Ish-shefja e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, u arrestua të martën gjatë një bastisjeje policore si pjesë e një hetimi kundër një skeme të dyshuar mashtrimi, e cila lidhet me trajnimin e diplomatëve evropianë.
Mogherini, e cila ishte përfaqësuese e lartë për punët e jashtme nga viti 2014 deri në 2019, tani drejton kolegjin pasuniversitar, College of Europe, ambientet e të cilit u bastisën së bashku me zyrat e shërbimit diplomatik të EEAS-it.
Mogherini ka ndërmjetësuar për disa vite dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.
Italiania, 52-vjeçare, u arrestua në Bruksel së bashku me zëvendësshefin e shkollës së trajnimit dhe Stefano Sanninon, një zyrtar i lartë i BE-së që ishte sekretar i përgjithshëm i EEAS-it nga viti 2021 deri në vitin 2024, raportojnë AFP dhe agjenci të tjera ndërkombëtare.
Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO) njoftoi se kontrolle u kryen në College of Europe në qytetin belg Bruzh, si dhe në ambientet e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm në Bruksel.
“Tre të dyshuar u arrestuan” në lidhje me bastisjet, si “pjesë e një hetimi për mashtrim të dyshuar të lidhur me trajnimin e financuar nga BE-ja për diplomatët e rinj”, thuhet në deklaratën e EPPO-s.
Këto kontrolle, të kryera nga policia federale belge me kërkesë të EPPO-s, kishin në shënjestër edhe banesat e të dyshuarve, thanë prokurorët.
Në qendër të çështjes, sipas EPPO-s, është një program trajnimi nëntëmujor për diplomatët e rinj nga shtetet e BE-së, i njohur si Akademia Diplomatike e Bashkimit Evropian.
Programi iu dha College of Europe nga EEAS-i në periudhën 2021–2022, dhe hetimi fokusohet nëse procesi i tenderimit është manipuluar për të favorizuar këtë shkollë.
Mogherini është drejtuese si e College of Europe, ashtu edhe e Akademisë Diplomatike të BE-së.
“Ekzistojnë dyshime të forta se… informacion i besueshëm në lidhje me prokurimin është ndarë me njërin prej kandidatëve pjesëmarrës në tender”, thuhej në deklaratën e EPPO-s.
Komisioni Evropian konfirmoi se bastisjet janë kryer.
“Ne mund të konfirmojmë se policia ishte sot në ndërtesat e EEAS-it, dhe kjo është pjesë e hetimit në vijim për aktivitetet që kanë ndodhur më parë, gjatë mandatit të mëparshëm”, tha zëdhënësja e Komisionit, Anitta Hipper.
| Radio Evropa e Lirë