Connect with us

Arbëri

Vetëm tre regjistrues shqiptarë në Medvegjë, Kamberi: Nuk po dërgohen në vendbanime shqiptare

Published

on

Në Medvegjë janë vetëm tre regjistrues me etni shqiptare të cilët po marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë. As këta tre shqiptarë nuk po dërgohen në vendbanimet shqiptare, por në dyert e tyre po trokasin regjistrues serbë.

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi tha për KosovaPress, se kjo është në kundërshtim me marrëveshjen që është bërë në ndërmjetësim me OSBE-në. Ai njofton se kanë dorëzuar ankesën në Entin Statistikor të Serbisë dhe se po presin që gjatë ditës të zgjidhet kjo çështje.

Një gjë të tillë e thonë edhe dy nga regjistruesit shqiptarë, me të cilët ka kontaktuar KosovaPress. Këta të fundit nuk kanë dashur të identifikohen, por janë emra të njohur për redaksinë. Ata kanë bërë të ditur se prej ditës kur ka nisur regjistrimi, ata janë dërguar në fshatra të cilët janë të banuar nga serbët.

Deputeti Shaip Kamberi shpreh dyshimin se kjo po bëhet me qëllim që të pamundësohen shqiptarët që të regjistrohen.

Tre (regjistrues) janë për Medvegjë që kanë kaluar testet. Por problemi tashmë qëndron në faktin se edhe këta tre nuk janë duke i dërguar në vendbanime shqiptare, por dërgohen në vendbanime serbe. Ndërkohë që regjistruesit serbë dërgohen në vendbanime shqiptare, që është në kundërshtim me marrëveshjen që kemi pasur me Ministrinë për Dialog dhe për Drejta të Njeriut me ndërmjetësimin e OSBE-së. Ne kemi alarmuar OSBE-në edhe ambasadat perëndimore gjatë ditës së djeshme, po presim që sot të ketë një trajtim dhe respektivisht kthim për respektimin e marrëveshjes. Sepse përndryshe ne do të duhet të shqyrtojmë vendimin dhe qëndrimin tonë për regjistrimin e popullsisë në këtë komunë. Sepse dyshojmë që gjithë kjo po bëhet me qëllim që të pamundësohen shqiptarët që të regjistrohen”, njofton Kamberi.

Regjistrimi i popullsisë për shqiptarët në Serbi po bëhet pas dy dekadave.

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Kamberi, vlerëson se ky proces ka rëndësi të veçantë në proceset e dekadëshit të ardhshëm. Ai flet edhe për pasivizimin e adresave, për çka shton se shqiptarëve nuk mund t’ju merret shtetësia.

Të gjithë ata që janë pasivizuar, qëndrimi është që të regjistrohen si banorë, sepse atyre nuk mund t’ju merret shtetësia sipas ligjit. Prandaj, si shtetas të Serbisë ata kanë të drejtë të regjistrohen. Ndërkohë, sa i përket adresave të reja si individ duhet të paraqes kërkesë për t’i dhënë adresë të re në vendin ku ai lajmërohet. Është një procedurë krejtësisht tjetër ajo, e cila duhet sigurisht që të niset menjëherë pas përfundimit të procesit të regjistrimit të popullsisë”, shton Kamberi.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk kanë marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë që u organizua në vitin 2011, për shkak se nuk u respektuan kërkesat e tyre.

Ne nuk kemi marrë pjesë në regjistrimin e vitit 2011, për faktin se Enti Statistikor Republikan nuk ka respektuar kërkesat tona për regjistrim të diasporës, regjistrim të banorëve të zhvendosur dhe për faktin se nuk kemi pasur mjaftueshëm regjistrues shqiptarë. Sikurse në dokumentacione nuk kanë qenë në gjuhën shqipe. Kësaj here me ndërmjetësimin e OSBE-së, të gjitha këto janë arritur dhe procesi ka filluar, ashtu siç ishte planifikuar me 1 tetor”, vijon ai.

Deputeti shqiptar Shaip Kamberi pret që nga ky regjistrim që do të përfundojë gjatë këtij muaji, shqiptarëve t’u kthehen të drejtat.

