Për shkak se projektet e mëdha duhet të bashkojnë, jo të ndajnë, dhe nga respekti për qytetarët e Serbisë dhe Beogradit, ne tërhiqemi nga aplikimi ynë dhe këtë herë qëndrojmë mënjanë”, deklaroi një zëdhënës i kompanisë private investuese të Kushnerit, “Affinity Partners”, sipas Wall Street Journal.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua kompanisë “Affinity Partners” për konfirmim dhe koment dhe është në pritje të përgjigjes.

REL-i kontaktoi edhe Presidencën e Serbisë, por ende pa përgjigje.

Prokuroria për Krim të Organizuar po kryen hetime që nga maji për falsifikimin e dyshuar të dokumenteve, të cilat shërbyen si bazë që Qeveria e Serbisë t’i hiqte statusin e pronësisë kulturore ish-ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm në Beograd.

Sipas akuzave të mëparshme nga Zyra e Prokurorit, drejtori i Institutit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, Goran Vasiq, pranoi falsifikimin e dokumenteve.

Bazuar në atë dokumentacion, Ministrisë së Kulturës, e cila udhëhiqet nga Sellakoviq nga radhët e Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në pushtet, i është dorëzuar një iniciativë për miratimin e vendimit për heqjen e statusit të pronësisë kulturore ndaj ish-ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm.

Sellakoviq u mor në pyetje më 4 dhjetor dhe, pasi dha dëshminë e tij, ai nuk foli për procedurat, por bëri akuza dhe fyerje kundër Prokurorisë për Krimin e Organizuar.

Pa ofruar ndonjë provë, ai e akuzoi atë se vepron sipas urdhrave të disa qendrave të pushtetit, të cilat nuk i emëroi, por tha se synojnë rrëzimin e Qeverisë në Serbi dhe të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Më 11 dhjetor, Vuçiq tha se, në rast se ngrihet aktakuzë për rastin e ish-godinës së Shtabit të Përgjithshëm, ai do t’i falë të gjithë ata që “dyshohet se kanë marrë pjesë në mashtrime”.

“Nuk do t’ua jap mundësinë t’i ndjekin penalisht ata që nuk kanë faj. Unë jam fajtori. Unë jam ai që dëshiroja modernizimin e Serbisë. Unë jam ai që dëshiroja të sjell një investitor të madh”, tha Vuçiq.

Më 7 nëntor, Kuvendi i Serbisë miratoi një ligj të veçantë që i hoqi ish-ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm statusin e pasurisë kulturore, duke i hapur rrugë ndërtimit të një kompleksi luksoz.

Ky projekt nxiti kundërshtime nga demonstrues antiqeveritarë, opozita dhe ekspertët që kërkojnë ruajtjen dhe restaurimin e ndërtesës së shekullit 20.

Kushner, përndryshe, ka plane për një projekt edhe në bregdetin Adriatik të Shqipërisë.

Projekti parashikon shndërrimin e Ishullit të Sazanit – të mbushur me bunkerë dhe tunele të braktisura nga epoka komuniste – në një vendpushim luksoz.

Projekti prej 45 hektarësh, i miratuar nga Komiteti i Investimeve Strategjike më 30 dhjetor 2024, vlen 1.4 miliard euro dhe pritet të krijojë rreth 1.000 vende pune në Shqipëri.

Megjithatë, nuk ka ende informacione publike nëse kontratat janë nënshkruar, nëse lejet mjedisore janë lëshuar, nëse studimet e fizibilitetit kanë përfunduar apo planet e ndërtimit janë miratuar.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

Vdes ish-nënpresidenti amerikan, Dick Cheney

Published

on

Dick Cheney, forca shtytëse mbrapa pushtimit amerikan në Irak më 2003, ka vdekur në moshën 84-vjeçare.

Ai është përshkruar nga historianët si njëri prej nënpresidentëve më të fuqishëm në historinë amerikane.

Familja e tij ka bërë të ditur të martën se ai ka vdekur më 3 nëntor nga komplikimet e pneumonisë dhe sëmundjet kardiake dhe vaskulare.

Cheney i Partisë Republikane – dikur edhe kongresist i Uajominut dhe Sekretar i Mbrojtjes – ka qenë figurë shumë e rëndësishme në Uashington kur George W. Bush, e ka zgjedhur të jetë kandidati me të cilin do të garonte për garën presidenciale të vitit 2000, të cilat e pati fituar.

Si nënpresident prej vitit 2001 deri më 2009, Cheney ka luftuar për zgjerim të kompetencave të presidentit, duke thënë se ato ishin tkurrur dukshëm prej skandalit Watergate, i cili pati rezultuar me largimin e ish-shefit të tij, Richard Nixon prej pushtetit.

Cheney i ka zgjeruar edhe kompetencat e zyrës së nënpresidentit, duke e bërë bashkë ekipin për siguri kombëtare, që shpesh ka shërbyer si qendra kryesore brenda një administrate.

Ai ka qenë mbështetës i madh i pushtimit të Irakut më 2003 dhe ka qenë në mesin e zyrtarëve të administratës së Bushit që ka paralajmëruar për rrezikun nga rezervat e dyshuara të armëve të shkatërrimit në masë të Irakut. Si përfundim, armë të tilla nuk u gjetën asnjëherë.

Cheney ka pasur probleme me zemrën në pjesën më të madhe të jetës, meqë me sulmet e para ishte përballur në moshën 37-vjeçare. Ai i ishte nënshtruar transplantit të zemrës më 2012.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

Ish-presidenti francez Sarkozy nis dënimin me burgim

Published

on

Nicolas Sarkozy është kthyer në ish-presidentin e parë të Francës që përfundon në burg.

Dënimi i tij me burgim pesëvjeçar ka nisur të martën, pasi është shpallur fajtor se ka komplotuar për të financuar fushatën e tij zgjedhore me paratë e ish-diktatorit të Libisë, Muammar Gaddafi.

Hera e fundit që i ka ndodhur diçka e ngjashme Francës ka qenë viti 1945, kur ishte burgosur lideri kolaboracionist nazist Philippe Petain me akuzat për tradhti gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Sarkozy, i cili ka qenë president në periudhën 2007-2012, do të qëndrojë në burgun La Sante në një qeli prej 9 metrash katrorë.

Më shumë se 100 persona janë parë duke qëndruar para burgut, pasi djali i tij, Louis, 28-vjeçar, u ka bërë thirrje mbështetësve që të tregojnë përkrahje.

Sarkozy është deklaruar vazhdimisht i pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi të.

Ndonëse ai ka thënë se nuk dëshiron trajtim special në burgun La Sante, autoritetet e kanë ndarë atë në një qeli të veçantë për çështje të sigurisë.

Brenda qelisë, ish-presidenti do të ketë banjon, zonën për dush dhe një televizor të vogël. Përgjatë ditës, atij do t’i lejohen ushtrime brenda një ore në ambiente të jashtme.

“Nuk jam i frikësuar nga burgjet. Do ta mbaj kokën lart edhe në ambientet e burgut”, ka thënë ai në hyrje të ndërtesës së burgut.

Mes tjerash, ai ka thënë se do t’i marrë me vete dy libra, njërën për jetën e Krishtit dhe tjetrën për Kontin e Monte Kristos, e cila ka të bëjë me jetën e një burri të burgosur gabimisht, i cili arratiset për t’u hakmarrë ndaj prokurorëve të tij.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending