Connect with us

Kosovë

Kosova e shënon Ditën e Çlirimit

Published

on

Kosova e shënoi të enjten 26-vjetorin e Ditës së Lirisë apo Çlirimit të Kosovës, kur trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë më 12 qershor 1999 pas fushatës ajrore të aleancës veriatlantike kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se në këtë ditë, 26 vjet më parë, “mbi tokën e djegur të Kosovës zbarkoi shpresa: 50 mijë ushtarë të NATO-s hynë në vendin tonë të stërvuajtur duke kontribuar në çlirimin e një populli që ishte shtypur me shekuj, e mbi një milion shqiptarë u kthyen në shtëpitë e tyre”.

“Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtarët e NATO-s e kthyen tmerrin në guxim dhe dhimbjen në shpresë. Në atë ditë historike, ata sollën dritë pas një errësire të gjatë dhe e bënë lirinë realitet”, shkroi Osmani në Facebook.

Ambasada amerikane në Prishtinë shkroi në X se në këtë përvjetor, “ne nderojmë qëndresën e popullit të Kosovës dhe përkushtimin tonë të përbashkët për ta ndërtuar një të ardhme të bazuar në paqe, siguri dhe mirëqenie”.

“Sot bëhen 26 vjet që kur forcat e NATO-s hynë në Kosovë, duke sjellë shpresë, siguri dhe një rrugë drejt paqes. Data 12 qershor 1999 ishte pikë kthese – një moment që ua mundësoi familjeve të zhvendosura të kthehen dhe komuniteteve të fillojnë rindërtimin”, shkroi Ambasada amerikane.

Ambasada gjermane në Prishtinë, tha se vendosja e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë – KFOR, qershorin e ’99, solli stabilitet dhe siguri në Kosovë.

“Siç u shpreh Lord Robertson, ish-sekretar i Mbrojtjes i Britanisë dhe sekretar i Përgjithshëm i NATO-s:

‘Qëllimi ishte: forcat e Millosheviqit jashtë, NATO brenda dhe refugjatët të kthehen’. Misioni u përmbush”, shkroi Ambasada gjermane në Facebook.

Ajo tha se Gjermania mbetet një nga partnerët më të ngushtë të Kosovës, duke e mbështetur në rrugën e saj drejt një të ardhmeje të qëndrueshme dhe të begatë.

“Që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, Kosova është shndërruar në një histori suksesi, duke u rritur në qëndrueshmëri, zhvillim dhe njohje ndërkombëtare”, tha ajo.

Të enjten u bënë 26 vjet nga dita kur forcat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë, duke shënuar fundin e luftës që la më shumë se 13.500 njerëz të vrarë, kryesisht shqiptarë.

Fushata bombarduese e NATO-s, që zgjati 78 ditë, përfundoi më 10 qershor 1999, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), me kapitullimin e Serbisë dhe tërheqjen e forcave të saj nga Kosova.

Rezoluta 1244 e OKB-së në Kosovë vendosi administratën e përkohshme të OKB-së, UNMIK, për të administruar me vendin e shkatërruar nga lufta, për një periudhë transitore deri në ngritjen e kapaciteteve vendore dhe zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Ajo, po ashtu, siguroi bazën ligjore për vendosjen e 50.000 trupave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja për ta siguruar paqen në Kosovë, që njëherësh ishte edhe misioni më i madh paqeruajtës i Aleancës veri-atlantike.

Vendosjes së trupave paqeruajtëse i parapriu Marrëveshja Teknike e Kumanovës, që parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të NATO-s në Kosovë.

Tërheqja e plotë e trupave serbe përfundoi më 20 qershor 1999.

Ushtarët e parë që u futën brenda territorit të Kosovës më 1999 ishin pjesëtarë të ushtrisë norvegjeze. Ata ishin pjesë forcave paqeruajtëse nga 36 vende të botës – prej të cilëve 30.000 ishin të shteteve të NATO-s – që erdhën në Kosovë.

Me hyrjen e trupave ndërkombëtare u mundësua kthimi në shtëpitë e tyre i më shumë se 800.000 refugjatëve, persona të zhvendosur brenda dhe jashtë Kosovës, të dëbuar nga shtëpitë e tyre, që po strehoheshin në kampe në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, si dhe largimin e serbëve nga Kosova.

Nga ana tjetër, tërheqja e forcave serbe çoi në shpërnguljen e rreth 164.000 serbëve nga Kosova.

Ndërhyrja ushtarake e NATO-a ndodhi pas gati një dekade përpjekjesh diplomatike ndërkombëtare për t’i ndalur luftërat në ish-Jugosllavi. Në Kosovë, asaj i parapriu Konferenca e Rambujesë dhe e Parisit, ku Serbia refuzoi kompromisin që të ndalte dhunën e forcave të saj në Kosovë.

Në luftën e viteve 1998-’99 janë vrarë më shumë se 13.000 persona dhe janë zhdukur më shumë se 6.000 persona.

Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi. Trupat e tyre janë bartur nga forcat serbe me qëllim që të fshihen krimet.

Udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të Serbisë janë arrestuar, gjykuar dhe dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për ish-Jugosllavi për krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë.

Ndër ta ishte edhe Sllobodan Millosheviqi, i cili vdiq në burg pa arritur të dënohet për përgjegjësinë në urdhërimin e krimeve të luftës në Kosovë.

Sipas të dhënave, më shumë se 1.600 persona konsiderohen ende të pagjetur.

Njëzetegjashtë vjet pas hyrjes në Kosovë, numri i trupave të KFOR-it është zvogëluar dhe aktualisht në vend janë mbi 4 mijë trupa nga 28 shtete të botës. / Radio Evropa e Lirë

Kosovë

Ish-ministri Endrit Shala dënohet me dy vjet burgim për konflikt interesi

Published

on

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar ish-ministrin Endrit Shala me dy vjet burg për konflikt interesi.

Shala akuzohej se derisa ishte ministër i Tregtisë dhe Industrisë nga Nisma në qeverinë e PAN-it, i kishte bërë favor baxhanakut të tij, Valdet Teneqja, duke i mundësuar kompanisë së tij  N.SH. “Euro Inspekt” përfitim të kundërligjshëm të mbi 730 mijë eurove,  në rastin kur kjo kompani ishte emëruar si trup inspektues për vlerësimin e konformitetit të karburanteve të naftës në Kosovë.

Fillimisht, Shala ishte akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, por trupi gjykues i kryesuar nga Violeta Namani, tha se nuk ka gjetur prova për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare, por për konflikt interesi.

“Ka nënshkruar, përkatësisht miratuar Vendimin për emërim 01. Ref. Nr.36, më 30.05.2019, me të cilin Operatori Ekonomik (OE), me emrin tregtar: N.SH. ‘Euro Inspekt’ dhe emrin e biznesit: Valdet S. Teneqja është emëruar si trupë inspektuese për vlerësimin e konformitetit të karburanteve të lëngëta të naftës në Kosovë, me të cilin veprim i ka mundësuar atij dhe biznesit në pronësi të tij realizim të interesit financiar, përkatësisht të dobisë pasurore. Si rrjedhojë e këtij Vendimi të kundërligjshëm, në lartësi 732,642.28 euro.” – thuhet në dosjen e Prokurorisë për aktakuzën ndaj Endrit Shalës.

Continue Reading

Kosovë

Pagesa 100€ për punëtorët privat ekzekutohen të hënën

Published

on

Ministri në detyrë i financave, Hekuran Murati ka njoftuar se pagesa prej 100 € për punëtorët e sektorit privat do të ekzekutohen të hënën, kurse pagesa për studentët që kanë aplikuar, do të ekzekutohen sapo të pranohen konfirmimet përkatëse nga institucionet e arsimit të lartë.

Përmes një postimi në facebook, Murati bëri të ditur se “që në fillim të kësaj jave, komisionet vlerësuese kanë filluar punën për shqyrtimin e aplikimeve për dy masat e mbetura nga Pakoja për Përballje me Inflacion 2.0, konkretisht mbështetjen për punëtorët e sektorit privat dhe studentët.

Puna e komisionit për masën e sektorit privat është drejt përfundimit, dhe ekzekutimi i pagesave pritet të bëhet në fillim të javës që vjen, pra të hënën.

Kurse komisioni për masën e studentëve do ta përfundojë punën sapo të ketë marrë konfirmimet përkatëse nga institucionet e arsimit të lartë, për studentët që kanë aplikuar. Edhe për këtë do t’ju njoftojmë me kohë sapo listat për pagesa të jenë gati për ekzekutim”, ka shkruar Murati në Facebook.

Continue Reading

Kosovë

Gjykata Supreme shfuqizon pjesërisht udhëzimin për xhamat e errët

Published

on

Gjykata Supreme e Kosovës ka shfuqizuar pjesërisht dispozitat e Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme që rregullon përdorimin e xhamave të errët në automjete, duke konstatuar se disa nga kufizimet e vendosura nuk kishin bazë ligjore.

Gjykata ka aprovuar pjesërisht padinë e iniciuar nga Organizata Joqeveritare “Marakli t’Kerreve” dhe Instituti “Tri Pika – Sport, Sociale, Ekonomi”, të cilët kishin kërkuar shqyrtimin e ligjshmërisë së nenit 7 të Udhëzimit Administrativ (MPB) Nr. 12/2024, që kishte të bënte me ndalimin e vendosjes së materialeve të errësuara apo xhamat e errësuar në automjete.

Në aktgjykim shpallen të paligjshëm dhe shfuqizohet paragrafi 1, 3 dhe 4 i nenit 7 të këtij udhëzimi administrativ.  

Paragrafi 1 lejonte xhamat e errët vetëm për automjetet që i kishin të instaluara nga prodhuesi, ndërsa paragrafi 3 ndalonte në mënyrë të përgjithshme vendosjen e folieve errësuese në xhamat e automjeteve.

Gjithashtu është shfuqizuar edhe paragrafi 4 i këtij neni, i cili i jepte Ministrit të Punëve të Brendshme kompetencën për të lejuar përjashtime nga ndalimi.

Gjykata ka lënë në fuqi vetëm paragrafin 2 të nenit 7, pasi ai ka karakter teknik dhe administrativ, duke rregulluar vetëm evidentimin e xhamave të errët në dokumentacionin e regjistrimit të automjetit, pa vendosur kufizime që bien ndesh me ligjin.

Në arsyetim të aktgjykimit, Gjykata vlerësoi se dispozitat e shfuqizuara krijonin kufizime të reja që nuk burojnë nga ligji, duke theksuar e organet administrative mund të nxjerrin akte nënligjore vetëm për të zbatuar dhe konkretizuar ligjin, por jo për të krijuar kufizime të reja që nuk mbështeten në autorizim të qartë ligjor.

Continue Reading

Trending