E para ka të bëjë me nivelin e integrimit që ne kërkojmë nga organet shtetërore, nga statistikat që do të tregojnë se sa është numri i shqiptarëve në këtë rajon. Kërkesa jonë do të duhet të jetë në nivel të atillë që të ri inkuadrohemi dhe të participojmë në punën e organeve shtetërore të cilat funksionojnë në komunat tona. Ka funksion dhe rol edhe në financimin e projekteve kapitale që vijnë nga qyteti dhe vijnë nga shteti për komunat tona dhe financimin e rregullt mujor që i bëhet komunave nga niveli shtetëror. Po ashtu edhe financimin që i bëhet Këshillit Nacional. Numrin e mjekëve që do të ketë ‘Shtëpia e Shëndetit’, numrin e ambulanteve që duhet të ekzistojnë në vendbanimet e caktuara, pavarësisht nga numri i popullsisë. Dhe ajo që është e rëndësishme për Preshevën është se nga numri i banorëve që do të dalë se ka kjo komunë do të varet legjitimiteti për kthimin e Gjykatës Themelorë në Preshevë, e cila në vitin 2013 është shuar”, deklaron ai për KosovaPress.

Për këtë flet edhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar për Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafi i cili thotë se ky proces është përgjigje ndaj diskriminimit e pasivizimit të adresave.

Ai shton se janë ofruar kushtet optimale për regjistrim të popullsisë, proces ky që financohet nga Bashkimi Evropian dhe mbështetet e monitorohet nga EUROSTAT.

Fletë-regjistrimet janë në gjuhën shqipe, të cilat i ka asistuar Këshilli Kombëtar Shqiptar. Instruktorët për regjistruesit janë edhe nga komuniteti shqiptar. Regjistrues janë edhe nga komuniteti shqiptar e madje edhe në disa vendbanime të përziera është lejuar edhe mundësia për asistent gjuhësor. Në këtë proces të regjistrimit të popullsisë nuk nevojitet asgjë tjetër përveç emrit, mbiemrit dhe një numri personal, me ç’rast regjistruesi e ka për detyrë tri herë të shkojë në shtëpinë e tij dhe në rast se nuk e gjen në shtëpinë e tij do të duhej të lënë një kontakt-numër dhe regjistrimin mund ta kumtojë një familjar për gjithë anëtarët e tjerë të familjes”, shprehet ai.

Në Preshevë e Bujanoc, shumica e regjistruesve janë shqiptarë, por jo edhe në Medvegjë.

Ne kemi 83 regjistrues diku 86 regjistrues në Bujanoc, 73 regjistrues në Preshevë dhe kemi 24 regjistrues në Medvegjë, tre nga të cilët janë shqiptar”, shton Mustafi.

Në regjistrimin e fundit të popullsisë të vitit 2002, ku morën pjesë shqiptarët janë evidentuar 56 mijë banorë.

56 mijë banorë shqiptarë kanë qenë në Luginën e Preshevës, sipas regjistrimit të vitit 2002, rezident. Dhe rreth 30 mijë kanë qenë, jo rezident që do të thotë se pjesa që jetojnë në diasporë. Ne synojmë që të ruajmë së paku këtë minim dhe të arrijmë të kemi 56 mijë, 57 mijë, rreth 60 mijë banorë rezident në Luginën e Preshevës. Ndërkohë që është shumë e qartë se diaspora jonë është rritur në ndërkohë. Sepse, kemi njerëz që janë larguar dhe migrimi ka bërë të vetën. Procesi i largimit të dhunshëm të banorëve shqiptarë nga Malësia e Bujanocit, Karadaku i Preshevës dhe fshatrave e Medvegjës që është përfunduar në vitet ’99-2000 edhe që po tentohet përmes pasivizimit të adresave të legalizohet me spastrim etnik të kryer, ka qenë një ndër arsyet që ne nuk kemi pranuar të marrim pjesë në regjistrimin e vitit 2011”, ka përfunduar deputeti Shaip Kamberi.

Në procesin e regjistrimit të popullsisë në Serbi që ka nisur ditën e shtunë, bëhet edhe regjistrimi i pronave.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe liderët e partive shqiptare në Kosovës kanë ftuar shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës që të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë, si përgjigje ndaj diskriminimit të shqiptarëve dhe pasivizimit të adresave. /KSP

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Arbëri

Ndahet nga jeta gazetari dhe publicisti i njohur shqiptar, Artur Zheji

Published

on

Është ndarë nga jeta gazetari dhe publicisti i njohur shqiptar, Artur Zheji.

Sipas mediave shqiptare,  Zheji vdiq pas një sulmi kardiak derisa ishte me pushime me familjen në Sarandë.

Në raportin e cituar të Policisë së Shqipërisë, bëhet e ditur se rasti ka ndodhur në afërsi të një restoranti në rrugën “Butrinti” pasditen e së shtunës. Sipas Policisë, Zheji vdiq gjatë rrugës për në spital.

Artur Zheji ishte një nga figurat më të njohura të medias shqiptare, i angazhuar për dekada si gazetar, analist dhe drejtues emisionesh politike.

Që nga viti 2017, ishte drejtues i emisionit politik dhe analitik 360 Gradë, i cili transmetohej në televizionin ABC News.

