Connect with us

Kosovë

Kosova nënshkruan ujdi për blerjen e sistemeve të artilerisë HUMVEE Hawkeye nga prodhuesi amerikan

Published

on

Kosova ka nënshkruar marrëveshje me prodhuesin amerikan të industrisë ushtarake, AM General, për blerjen e sistemeve moderne të artilerisë së lëvizshme, HUMVEE Hawkeye 105mm, njoftoi të mërkurën ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Në një shkrim në Facebook, Maqedonci theksoi se “me këtë blerje, ushtria jonë po kalon në një fazë tjetër zhvillimi, atë të rritjes së fuqisë së zjarrit direkt për qitje në distanca të largëta”.

Ai e vlerësoi marrëveshjen si hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës dhe për ndërtimin e një ushtrie moderne, të aftë, të gatshme dhe ndërvepruese me aleatët strategjikë të vendit.

Prodhuesi amerikan tha në një njoftim në uebsajtin e vet se Kosova pritet t’i pranojë sistemet e para brenda dy vjetëve të ardhshme.

Përveç sistemeve së artilerisë lëvizëse HUMAVEE Hawkeye, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të pajiset gjithashtu me ambulanca, kamionë komandimi dhe kontrolli, si dhe kamionë të tjerë mbështetës, të cilët mundësojnë funksionimin e një baterie të plotë artilerie dhe vendosjen e kapaciteteve të qitjes indirekte, sipas kontratës trivjeçare.

“Jemi krenarë të njoftojmë shitjen e suksesshme të HUMVEE Hawkeye Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, një dëshmi e përkushtimit tonë për të ofruar zgjidhje të avancuara për nevojat moderne ushtarake”, tha John Chadbourne, zëvendëspresident ekzekutiv për Zhvillim Biznesi në AM General.

HUMVEE Hawkeye është i pajisur me teknologjinë Soft Recoil, e cila mundëson integrimin e një topi 105 mm mbi platformën e fortë dhe të dëshmuar në fushëbetejë HUMVEE. Kjo lejon vendosjen, qitjen dhe zhvendosjen e sistemit në më pak se 90 sekonda, duke rritur mbijetesën ndaj zjarrit kundërbaterik krahasuar me sistemet e tërhequra tradicionale.

Vitet e fundit Kosova e ka përshpejtuar armatosjen, duke blerë armë kryesisht nga Shtetet e Bashkuara edhe nga Turqia, përfshirë raketa dhe dronë.

Kjo nuk është hera e parë që ajo nënshkruan kontratë me AM General, pasi më 2018, në Kosovë mbërritën 51 automjete ushtarake amerikane, të tipit Humvee.

Kosova është në proces të shndërrimit të FSK-së në ushtri. Përpjekja nisi më 2018 dhe pritet të zgjasë dhjetë vjet.

Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur nga fillimi shndërrimin e FSK-së në ushtri, por jo edhe NATO-ja, e cila ngul këmbë që FSK-ja t’u përmbahet detyrave të saj fillestare, si: reagimi ndaj krizave apo mbrojtja civile

Kosova po ashtu synon që së bashku me Shqipërinë dhe Kroacinë të bëjnë blerje të përbashkëta të armëve amerikane.

Viteve të fundit, Qeveria ka rritur buxhetin për sektorin e mbrojtjes dhe këtë vit buxheti për këtë sektor është 207.8 milionë euro.

| Radio Evropa e Lirë

Kosovë

Osmani shpreson në njohje formale të Kosovës nga Vatikani

Published

on

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se gjatë takimit me Papa Leonin XVI në Vatikan kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit, me shpresën që Selia e Shenjtë “do të marrë së shpejti vendimin e shumëpritur për njohjen formale të Republikës së Kosovës”.

Takimi mes Osmani dhe Papës u zhvillua një ditë më parë. Gjatë qëndrimit në Vatikan e para e shtetit ka zhvilluar takime edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të Selisë së Shenjtë.

“Kosova mbetet e përkushtuar t’i forcojë marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë dhe ta avancojë miqësinë tonë historike, duke u udhëhequr nga vlerat që na bashkojnë. Në frymën e festës së Krishtlindjes, ndamë dëshirat e përbashkëta për paqe e harmoni në gjithë botën”, tha Osmani përmes një postimi në Facebook.

Ajo e ka ftuar Atin e Shenjtë për vizitë në Kosovë.

