Pjesëtarët e Njësitit Special Intervenues, njësiti më elitar i Policisë së Kosovës, kanë protestuar para ndërtesës së Qeverisë të Kosovës, për të shprehur pakënaqësinë me vendimin për zvogëlimin e shtesave të rrezikshmërisë.
Elitarët e Policisë kanë kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të reflektojë dhe të takohen për të diskutuar për realizimin e kërkesave të tyre.
Përfaqësuesi i këtyre dy njësive elitare të Policisë tha se kërkesat e tyre janë legjitime dhe sociale dhe kanë të bëjnë me kategorizimin si njësi të veçanta dhe përfshirja në listën e ekspertëve kurse rrezikshmëria të caktohet në vlerën prej 50 për qind të pagës bazë si dhe pagesën e shtesës për kushte specifike të punës.
Sipas propozimit të Qeverisë, lartësia e shtesave do të jetë e ndryshme për 7 kategori të njësiteve policore dhe do të sillen nga 45 deri në 150 euro, të cilat do të paguhen me pagat e nëntorit, përfshirë edhe pagesat retroaktive edhe për muajt që nga miratimi i Ligjit të pagave.
Kështu, pjesëtarët e njësive elitare (Njësia Speciale Intervenuese, Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësia për Mbrojtje të afërt) do t’i marrin nga 150 euro shtesë në pagën bazë.