Ai u lind më 29 gusht 1961 dhe ishte i biri i autorit Petro Zheji e aktores Besa Imami.

Continue Reading

Arbëri

Tërmeti me magnitudë 3.6 shkallë lëkund Krujën

Published

on

Një tërmet me magnitudë prej 3.6 shkallë të Rihterit ka goditur Krujën me rrethinë, derisa lëkundjen janë ndjerë edhe në Tiranë.

Sipas Qendrës Sizmologjike Euro-Mesdhetare, tërmeti u regjistrua këtë mbrëmje, në orën 18.24 minuta sipas kohës lokale kurse epiqendra e tij ishte 7 kilometra në jug-jugperëndim të Krujës, respektivisht rreth 16 kilometra në veriperëndim të Tiranës.

Paraprakisht, një lëkundje tjetër me intensitet më të ulët, prej 2.2 shkallë të Rihterit u regjistrua në orën 16:14.

Nuk ka ndonjë raportim për dëmet eventuale.

Continue Reading

Arbëri

Një i vdekur teksa Shqipëria vazhdon luftën me zjarret

Published

on

Shqipëria është duke u përballë me një gjendje të vështirë zjarresh, si pasojë e të cilave një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë kanë kërkuar ndihmë në ditët e fundit.

Tridhjetë e shtatë vatra zjarri janë evidentuara në mbarë vendin, nga të cilat 30 mbeten aktive, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë të martën mbrëma.

Flakët kanë përfshirë disa qarqe, duke rrezikuar banesa, sipërfaqe pyjore e zona të mbrojtura, ndërsa një i moshuar ka humbur jetën në një fshat të të Gramshit në qarkun e Elbasanit.

Gjatë natës, për shkak të tymit dhe kushteve të krijuara nga flakët, rreth 10 qytetarë, përfshirë 4 ushtarë, kanë marrë ndihmë mjekësore në qytetin e Delvinës, ku banorët u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre.

Zjarrfikësit po ndihmohen edhe nga pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe nga helikopterë.

Autoritetet paralajmërojnë se, për shkak të erërave të forta dhe temperaturave të larta, rreziku i përhapjes së zjarreve mbetet i lartë dhe kërkojnë bashkëpunim maksimal nga qytetarët për evakuim dhe shmangie të rrezikut.

Zonat më të prekura përfshijnë qarkun e Elbasanit, ku forcat zjarrfikëse dhe 150 trupa tokësore po luftojnë me flakët në Skënderbegas e zonat përreth. Situata ka detyruar autoritetet të evakuojnë banorët, ndërsa është kërkuar ndërhyrja e 50 pjesëtarëve të Forcave të Armatosura, sipas Ministrisë së Mbrojtjes.

Në Vlorë, zjarri në Finiq po kërcënon Parkun Natyror të Syrit të Kaltër. Në terren po operojnë zjarrfikës nga disa bashki, të mbështetur nga mjetet ajrore shqiptare dhe ndërkombëtare, përfshirë avionë PZL nga Greqia dhe helikopterë nga Çekia e Sllovakia, tha ajo.

Në Berat, situata në Poliçan është përshkallëzuar, duke rrezikuar disa fshatra. Autoritetet kanë bërë thirrje për evakuim të menjëhershëm në zonat e rrezikuara.

Në kryeqytet, Tiranë, disa vatra janë shuar, por Mali i Bërzhitës dhe disa fshatra të tjerë vijojnë të digjen, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Shkodra, Gjirokastra dhe Korça raportojnë vatra të mëdha, shpesh të paarritshme për mjetet tokësore për shkak të terrenit të vështirë, ndërsa në Parkun Natyror të Gërmenjit ndërhyrja pengohet edhe nga prania e predhave të vjetra.

Forcat e angazhuara për shuarjen e zjarreve përfshijnë qindra efektivë të Forcave të Armatosura, zjarrfikës nga të gjitha qarqet, forca policore, punonjës bashkish dhe dhjetëra vullnetarë. Dhjetëra automjete zjarrfikëse dhe mjete të rënda janë në operacion. Nga ajri po veprojnë 2 helikopterë Black Hawk nga Emiratet e Bashkuara Arabe, 1 nga Çekia, 1 nga Sllovakia dhe 1 nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë.

Shqipëria është përballur me zjarre aktive në javët e fundit dhe autoritetet i arrestuan në fund të korrikut 18 njerëz nën dyshimet për zjarrvënie në pjesë të ndryshme të vendit.

Ndërkohë, me zjarre janë duke u përballur edhe vendet e tjera të Ballkanit, përfshirë Kosovën dhe Malin e Zi.

| Radio Evropa e Lirë

Continue Reading

Trending