Pavarësisht se Vatikani nuk e njeh Kosovën, dy vendet mbajnë raporte mes vete. Në janar të vitit 2024, Kosova ka hapur Misionin e Posaçëm në Vatikan. Ndërkaq, në maj të këtij viti, raportet u thelluan edhe më shumë me emërimin e Luigji Biankos si nunc apostolik në Slloveni dhe delegat apostolik për Kosovën.

Nunc apostolik është përfaqësuesi diplomatik më i lartë i Vatikanit në një shtet të caktuar – ngjashëm me ambasadorët e shteteve të tjera, si dhe përfaqësues i Papës pranë kishës katolike lokale.

Ky vendim, që u mor vetëm 12 ditë pasi Papa Leoni mori drejtimin e Kishës Katolike, u mirëprit nga Ipeshkvia e Kosovës, që e ka si sinjal të mirë për vendin.

Për shkak të mosnjohjes së Kosovës, Vatikani nuk emëron nunc apostolik, por vetëm delegat dhe për herë të parë delegat apostolik Vatikani ka emëruar për Kosovën që nga viti 2011.

Vatikani ka sqaruar më herët misioni i një delegati apostolik “nuk është i një natyre diplomatike, por i përgjigjet kërkesës për të plotësuar në mënyrë adekuate nevojat baritore të besimtarëve katolikë”.

Pse nuk e njeh Vatikani Kosovën?

Sipas diplomatëve, ish-diplomatëve dhe përfaqësuesve kishtarë me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë më herët gjatë këtij viti, çështja e mosnjohjes së Kosovës nga Selia e Shenjtë është çështje e ndërlikuar.

Vehbi Miftari, shef i Misionit të Posaçëm të Kosovës në Vatikan, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ka një sërë pengesash për njohjen formale.

“Duhet të kemi parasysh se, përtej raporteve politike, dialogu ekumenik, procesi i integrimit në Bashkimin Evropian dhe dialogu politik Kosovë-Serbi janë po aq të rëndësishëm për Selinë e Shenjtë”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq, vikari i Ipeshvisë së Kosovës, Don Shan Zefi, ka deklaruar se Selia e Shenjtë e përcjellë me vëmendje dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Sa më parë që të shihet fundi i tij, aq më parë Selia e Shenjtë do ta njohë Kosovën. Ky është mendimi im personal”, ka thënë ai, duke shtuar se ky proces ka filluar për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, prandaj ndoshta për këtë arsye Vatikani heziton që ta njohë formalisht Kosovës “derisa të shihet qartë se do të arrihet një marrëveshje paqeje ndërmjet dy shteteve”.

Po ashtu, një ndër pengesat kryesore vlerësohet të jetë edhe ekumenizmi, apo dialogu ndërkishtar për pajtim ndërmjet kishave të krishtera: katolike, ortodokse dhe protestante.

Ish-ambasadori i Kosovës në Romë nga viti 2008 deri më 2012, Albert Prenkaj po ashtu ka thënë se dialogu ekumenik është një nga shkaqet që Vatikani nuk e njeh Kosovën. Ai ka treguar se në komunikimet e para mes Vatikanit dhe Kosovës, Selia e Shenjtë kishte deklaruar se njeh vetëm shtetet që janë anëtare të Kombeve të Bashkuara.

“Kosova nuk është anëtare e OKB-së ende. Ndërkaq, Kisha Ortodokse Serbe apo Patrikana e Beogradit është gjithmonë një problem gjatë këtij rrugëtimi. Pra, ne e dimë se çfarë qëndrimi ka Patrikana e Beogradit, por edhe shteti i Serbisë karshi Kosovës”, ka thënë më herët Prenkaj për Radion Evropa e Lirë.

Kosova, që ka shpallur pavarësinë më 2008 nuk është anëtare e OKB-së, teksa Serbia që atëherë vazhdon të mos e njoh pavarësinë e Kosovës dhe sipas Kushtetutës serbe, vendi ende figuron si pjesë e Serbisë.

Kisha Ortodokse Ruse dhe Kisha Ortodokse Serbe kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës. Në këtë kontekst, Don Shan Zefi shprehu mendimin se Selia e Shenjtë e ka parasysh gjithë politikën botërore dhe mund të ketë rezervat e veta për njohjen e Kosovës si shtet.

Pavarësisht se nuk ka një njohje formale, komunikimet dhe takimet me zyrtarët e lartë në Vatikan mes udhëheqësve të Kosovës dhe Selisë së Shenjtë kanë nisur mbi tre dekada më parë.

Takimin e parë me një papë e kishte zhvilluar udhëheqësi politik i asaj kohe, Ibrahim Rugova, kur u takua me Papa Gjon Palin II në Vatikan në mars të vitit 1993.

Kjo ishte audienca e dytë që Osmani ka zhvilluar me një udhëheqës të Kishës Katolike, pasi në janar të vitit 2023, ajo ishte pritur në audiencë private nga Papa Françesku. Po atë vit, edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, kishte zhvilluar një takim me paraardhësin e Papa Leonit.

Që nga shpallja e pavarësisë, sipas të dhënave zyrtare, Kosova njihet nga 120 vende të botës. Shteti i fundit që njohu pavarësinë e Kosovës ishte Siria, njohje që u bë publike në fund të tetorit të këtij viti.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Ferizaj

Kosova goditet nga tërmeti 3.1 ballësh, epiqendra në afërsi të Kllokotit

Published

on

Një tërmet me magnitudë 3.1 ballë të shkallës Rihter është regjistruar sot në mëngjes në rajonin kufitar mes Kosovës, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Epiqendra e tërmetit është lokalizuar rreth 11 kilometra në verilindje të Ferizajt dhe 9 kilometra në jug të Gjilanit, në zonën Viti-Gjilan në afërsi të Kllokotit.

Sipas të dhënave sizmologjike të Qendrës Euro-Mesdhetare (EMSC), lëkundja ka ndodhur më 15 dhjetor, rreth orës 07:20 sipas kohës lokale derisa tërmeti ka pasur një thellësi prej rreth 9 kilometrash.

Continue Reading

Kosovë

Serbia pezullon hetimet kundër ish-policit kosovar Arbnor Spahiu

Published

on

Prokuroria e Lartë Publike në Suboticë të Serbisë i ka pezulluar hetimet kundër ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, i cili është dyshuar për kryerjen e “vrasjes së rëndë” në fshatin Banjskë të Zveçanit, në veri të Kosovës.

Zyra e Prokurorit ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se urdhri për pezullim të hetimeve është lëshuar më 21 nëntor, në mungesë të dëshmive.

Spahiu është arrestuar nga autoritetet serbe më 7 qershor në pikën kufitare mes Hungarisë dhe Serbisë, derisa ai dhe familja e tij kanë qenë duke u kthyer me autobus nga Austria në Kosovë.

Ai ka qëndruar më shumë se pesë muaj në qendër ndalimi në Serbi.

Avokati i tij Arianit Koci ka konfirmuar së voni për Radion Evropa e Lirë se ai është liruar më 21 nëntor dhe është kthyer në Kosovë.

“Spahiu është mbajtur pa nevojë kaq gjatë, sepse siç kam thënë në fillim, nuk ka dëshmi për një akuzë të tillë, sepse ai nuk ka qenë pjesë e Policisë së Kosovës atë kohë”, ka thënë avokati.

Serbia e ka akuzuar Spahiun për kryerjen e krimit në Banjskë, kur një grup i armatosur serbësh e ka sulmuar Policinë e Kosovës në shtatorin e vitit 2023, duke e vrarë policin kosovar, Afrim Bunjaku.

Policia ka konfirmuar se Spahiu nuk ka qenë pjesëtar i saj në atë kohë.

Millan Radoiçiq – nënkryetar i Listës Serbe në kohën e kryerjes së sulmit – e ka marrë përgjegjësinë për organizim dhe kryerjen e sulmit kundër Policisë së Kosovës në Banjskë.

Pasi është marrë në pyetje në Beograd në tetor të vitit 2023, Radoiçiq është liruar, por me një ndalesë për udhëtim, ndërsa kryeprokurori e ka bërë të ditur vendimin për të ngritur një aktakuzë në fund të vitit 2024.

Pothuajse një vit më vonë, Zyra e Prokurorit në Serbi nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se çfarë e ka bllokuar procesin.

Ndërkohë, gjyqi për tre prej 45 të pandehurve për rastin në Banjskë, po zhvillohet nga autoritetetet në Kosovë.

Ato kërkojnë vazhdimisht dorëzimin e Radoiçiqit për ta gjykuar për kryerjen e sulmit, të cilin Kosova e pati shpallur akt terrorist.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending