Connect with us

Botë

Gjerë e gjatë, krejt çfarë parasheh projektligji amerikan për Ballkanin Perëndimor

Published

on

Një grup senatorësh amerikanë, demokratë dhe republikanë, kanë prezantuar një projektligj për Ballkanin Perëndimor.

Sipas projektligjit, që është iniciuar nga senatorja demokrate, Jeanne Shaheen, dhe republikani Roger Wicker, synohet që shtetet e Ballkanit të mbështeten në aspektin ekonomik dhe në luftën kundër korrupsionit e aktiviteteve destabilizuese.

Projektligji i senatorëve nga dy partitë amerikane parasheh një sërë nismash për ndihmë ekonomike dhe për forcimin e institucioneve demokratike në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor: Kosovë, Serbi, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Bosnjë e Hercegovinë dhe Shqipëri.

Mbështetës së këtij legjislacioni janë edhe senatorët: Chris Murphy, Thom Tillis, Chris Van Hollen, Dick Durbin dhe Ben Cardin.

Senatorja Shaheen, nëpërmjet një njoftimi për media tha se në kohën kur po vazhdon pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës, lideri rus, Vladimir Putin, i ka bërë të qarta synimet e tij që të rrisë ndikimin malinj në mbarë Evropën Lindore.

Prandaj, sipas saj, raportet SHBA-Ballkani Perëndimor janë qenësore në këto momente.

“Prandaj, jam e lumtur që të prezantoj këtë legjislacion dypartiak që forcon tregtinë dhe investimet midis SHBA-së dhe Ballkanit Perëndimor, teksa çrrënjoset korrupsioni lokal dhe sanksionet të vendosen për ligjet kundër aktorëve destabilizues”, tha ajo, duke shtuar se një gjë e tillë do të hapte rrugën për integrim më të madh euro-atlantik.

Senatori Wicker tha se shtetet e Ballkanit Perëndimor zënë një pozicion të rëndësishëm në çështjet evropiane.

“Ky projektligj do të dërgojë një mesazh të fuqishëm dypartiak se SHBA-ja është e përkushtuar që të mbështesë diplomacinë në rajon”, tha ai.

Ndërkaq, senatori Van Hollen tha se lufta e Rusisë në Ukrainë ka bërë që aleancat globale të SHBA-së të forcohen.

“Rritja e bashkëpunimit tonë me Ballkanin Perëndimor do të na lejojë që ta ndërtojmë mbi bashkëpunimin e ri ekonomik. Ky legjislacion do të ndihmojë në shfrytëzimin e mundësive të tilla, teksa ne vazhdojmë të mbështesim forcimin e demokracisë në rajon.

Strategji pesëvjeçare për Ballkanin Perëndimor

Përmes projektligjit, senatorët amerikanë kërkojnë nga sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe udhëheqësit e departamenteve për ekonominë dhe tregtinë që jo më vonë se 180 ditë pasi të hyjë fuqi projektligji apo Akti mbi Demokracinë dhe Prosperitetin në Ballkanin Perëndimor, të paraqesin një strategji pesëvjeçare për zhvillimin ekonomik dhe qëndrueshmëri demokratike në Ballkanin Perëndimor.

Strategjia kërkon që të ketë bashkëpunim me partnerët në rajon, por edhe me institucionet evropiane dhe botërore, sikurse Bashkimi Evropian dhe Banka Botërore.

Institucioneve amerikane u kërkohet që përmes kësaj strategjie të zhvillojë kapacitete njerëzore dhe infrastrukturore në një sërë fushash, sikurse sektori i ekonomisë, ai i energjisë së pastër, agrikulturës, bizneseve, sigurisë kibernetike e shëndetësi.

Po ashtu, theks i veçantë i jepet mbështetjes së grave në biznes, por në përgjithësi kërkohet të ketë përpjekje për barazi gjinore.

Sa i përket bashkëpunimit dhe zhvillimit ekonomik përmendet edhe nisma ekzistuese Ballkani i Hapur dhe përpjekjet e tjera, që sipas senatorëve amerikanë, “paraqesin potencial të madh për të përmirësuar kushtet ekonomike në Ballkanin Perëndimor teksa promovojnë përfshirje dhe transparencë”.

