Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot publikoi listat e kandidatëve për këshilltarë Komunal që do të garojnë me 17 Tetor në zgjedhjet lokale. Çka bie në sy është fakti se në disa nga këto lista, dominojnë kandidatët që janë në moshë të re, e disa prej tyre janë lindur e rritur në Kosovën e lirë.
Njëri nga ta është Orgest Topojani, nga lista zgjedhore e PDK-së, i cili thotë se është pozitive që po u jepet mundësia politike të rinjve të japin kontributin e tyre në zhvillimin e vendit:
“E kam mirëpritur këtë vendim nga të gjitha partitë politike, sepse gjenerata jonë më e re në moshë ka pasur fatin të shkollohemi në shkolla e universitete të Kosovë dhe ka ardhur koha që dijet e fituara t’i aplikojmë dhe të ndihmojmë në zhvillimin e Kosovës”, u shpreh Orgest Topojani, Kandidat i PDK-së për Kuvendin Komunal të Ferizajt
Ndërkaq, Brahim Osmani, i cili është pjesë listës së Vetëvendosjes, thotë se me kandidimin e tyre për në Kuvendin Komunal, temat me interes për rininë ferizajase do të aktualizohen më lehtë dhe më shpesh.
“Lëvizja Vetëvendosje gjithmonë i ka dhënë prioritet rinisë. Për mua si kandidat i ri i VV-së, do të kemi një prioritet të veçantë për të rinjtë në Komunën tonë sepse do të anagazhohemi për të ngritur në Kuvendin Komunal të gjitha temat me rëndësi për rininë tonë”.
Në anën tjetër, Meriton Salihu, që është në listën e LDK-së thotë se angazhimi i të rinjve në këtë garë është pozitiv sepse sipas një hulumtimi 73% e të rinjve në Kosovë nuk kanë qenë pjesë e asnjë partie politike.
“Asnjë demokraci nuk është e plotë pa përfshirjen e të rinjve dhe grave. Duke e parë që mbi gjysma e banorëve të Kosovës janë të rinj, kjo është edhe politikë e partive që me përfshi sa më shumë të rinj e të rinjtë kanë me qenë zëri të gjithë qytetarëve në Kuvendin Komunal”.
E të tre nga ta thonë se të rinjtë e këtyre listave do të bëjnë një Kuvend Komunal më energjik dhe më dinamik.
“Secili ri besoj që e ka kuptuar që qeverisja nuk është asgjë më shumë se administrimi i mirë. Secili i ri, së bashku me mua do të tentojë të krijojmë një administrim sa më të mirë të qytetit të Ferizajt dhe qyteteve tjera padyshim. Qyteti ynë ka nevojë për ide dhe pasion të secilit prej nesh, për të vazhduar të jemi një qytet që vazhdimisht është në zhvillim dhe progres” tha kandidati Orgest Topojani
“”Në Ferizaj rinia nuk ka pasur vende të reja të punës e as hapësira rekreative, vetëm janë parë nëpër kafe. Unë do të punoj për projektet që rinia i konsideron të rëndësishme në Ferizaj” u shpreh kandidati Brahim Osmani
“Unë kisha me avoku për krijimin e hapësirave gjelbëruese sepse në Ferizaj kemi ndërtesa të ndërtuara pa plan urbanistik dhe rrjedhimisht nuk ka hapësira gjelbëruese. Shqetësuese është edhe numri i qenëve endacak e kisha me avoku për strehim për ta. Përndryshe u bëj ftesë gjithë qytetarëve të Ferizajt që të votojnë sa më shumë të rinj dhe gra” – u shpreh kandidati Meriton Salihu
Në garën për 41 ulëse të Kuvendit Komunal të Ferizajt garojnë 264 kandidatë nga 10 subjekte politike, ndërsa vetëm katër subjekte politike kanë ofruar kandidatët edhe për kryetar të Komunës.
Kështu LDK garon me kandidaten Sibel Halimin nga Ferizaj, Vetëvendosje me kandidatin Valon Ramadani nga fshati Komogllavë, PDK me kandidatin Agim Aliu nga fshati Balaj ndërsa AAK garon me kandidatin Arben Halili nga fshati Gaçkë.
Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën prej një muaj paraburgim kundër të pandehurve A.L. dhe R.J. që dyshohen për veprën penale të mashtrimit
Në njoftimin e gjykatës bëhet e ditur se vendimi për masën e paraburgimit u morr gjyqtarja e procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Penal, Alba Makolli pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës.
“Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 17 prill 2026, në një rrugë në Ferizaj, të pandehurit, me dashje dhe në bashkëveprim së bashku edhe me të pandehurin V.N., i cili gjendet në arrati, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe duke përdor emra të rreme (A. dhe B.), i vënë në lajthim të dëmtuarit E.F., A.F., dhe Rr.K., duke u paraqitur se posedojnë kriptovaluta të llojit USDT, dhe se do t’ua transferonin përmes portofolit digjital “wallet”, ashtu që për realizmin e kësaj skeme fillimisht sigurojnë një lokal me qira dhe caktojnë takim me të dëmtuarit, dhe në lokal arrijnë që të njëjtëve t’ua marrin shumën e të hollave prej 12,000.00 Euro, të cilat të holla sipas planit paraprak, i fusin në një çantë me ngjyrë të gjelbert, i vendosin në një dollap brenda lokalit, në të cilin paraprakisht kishin hapur një vrimë nga pjesa e pasme, përmes së cilës i marrin të hollat pa dijeninë e të dëmtuarve, dhe më pas largohen në drejtim të panjohur, me ç’rast pas veprimeve operative arrihet të zbulohet se të pandehurit përsëri do të vepronin skemën e njëjtë në një rrugë në Kaçanik, duke marr një lokal me qera dhe duke caktuar takimin në atë lokal, ashtu që pas reagimit të hetuesve policor arrihen që të njëjtit të arrestohen në vend ngjarje, ndërsa i pandehuri V.N., arrin të arratiset”, thuhet mes tjerash në njoftimim e gjykatës.
Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se kanë nisur hetimet për rastin e cilësuar si “vrasje e foshnjës gjatë lindjes” që ka ndodhur të martën mbrëma, kur një paciente kishte lindur foshnjën e saj në tualetin e Emergjencës në Ferizaj.
Spitali i Ferizajt, përmes një komunikate ka njoftuar se pacientja është paraqitur në spital me ankesa për obstipacion (kapsllëk) dhe, në një moment, ka hyrë në tualet duke e mbyllur derën.
“Pas insistimit dhe presionit nga stafi mjekësor, të cilët kishin dëgjuar zërin e një foshnjeje, dera është hapur. Nëna kishte prerë kordonin umbilikal të foshnjës dhe e kishte hedhur atë në koshin e mbeturinave, në gjendje të rëndë dhe hipotermike.
Menjëherë janë ndërmarrë masat emergjente për trajtimin e nënës dhe foshnjës, të cilat janë transferuar në repartet e Gjinekologjisë dhe Neonatologjisë. Ekipi multidisiplinar, me përfshirjen edhe të anesteziologut, ka filluar menjëherë të gjitha procedurat reanimatore.
Sapo është konstatuar rasti, stafi shëndetësor ka njoftuar organet kompetente, përkatësisht Policinë e Kosovës.
Foshnja është pranuar në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme reanimatore nga ekipi multidisiplinar i spitalit. Pavarësisht përpjekjeve maksimale dhe trajtimit intensiv nga personeli mjekësor, foshnja ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftim.
Më tej, Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt bëri të ditur se është duke bashkëpunuar plotësisht me organet e drejtësisë dhe institucionet kompetente për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.
Në raportin e Policisë thuhet se “Me vendim të prokurorit, foshnja është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, për procedura të mëtejshme hetimore, derisa e dyshuara ndodhet në spitalin e Gjinekologjisë, Ferizaj, për shkak të gjendjes së saj shëndetësore.”
Një person është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj pas një kontrolli në shtëpinë e tij, ku janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me gaz, pesë fishekë dhe një shurdhues i armës së zjarrit.
Në raportin 24 orësh të policisë bëhet e ditur se rasti ka ndodhur mëngjesin e së dielës, më 3 maj 2026, rreth orës 8:30 në rrugën “Gucia” në Ferizaj .
Me vendim të prokurorit pas intervistimit, rasti vazhdon të hetohet në procedurë të rregullt.