Sanksionet

Ky akt kërkon që SHBA-ja të ketë koordinim të ngushtë me partnerët në BE, Mbretëri të Bashkuar e aleatë të tjerë sa i përket vendosjes së sanksioneve ndaj personave dhe entiteteve në këtë rajon, që nuk u përmbahen vlerave demokratike.

SHBA-ja, përmes urdhrave ekzekutivë, ka sanksionuar liderë e entitete në Bosnjë e Hercegovinë, në lidhje me shkeljet e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, përfshirë edhe liderin e serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik.

Projektligji thotë se vendosja e sanksioneve ka për synim të pengojë aktivitetet destabilizuese në shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Bosnjë e Hercegovina

Në projektligj përmendet Bosnjë e Hercegovina dhe nevoja që në këtë shtet të vazhdojë mandatin Forca e Bashkimit Evropian (EUROFOR), pasi një gjë e tillë konsiderohet si “interes i sigurisë kombëtare të SHBA-së”.

“Duhet të përdoret zëri i SHBA-së në NATO për të inkurajuar aleancën që të planifikojë dhe mbështesë forcat ndërkombëtare që ta mbajnë të sigurt Bosnjën, veçanërisht nëse Rusia bllokon ri-autorizimin e misionit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në projektligj dhe kërkohet që të forcohet selia e NATO-s në Sarajevë.

Po ashtu, nga NATO dhe BE-ja kërkohet që përmes misioneve të tyre në këtë shtet të sigurohen se do të luajnë rol proaktiv në ofrimin e një ambienti të sigurt, veçanërisht në fushën e mbrojtjes.

Ndërkaq, senatorët amerikanë shprehën mbështetjen e tyre për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor që duan të integrohen në strukturat euro-atlantike: NATO dhe BE.

Varësia nga energjia ruse dhe ndikimi kinez

SHBA-ja, sipas këtij projektligji, zotohet që të ndihmojë shtetet e Ballkanit që të ulin varësinë e tyre nga furnizimet me energjinë ruse.

Nga shtetet e Ballkanit, Serbia ka varësinë më të madhe nga burimet ruse të energjisë.

“Varësia nga burimet e gazit natyror rus për Shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe lidhjet e tyre ekonomike dhe politike me Federatën Ruse, pengojnë aspiratat e tyre për integrimin evropian”, thuhet në projektligj.

Ulja e varësisë së Ballkanit Perëndimor nga energjia ruse, por edhe prodhimi i energjisë përmes karburanteve fosile, në projektligj thuhet se është “interes kombëtar i Shteteve të Bashkuara”.

Por, shqetësues nuk shihet vetëm bashkëpunimi i Rusisë me shtetet e Ballkanit, por edhe ndikimi në rritje i Kinës në rajon.

Ky ndikim, sipas projektligjit, “mund të ketë ndikim të dëmshëm në konkurrencën strategjike, demokracinë dhe integrimin ekonomik me Evropën”.

Ndryshe, senatorët Chris Murphy, Jeanne Shaheen dhe Thomas Tillis vizituan Kosovë, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën më herët gjatë këtij viti.

Shaheen tha se ishte pikërisht kjo vizitë që e inspiroi të inicionte këtë projektligj.

“Vizioni i tyre [liderëve të Ballkanit Perëndimor] për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për gjeneratë e re inspiruan këtë projektligj. Ky rajon meriton çdo mjet për të ndërtuar demokraci të qëndrueshme dhe unë jam e lumtur që e kam udhëhequr nismën për këtë projektligj”, tha senatorja Shaheen.

Projektligji i propozuar nga senatorët amerikanë duhet të debatohet në komitetet përkatëse të Senatit, më pas të dërgohet në Senat për miratim. Kur të marrë miratimin e senatorëve, dërgohet për miratim përfundimtar para Dhomës së Përfaqësuesve.

Pas këtyre procedurave, projektligji nënshkruhet nga presidenti dhe shndërrohet në ligj./REL

Botë

Ish-presidenti francez Sarkozy nis dënimin me burgim

Published

on

Nicolas Sarkozy është kthyer në ish-presidentin e parë të Francës që përfundon në burg.

Dënimi i tij me burgim pesëvjeçar ka nisur të martën, pasi është shpallur fajtor se ka komplotuar për të financuar fushatën e tij zgjedhore me paratë e ish-diktatorit të Libisë, Muammar Gaddafi.

Hera e fundit që i ka ndodhur diçka e ngjashme Francës ka qenë viti 1945, kur ishte burgosur lideri kolaboracionist nazist Philippe Petain me akuzat për tradhti gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Sarkozy, i cili ka qenë president në periudhën 2007-2012, do të qëndrojë në burgun La Sante në një qeli prej 9 metrash katrorë.

Më shumë se 100 persona janë parë duke qëndruar para burgut, pasi djali i tij, Louis, 28-vjeçar, u ka bërë thirrje mbështetësve që të tregojnë përkrahje.

Sarkozy është deklaruar vazhdimisht i pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi të.

Ndonëse ai ka thënë se nuk dëshiron trajtim special në burgun La Sante, autoritetet e kanë ndarë atë në një qeli të veçantë për çështje të sigurisë.

Brenda qelisë, ish-presidenti do të ketë banjon, zonën për dush dhe një televizor të vogël. Përgjatë ditës, atij do t’i lejohen ushtrime brenda një ore në ambiente të jashtme.

“Nuk jam i frikësuar nga burgjet. Do ta mbaj kokën lart edhe në ambientet e burgut”, ka thënë ai në hyrje të ndërtesës së burgut.

Mes tjerash, ai ka thënë se do t’i marrë me vete dy libra, njërën për jetën e Krishtit dhe tjetrën për Kontin e Monte Kristos, e cila ka të bëjë me jetën e një burri të burgosur gabimisht, i cili arratiset për t’u hakmarrë ndaj prokurorëve të tij.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

Sanae Takaichi, gruaja e parë kryeministre në Japoni

Published

on

Konservatorja e linjës së ashpër, Sanae Takaichi është zgjedhur gruaja e parë kryeministre e Japonisë, e cila pritet ta drejtojë shtetin kah e djathta.

Ish-ndihmëse e kryeministrit Shinzo Abe dhe admiruese e ish-kryeministres britanike, Margaret Thatcher, Takaichi i ka siguruar 237 vota në Dhomën e Ulët të Parlamentit, nga 465 sa janë gjithsej.

Fitorja e saj shënon një moment të rëndësishëm për vendin në të cilin kanë udhëhequr gjithmonë burrat.

Ajo pritet të ketë qasje më të ashpër në temat sikurse imigrimi dhe çështjet sociale.

Japonia është duke u përballur me rritje të çmimeve, situatë që e ka rritur zemërimin publik dhe e ka rritur mbështetjen për grupet e së djathtës.

Ndonëse ka fituar mjaftueshëm vota për pozitën e kryeministres, asaj do t’i duhet mbështetje më e madhe e partive opozitare për të udhëhequr në mënyrë efektive.

Takaichi pritet ta bëjë betimin në mbrëmjen e së martës.

Emërimi i saj ka ardhur pasi kryeministri në shkuarje Shigeru Ishiba ka dhënë dorëheqje një muaj më parë, duke e marrë përgjegjësinë për humbjen e partisë së tij në zgjedhje.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Botë

Politikania nga Venezuela, Maria Corina Machado, fiton Nobelin për Paqe

Published

on

Politikania Maria Corina Machado është shpërblyer me Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2025, ka bërë të ditur Komiteti Norvegjez i Nobelit.

Komiteti ka thënë se ajo është përzgjedhur për punën e saj të palodhshme në promovimin e të drejtave demokratike për popullin e Venezuelës dhe për përpjekjet e saj për tranzicion paqësor nga diktatura në demokraci.

“Kur autoritarët e marrin pushtetin, është jetike që të njihen mbrojtësit guximtarë të lirisë, të cilët ngrihen dhe rezistojnë”, është thënë në deklaratën e Komitetit.

Çmimi Nobel për Paqe, në vlerë të rreth 1.2 milion dollarëve, do të ndahet edhe zyrtarisht në një ceremoni të organizuar në Oslo më 10 dhjetor.

Ceremonia mbahet gjithmonë në datën e njëjtë, për të shënuar edhe përvjetorin e vdekjes së industrialistit suedez, Alfred Nobel, me dëshirën e tij të cilit janë krijuar çmimet më 1895.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending